Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Matt Damon në trailerin e ri të filmit të Christopher Nolanit

Matt Damon si Odiseu

Matt Damon si Odiseu

Filmi i ri i shumëpritur “The Odyssey” nga regjisori Christopher Nolan ka publikuar trailerin e parë të plotë, duke rikthyer regjisorin në ekranin e madh pas suksesit të madh me filmin “Oppenheimer”, ka raportuar BBC.

Traileri i filmit “The Odyssey”:

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Filmi është një adaptim i poemës së lashtë greke të Homerit, që rrëfen historinë e Odiseut, mbretit të Itakës, i cili përpiqet të kthehet në shtëpi pas Luftës së Trojës për të shpëtuar familjen e tij.

Në rolin kryesor është aktori i njohur Matt Damon si Odiseu, ndërsa aktorja Anne Hathaway luan Penelopën, bashkëshorten e tij. Aktori Tom Holland shfaqet si djali i tyre, Telemaku, ndërsa aktori Robert Pattinson luan Antinoon, një rival arrogant që synon të marrë fronin dhe Penelopën gjatë mungesës së mbretit.

Filmi sjell edhe personazhe të tjera të njohura nga mitologjia.

Aktorja Charlize Theron si nimfa Kalipso, aktori John Leguizamo si shërbëtori Eumeu dhe aktori Jon Bernthal si Menelau, mbreti i Spartës. Ndërkohë, një nga figurat më të frikshme që shfaqet është Polifemi, ciklopi gjigant dhe biri i Poseidonit.

Traileri ofron pamje spektakolare të udhëtimit të rrezikshëm të Odiseut, nga betejat në tokë e det, deri te përballjet me krijesa mitologjike. Shfaqen edhe rikthime në Luftën e Trojës, ngjarje të trajtuara në veprën tjetër të Homerit, “Iliada”.

Në një moment emocional të trailerit, Odiseu lutet: “Ndihmomëni të kthehem në shtëpi”.

Ndërkohë, Penelopa shprehet me bindje se “Mbreti i Itakës po kthehet”.

Por Antinoo nuk e beson këtë, ndërsa Telemaku mbetet shpresëplotë dhe thotë “Babai im po vjen në shtëpi”.

Në film shfaqet edhe aktorja Zendaya në rolin e perëndeshës Athena, si dhe aktorë të tjerë si Himesh Patel, Mia Goth, Lupita Nyong’o dhe Will Yun Lee.

Një detaj që ka nxitur diskutime është fakti që personazhet flasin me theks amerikan, ani pse historia është e vendosur në Greqinë e lashtë. Sipas raportimeve, kjo është një zgjedhje e qëllimshme që thyen një “rregull të pashkruar” të Hollywoodit, ku zakonisht përdoren thekse britanike në filma historikë.

Në një intervistë për emisionin “The Late Show” me komedianin Stephen Colbert, Nolan ka shpjeguar ndikimin e veprës së Homerit në kulturën moderne.

“Edhe kultura e filmave me superheronj, qoftë Marvel apo DC, vjen drejtpërdrejt nga epet homerike. Homeri është si Marveli i kohës së vet. Njerëzit gjithmonë kanë dashur të besojnë se perënditë mund të ecin mes nesh, dhe sot filmat me superheronj janë një mënyrë moderne për ta shprehur këtë ide”, ka thënë Nolan.

Regjisori ka treguar se e kishte njohur këtë histori që në fëmijëri.

“E kam hasur për herë të parë kur isha katër apo pesë vjeç, në një shfaqje shkollore. Është një histori që të gjithë e njohim disi, por unë jam përpjekur ta sjell në një mënyrë që publiku ta përjetojë si diçka të re”, ka thënë ai.

Filmi është realizuar tërësisht me kamera “IMAX” dhe ka një buxhet rreth 250 milionë dollarë, duke u bërë projekti më i shtrenjtë i Nolanit deri më sot.

Premiera e filmit “The Odyssey” do të jepet më 17 korrik, në të njëjtën ditë me filmin “Spider-Man: Brand New Day”, që konsiderohet një garë e madhe në arkëtime që pritet të tërheqë vëmendjen globale.