Dasma tradicionale e Kleofina Pnishit dhe Benjamin Pavardit në Amalfi
Futbollisti francez Benjamin Pavard dhe aktorja me origjinë kosovare Kleofina Pnishi i thanë “po” njëri-tjetrit gjatë dasmës madhështore që u organizua nga 17 deri më 19 korrik 2025, në Amalfi të Italisë.
Çifti, që është bashkë që nga viti 2022, organizoi një ceremoni që pasqyronte historitë dhe personalitetet e tyre: romantike, moderne dhe me shumë stil, ka shkruar revista prestigjioze Vogue e versionit francez.
VIDEO:
Dasma nisi me një ceremoni në Ravello, vijoi me një ceremoni fetare dhe më pas një darkë festive në “Giardini del Fuenti”, një vend luksoz në bregdetin e Amalfit, afër Vietri sul Mare. Njihet për kopshtet me tarraca, restorantin me yll Michelin, klubin e plazhit dhe hapësirat elegante për organizimin e ngjarjeve.
6 fustane në 3 ditë
E apasionuar pas modës, Pnishi nga Gjakova shfrytëzoi këtë moment të veçantë për të shfaqur jo vetëm stilin e saj personal, por edhe rrënjët kosovare.

“Pata fatin të vishja fustane që përfaqësonin anë të ndryshme të personalitetit tim. Nga një fustan minimalist nga brendi ‘Danielle Frankel’ për ceremoninë e parë, një krijim ‘vintage’ të ‘Versaces’, një fustan të mrekullueshëm nga brendi ‘Nicole & Felicia’, deri te një pamje e koordinuar me Benjamin nga ‘Jacquemus’ dhe, në fund, një fustan i punuar tërësisht me dorë nga disenjatorja nga Kosova, Diana Qerimi”, ka thënë ajo për Vogue.
Pnishi ka pranuar se nuk e kishte gjetur fustanin e ëndrrave për ceremoninë fetare deri vetëm tre muaj para dasmës.

“E di që duket e çuditshme, por e dija që duhej ta ndjeja atë momentin e duhur. Dhe ai moment erdhi papritur, si një ndjesi e qartë”, ka thënë ajo.
Stilistja e saj Nicole i tha një fjali që e ndryshoi tërësisht mënyrën se si po e kërkonte fustanin.
“Duhet të ndihesh në fustanin tënd të nusërisë ashtu si të bën të ndihesh i fejuari yt”, i ka thënë stilistja Gjakovares.
Kjo e bëri Pnishin ta shikonte zgjedhjen jo si çështje mode, por si një ndjesi emocionale.
Për ta bërë edhe më personale, në pjesën e brendshme të fustanit qëndisi me pe të kaltër shprehjen latine “Amor vincit omnia” (Dashuria fiton gjithçka), së bashku me datën e dasmës dhe inicialet K + B. “Një detaj i padukshëm për të tjerët, por me shumë domethënie për ne të dy”, ka shtuar ajo.

“Shikimin e tij në atë moment nuk do ta harroj kurrë. Një përzierje e emocioneve dhe surprizës. E pashë të buzëqeshte me lot në sy. Ndonjëherë nuk ke nevojë për fjalë, mjafton një shikim”, ka thënë Pnishi për momentin kur Pavard e pa për herë të parë si nuse.
Kultura kosovare në zemër të dasmës
Aktorja, e lindur në Gjakovë, deshi që dasma të pasqyronte edhe rrënjët e saj. Për mbrëmjet festive ajo zgjodhi fustane të ndritshme nga stilistja Fjolla Haxhismajli, gjithashtu nga Gjakova, ndërsa për darkën finale, ajo veshi një fustan të punuar me dorë nga Diana Qerimi, që përfshinte pjesë punë dore të gjyshes së saj dhe të gjyshes së disenjatores.

“Jam rritur me këto simbole rreth meje, mbi televizor, në tryeza, në çdo qoshe të shtëpisë në Kosovë”, ka treguar ajo, duke e quajtur rezultatin “poetik dhe bohem”.

Dizajni i përbashkët i çdo veshjeje
Çifti kishte bashkërenduar edhe veshjet e tyre.
“Të gjitha veshjet tona ishin të lidhura me njëra-tjetrën në një mënyrë apo tjetër”, ka thënë ajo.
Pas përfundimit të fustaneve të saj, shtëpia e modës “Giorgio Armani” ka krijuar të gjitha veshjet e Pavardit për dasmën.
Të nesërmen, në drekë, të dy u shfaqën me veshje të përputhura nga brendi “Jacquemus”, të dizajnuara enkas për atë ditë të veçantë.