Aktorja e njohur, Gwyneth Paltrow, ish-gruaja e këngëtarit të grupit “ColdPlay”, Chris Martin, është punësuar nga kompania teknologjike “Astronomer” për ta “shlyer” skandalin që ndodhi në koncertin e grupit, në mes të CEO-së dhe punonjëses për burime njerëzore.
Të kthehesh nga një skandal i turpshëm në një histori suksesi marketingu nuk është e lehtë, përveç nëse ke në krah emra si Gwyneth Paltrow dhe Ryan Reynolds, ka shkruar The New York Times.
Kompania teknologjike Astronomer, që merret me automatizimin e të dhënave, u përfshi në një skandal pasi CEO-ja i saj (i martuar) u filmua duke u përkëdhelur me një punonjëse të burimeve njerëzore, e cila nuk është gruaja e tij, në një koncert të “Coldplay”. Por kompania reagoi në mënyrë të papritur: me humor dhe ironi, duke nxjerrë në skenë vetë Paltrown si “zëdhënëse e përkohshme”.
“Astronomer ka marrë shumë pyetje ditët e fundit dhe donin që t’i përgjigjesha unë më të shpeshtave,” thotë Paltrow, në një video të postuar në rrjetet sociale të kompanisë.
VIDEO:
Më pas në ekran shfaqet pyetja: “Oh Zot! Çfarë dreqin ndodhi?”
“Po!”, përgjigjet ajo, me një buzëqeshje të lodhur, por të mençur në fytyrë. “Astronomer është vendi më i mirë për të përdorur ‘Apache Airflow’. Jemi shumë të lumtur që kaq shumë njerëz papritur janë bërë kuriozë për automatizimin e rrjedhës së të dhënave”
Videoja është krijuar nga kompania e produksionit të aktorit të mirënjohur Ryan Reynolds, “Maximum Effort”, e njohur për fushata reklamash me stil “thumbues” dhe viral.
“Ne përpiqemi të bëjmë marketing që ecën me të njëjtin ritëm si kultura”, pati thënë më parë Reynolds për The Washington Post.
Profesor Michel Pham, ekspert marketingu nga Columbia Business School, ka thënë se kjo strategji ishte tepër e zgjuar.
“Kur një kompani përfshihet në një skandal që nuk lidhet drejtpërdrejt me produktin e saj, siç është një aferë, ajo mund të përdorë humorin për të përfituar nga vëmendja publike”, ka thënë ai dhe kujton edhe raste të tjera të ngjashme.
-“KFC” në Britani (2018), kur u mbyllën qindra dyqane për mungesë pule, kompania reagoi me një reklamë që thoshte thjesht: “FCK. Një restorant pule pa pulë. Nuk është ideale”.
-“Peloton” dhe “Gruaja e Pelotonit” (2019):
Peloton është një kompani e njohur që shet biçikleta për stërvitje në shtëpi. Në vitin 2019, ata publikuan një reklamë ku një burrë i dhuron gruas së tij një biçikletë Peloton për Krishtlindje. Por reklama u kritikua shumë në rrjete sociale dhe media, sepse shumë njerëz menduan se ishte seksiste – duke dhënë idenë se burri po i thoshte gruas të stërvitej për të pasur një trup më të mirë.
Pas kësaj polemike, aktorja që luajti në reklamë u shfaq sërish në një video tjetër, këtë herë për markën e pijes alkoolike të aktorit Ryan Reynolds (që quhet “Aviation Gin”). Në këtë video, ajo ishte ulur me dy shoqe, duke pirë gin dhe duke thënë: “Për fillime të reja”, duke lënë të kuptohet me humor se ishte ndarë nga burri i reklamës së parë dhe po e niste jetën nga e para.
-Prince dhe Dave Chappelle:
Prince ishte një nga muzikantët më të famshëm në botë, një ikonë e muzikës pop dhe funk. Dave Chappelle është një komedian i njohur amerikan, i njohur për stilin e tij provokues dhe të guximshëm.
Në një episod të emisionit të tij të famshëm “Chappelle’s Show”, Chappelle e imitoi Princein në një skeç shumë qesharak, ku tregonin një lojë basketbolli mes Prince dhe Chappelle.
Por në vend që të zemërohej, Prince iu kundërpërgjigj me humor të lartë: ai publikoi një këngë të re të quajtur “Breakfast Can Wait” dhe si kopertinë të këngës përdori një foto të vetë Dave Chappelleit të veshur si Prince nga skeçi!
“Çfarë do bëja, ta padis për një foto ku jam i veshur si ai? Ky është shah-mat”, pati thënë Chappelle më vonë duke qeshur.
Videoja e Paltrow ka marrë mbi 64,000 pëlqime në Instagram dhe mbi 500,000 shikime në YouTube, ndërkohë që postimi i mëparshëm i kompanisë për një konferencë në Berlin kishte vetëm 135 pëlqime.
Në platformën LinkedIn, CEO i përkohshëm i kompanisë e përshkroi “Astronomerin” si një firmë të vogël me rreth 300 punonjës në një “cep të vogël të botës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale”.