Aktorja, Kristin Davis, ka thënë se shpreson se universi i “Sex and the City” nuk ka marrë fund, pavarësisht përfundimit të serialit “And Just Like That” vitin e kaluar.
Ylli 60-vjeçar ka pranuar se po e bind veten që vazhdimi i serialit, që u transmetua në HBO, i cili u mbyll në korrik 2025 pas tri sezonesh, nuk është fundi përfundimtar i kësaj franshize të famshme.
Ajo ka treguar se do të kishte dashur shumë edhe një sezon tjetër.
“Kjo nuk bazohet në asgjë reale. Në mendjen time, ne do të bëjmë diçka tjetër. Nuk mendoj se do të jetë një sezon i plotë, por besoj se do të ketë diçka tjetër”, ka thënë Davis në podcastin “Are You A Charlotte?”, ka raportuar The HOllywood Reporter
Ajo ka shtuar se e ardhmja e projektit mbetet e paqartë edhe për shkak të çështjeve të të drejtave autoriale.
“Por, natyrisht, askush nuk e di saktësisht se kush i zotëron të drejtat për momentin, kështu që edhe kjo duhet zgjidhur”, ka thënë ajo.
Aktorja që në serial ka luajtur rolin e Charlotte York po ashtu ka thënë se krijuesi i serialit, Michael Patrick King, nuk i ka dhënë asnjë sinjal për një vazhdim të mundshëm.

Edhe aktorja Sarah Jessica Parker, e cila luajti rolin e Carrie Bradshaw në serialin origjinal dhe në vazhdimin e tij, ka thënë se do të ishte e gatshme të rikthehej në këtë rol në të ardhmen, por se gjithçka varet nga krijuesi i serialit.
“Dëgjoj ide shumë origjinale, të bukura dhe me qëllim të mirë, shpesh edhe shumë të zgjuara, por e vetmja gjë që ka vërtet rëndësi është ajo që e entuziazmon Michael Patrick King”, pati thënë Parker në një intervistë për Variety.
Megjithatë, ajo ka theksuar se aktualisht King nuk po mendon për një projekt të ri të “Sex and the City”.
“Tani për tani, ai thjesht nuk po mendon për këtë”, ka thënë ajo.
Në muajin tetor të vitit 2025, Parker kishte sugjeruar se largimi nga roli mund të jetë vetëm i përkohshëm.