Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

FIFA ndalon vuvuzelat në stadiumet e Kupës së Botës, reagime të shumta për shishet e ujit

Vuvvuzela

Tifozët që kërkojnë të festojnë në ndeshjet e Kupës së Botës në futboll duhet të bëjnë këtë pa përdorur vuvuzelat e famshme. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), që është organizatore e Botërorit, ka ndaluar “brirët” plastikë në stadiumet e Botërorit në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Vuvuzelat ndalohen sipas kodit të FIFA-s për sjellje në stadiume.

Vuvuzelat, që janë mjete të zhurmshme nga plastika, janë elemente kryesore të ndeshjeve të futbollit në Afrikën e Jugut. Ato pushtuan botën gjatë Kupës së Botës 2010 që ishte zhvilluar në Afrikë të Jugut. Por po ashtu janë kritikuar për tingullin monoton, i cili shpesh krahasohet me një tufë bletësh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Së bashku me vuvuzelat janë ndaluar edhe mjete të tjera që bëjnë zhurmë tepër të madhe, duke përfshirë bilbilat.

Dhe këto “instrumente” janë të ndaluara në të gjitha 16 stadiumet ku organizohet Botërori që fillon më 11 qershor.

Edhe instrumentet që lëshojnë rreze laseri janë të ndaluara.

Në kodin e sjelljes në stadiume, FIFA ka shkruar se ngjyrosja e trupit apo tatuazhet nuk përbëjnë veshje. Ndalohet edhe heqja e rrobave për të zbuluar pjesë intime të trupit.

FIFA gjithashtu ua ka ndaluar shikuesve të sjellin shishe uji në ambientet e stadiumit, duke përmendur shqetësime sigurie.

Shikuesve që shkelin rregullat mund t’u refuzohet hyrja, ose të largohen nga stadiumi, shkruan në kod.

Ndryshimi i kodit të sjelljes në stadium, sidomos sa i takon shisheve të ujit, është kritikuar nga një grup tifozësh anglezë. Grupi ka argumentuar se FIFA kishte dhënë garanci për mbajtjen e shisheve plastike boshe, për t’i mbushur me ujë në turneun ku pritet që nxehtësia dhe moti ekstrem të jenë faktor i rëndësishëm.

“Kjo është vetëm vjedhja e fundit e parave”, shkruan në deklaratën e grupit të tifozëve “Free Lions”.

Uji, pijet e gazuara dhe lëngjet që shiten në stadiume furnizohen ekskluzivisht nga sponsori i hershëm i FIFA-s, Coca-Cola.

Për vendimin e fundit të FIFA-s, e që lidhet me ujin e pijes, është deklaruar edhe Andrew Giuliani, drejtori ekzekutiv i Task-Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës. Ai ka thënë se po diskutohet me FIFA-n për vendimin.

Fillimisht FIFA kishte deklaruar se do të lejonte shishe të ripërdorshme, deri në një litër.

FIFA ka arsyetuar vendimin duke thënë se ka ndaluar shishet që mund të hidhen dhe se kjo është bërë “për të parandaluar rrezikun dhe lëndimet e lojtarëve dhe pjesëmarrësve”.