Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ilaçet për humbje peshe mund të ulin rrezikun nga kanceri i gjirit deri në 30 për qind

Ilaçet për humbje peshe

Ilaçet për humbje peshe

Foto: Associated Press

Ilaçet për humbje peshe mund të ndihmojnë jo vetëm në trajtimin e obezitetit, por edhe në uljen e rrezikut për zhvillimin dhe përparimin e disa llojeve të kancerit, sugjerojnë studime të reja të prezantuara në konferencën më të madhe botërore të onkologjisë, të organizuar nga Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike (ASCO) në Chicago, ka raportuar The Guardian.

Tri studime të veçanta tregojnë se medikamentet e njohura si GLP-1 mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe trajtimin e kancerit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një nga studimet ka zbuluar se gratë që përdornin këto barna kishin 30 për qind më pak gjasa të zhvillonin kancer të gjirit, forma më e zakonshme e kancerit te gratë në mbarë botën.

Një studim i dytë ka treguar se shtimi i barnave për humbje peshe në trajtimin standard të kancerit të gjirit lidhej me 30 për qind ulje të rrezikut të vdekjes nga kjo sëmundje.

Ndërkohë, një studim i tretë ka zbuluar se pacientët me kancer të gjirit, mushkërive, zorrës së trashë ose mëlçisë që përdornin barna GLP-1 kishin 38 deri në 50 për qind më pak gjasa që sëmundja të përhapej në fazën e katërt.

Barnat GLP-1 imitojnë një hormon natyral të organizmit të quajtur glukagon-like peptide-1, i cili ndihmon në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak dhe të oreksit. Fillimisht ato u zhvilluan për trajtimin e diabetit të tipit 2, por tashmë përdoren gjerësisht edhe për humbjen e peshës.

Studimi i parë ka përfshirë mbi 110 mijë gra të moshës 45 deri në 80 vjeç. Rezultatet treguan se ato që përdornin barna GLP-1 kishin dukshëm më pak gjasa të diagnostikoheshin me kancer të gjirit krahasuar me gratë që nuk i përdornin.

Doktoresha Elizabeth McDonald, profesoreshë e radiologjisë në Universitetin e Pensilvanisë dhe radiologe e specializuar për kancerin e gjirit në Abramson Cancer Center, ka thënë se rezultatet janë premtuese, ani pse ende nuk provojnë një lidhje të drejtpërdrejtë.

“Ani pse studimi ynë është vëzhgues dhe nuk konfirmon përfundimisht një lidhje mes barnave GLP-1 dhe uljes së rasteve të kancerit të gjirit, ai u shtohet provave gjithnjë në rritje se këto barna meritojnë të studiohen si mjete të mundshme për parandalimin e kancerit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, këto medikamente janë interesante sidomos për shkakun që nuk janë krijuar për trajtimin e kancerit, por ndikojnë në shumë mekanizma biologjikë që lidhen me zhvillimin e tij.

“Barnat GLP-1 janë interesante nga këndvështrimi i kërkimeve mbi kancerin, sepse nuk janë projektuar për trajtimin e tij, por ndikojnë në shumë procese që lidhen me zhvillimin e kancerit. Prandaj jemi të etur t’i studiojmë më tej në këtë kontekst”, ka thënë McDonald.

Sipas ekspertëve humbja e peshës është prej kohësh një nga mënyrat e rekomanduara për të ulur rrezikun e kancerit të gjirit. Mbipesha dhe obeziteti, sidomos pas menopauzës, konsiderohen faktorë të njohur rreziku.

Përveç kësaj, studiuesit besojnë se inflamacioni kronik i shkallës së ulët mund të luajë rol në zhvillimin e kancerit. Barnat GLP-1 ndihmojnë në uljen e inflamacionit në organizëm dhe mund të ndikojnë në procese të tjera që pengojnë rritjen e tumoreve.

“Qëllimi ynë përfundimtar është të gjejmë mënyra më të mira për të parandaluar kancerin e gjirit. Kemi parë përmirësime të mëdha në mbijetesën e pacienteve gjatë dekadave të fundit dhe do të donim të shihnim të njëjtin progres edhe në parandalim”, ka thënë McDonald.

Studimi i dytë ka përfshirë rreth 27 mijë paciente me kancer të gjirit dhe u udhëhoq nga Instituti Romagnolo për Studimin e Tumoreve në Itali. Studiuesit zbuluan se përdorimi i barnave për humbje peshe së bashku me trajtimin standard lidhej me një ulje prej 30 për qind të rrezikut të vdekjes.

Ndërsa studimi i tretë, i realizuar nga Cleveland Clinic dhe që përfshiu mbi 12 mijë pacientë me kancer, ka treguar se përdoruesit e barnave GLP-1 kishin dukshëm më pak gjasa që sëmundja të përparonte në fazën e katërt.

Doktori Marcin Chwistek nga Fox Chase Cancer Center ka thënë se këto barna nuk kanë qenë kurrë vetëm medikamente për uljen e nivelit të sheqerit në gjak.

“Agonistët e receptorit GLP-1 nuk kanë qenë kurrë vetëm barna për kontrollin e glukozës. Vetitë e tyre kundër inflamacionit dhe ndikimi në sistemin imunitar prej kohësh kanë sugjeruar se mund të kenë efekte shumë më të gjera”, ka thënë ai.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ende nuk dihet me siguri nëse përfitimet kundër kancerit vijnë vetëm nga humbja e peshës apo nga mekanizma të tjerë biologjikë.

Doktoresha Eleonora Teplinsky, drejtuese e onkologjisë së gjirit dhe asaj gjinekologjike në Valley Health System në New Jersey, ka thënë se nevojiten studime të mëtejshme.

“Mendoj se tashmë kemi mjaftueshëm të dhëna për të treguar se ekziston një ndikim në rrezikun e kancerit ose në rrezikun e rikthimit të tij, por ende nuk e kemi përcaktuar saktësisht se si ndodh kjo. Duhet të kryejmë më shumë studime dhe të shohim rezultatet afatgjata”, ka thënë ajo.

Teplinsky ka shtuar se disa paciente që përdorin këto barna raportojnë se ndihen më mirë gjatë trajtimit.

“Ka sinjale se ato mund të ndihmojnë edhe në menaxhimin e efekteve anësore. Pacientet e mia që përdorin barna GLP-1 shpesh ndihen më mirë dhe përballojnë më lehtë efektet anësore të terapive hormonale. Interesimi për këtë fushë po rritet me shpejtësi dhe aktualisht është një nga temat më të nxehta në onkologji”, ka thënë ajo.