Regjisori legjendar, Martin Scorsese, është përballur me kritika nga artistë të industrisë së filmit pasi zbuloi se ka investuar në një kompani të inteligjencës artificiale (AI) dhe po e përdor këtë teknologji për të krijuar ilustrimet e skenarëve që quhen “storyboard” për projektet e tij.
Sipas The New York Times, Scorsese u emërua në vitin 2025 partner dhe këshilltar i kompanisë gjermane “Black Forest Labs”, e specializuar në AI që krijon imazhe nga përshkrimet me tekst.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDuke mbrojtur vendimin e tij, Scorsese ka thënë se është i interesuar për mënyrën se si teknologjia mund të ndikojë në tregimin e historive.
“Jam i interesuar për pikëtakimin mes teknologjisë dhe rrëfimit të historive, si dhe për mënyrën se si kjo mund të shtyjë kufijtë e krijimtarisë për të ofruar përvoja më të thella dhe më të pasura për audiencën. Kinemaja është një medium i ri, vetëm rreth 125 vjet i vjetër, prandaj duhet të jemi të hapur ndaj mënyrës se si mund të evoluojë”, ka thënë ai.
Regjisori ka shtuar se për dekada me radhë ka krijuar vetë “storyboardet” e tij, por shpesh ka hasur vështirësi në shpjegimin e vizionit të tij për ekipin.
“Për 70 vjet kam krijuar ‘storyboardet’ e mia. Gjithmonë ka ekzistuar problemi se si t’ua komunikosh aktorëve dhe ekipit atë që sheh në mendjen tënde. Ka gjëra që duhet t’i shohësh dhe t’i ndjesh. Tani, me këtë mjet, mund ta ndaj më qartë dhe më shpejt me ekipin tim krijues atë që po imagjinoj”, ka thënë Scorsese.
Megjithatë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të ashpra nga artistët e ‘storyboardeve’ dhe ilustruesit konceptualë.
Karla Ortiz, artiste konceptuale që ka punuar në filma të Marvelit si “Black Panther”, “Avengers: Endgame” dhe “Avengers: Infinity War”, shkroi në rrjetet sociale se Scorcrze me këtë veprim po hedhë poshtë punën e artistëve që bëjnë këtë punë.
“Ai po i hedh poshtë të gjithë artistët e ‘storyboardeve’ me të cilët ka punuar ndonjëherë. Të përdorësh reputacionin dhe ndikimin tënd për këtë gjë është vërtet e neveritshme”, ka shkruar Ortiz.
Edhe Samuel Deats, regjisori i serialit të animuar “Castlevania”, ka kritikuar ashpër përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Nuk ka absolutisht asnjë arsye për të përdorur inteligjencën artificiale, e cila është ndërtuar mbi punën e marrë nga miliona artistë, për të krijuar ‘storyboarde’. Duhet të kesh pak respekt dhe vlerësim për kolegët e tu”, ka thënë ai.
Scorsese i bashkohet kështu një numri gjithnjë e më të madh figurash të njohura të industrisë së filmit që po mbështesin ose përdorin inteligjencën artificiale.
Regjisori Steven Soderbergh ka përdorur sekuenca të krijuara me AI në dokumentarin e tij të fundit “John Lennon: The Last Interview”, ndërsa regjisori i “Jurassic World Rebirth”, Gareth Edwards, e ka përshkruar AI-në si “një gjeni të jashtëzakonshëm që të ndihmon”.
Ndërkohë, bashkëthemeluesja e Festivalit Tribeca, Jane Rosenthal, ka mbrojtur vendimin për të shfaqur filmin “Dreams of Violets”, i krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale dhe i fokusuar te protestuesit në Iran.
Megjithatë, nuk ka asnjë tregues se Scorsese planifikon të përdorë imazhe të krijuara nga AI drejtpërdrejt në filmat e tij.
Ai ka theksuar se teknologjia po përdoret vetëm gjatë fazës së parapërgatitjes.
“Së fundmi e provova këtë në një skenë dhe aftësia për ta vizualizuar dhe për ta ndarë menjëherë ‘storyboardin’ ishte çliruese nga ana krijuese. Gjatë paraprodhimit, koha kushton para dhe kjo na lejoi të lëviznim më shpejt pa sakrifikuar cilësinë apo mjeshtërinë artistike”, ka thënë Scorsese.