Showbiz

Kënga klasike festive që ia kaloi asaj të Mariah Careyt

Mariah Carey vs. Wham!

Mariah Carey vs. Wham!

Një këngë klasike festive ka arritur majën globale këtë sezon festash, duke rrëzuar për herë të parë nga vendi i parë këngën ikonike të këngëtares, Mariah Carey, “All I Want for Christmas Is You”.

Billboard ka njoftuar se “Last Christmas” nga grupi muzikor Wham! ka arritur vendin e parë në top listën Global 200. Kjo shënon herën e parë që një këngë tjetër festive, përveç asaj të Careyt, kryeson këtë renditje që nga krijimi i top listës në muajin shtator të vitit 2020, ka raportuar People.

Kënga “Last Christmas” nga grupi muzikor Wham!:

Sipas Billboard, “All I Want for Christmas Is You”, e publikuar në vitin 1994, ka qenë në krye të Global 200 për gjithsej 19 javë që nga dhjetori i vitit 2020, duke mbajtur rekord unik për këngët e Krishtlindjes.

Kënga “All I Want for Christmas Is You” nga Mariah Carey:

Ndërkohë, më herët këtë muaj, “Last Christmas” arriti kulmin më të lartë ndonjëherë në SHBA, duke u renditur në vendin e dytë si në top listën Billboard Hot 100 ashtu edhe në Holiday 100, menjëherë pas këngës së Careyt, e cila vazhdon të mbetet numër një në këto lista amerikane.

Andrew Ridgeley, anëtar i grupit Wham!, u shpreh i emocionuar për këtë arritje.

“Jam shumë i lumtur të mësoj se kënga e përhershme e Krishtlindjes nga Wham!, ‘Last Christmas’, ka siguruar këtë javë vendin e dytë në Billboard”, ka thënë ai.

Këngëtari ka shtuar se që nga publikimi i saj më shumë se 40 vjet më parë, “Last Christmas” është kthyer në një nga këngët më të dashura të Krishtlindjes në mbarë botën, e pëlqyer nga të gjitha brezat.

“Kjo është dëshmi e jashtëzakonshme e vendit të veçantë që kjo këngë zë në zemrat e njerëzve dhe diçka për të cilën kompozitori i saj, George Michael, do të ishte jashtëzakonisht krenar”, ka thënë ai.

Ridgeley, 62 vjeç, e mbylli mesazhin duke falënderuar të gjithë ata që e kanë përqafuar këtë këngë “si një copëz të vogël të Krishtlindjes së tyre”

Edhe përfaqësuesit e trashëgimisë së George Michael kanë reaguan për suksesin.

“Jemi shumë të kënaqur që ‘Last Christmas’, kënga ikonike e Wham!, ka arritur nivelin më të lartë ndonjëherë në vendin e dytë të Billboard Hot 100. Kjo është dëshmi e një kënge brilante dhe një incizimi të përjetshëm që mishëron frymën e Krishtlindjes dhe vazhdon të prekë publikun, duke tërhequr edhe dëgjues të rinj në mbarë botën, më shumë se katër dekada pas publikimit të saj. Faleminderit të gjithëve që e mbajnë këtë këngë në zemër të festës së Krishtlindjes”, thuhet në deklaratën e tyre.

George Michael ka vdekur në ditën e Krishtlindjes në vitin 2016, në moshën 53-vjeçare.

“Last Christmas” u publikua në muajin dhjetor të vitit 1984 dhe prej atëherë është kthyer në një hit të përvitshëm gjatë festave.

Në Shtetet e Bashkuara, kënga është certifikuar nëntë herë me statusin platinum, duke konfirmuar popullaritetin e saj të jashtëzakonshëm.