Platfroma transmetuese “Netflix” dhe kompania “AEG Presents” kanë njoftuar se do të sjellin një turne botëror me koncerte live për fansat e filmit të animuar “KPop Demon Hunters”.
Lajmi u bë publik gjatë prezantimit “Upfronts 2026” të “Netflixit”. Fansat e filmit të animuar, që është fitues i çmimeve “Oscar”, së shpejti do të kenë mundësinë ta përjetojnë në jetën reale energjinë dhe atmosferën e filmit përmes një turneu global, ka shkruar Deadline.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor sipas The Hollywood Reporter, detajet për turneun janë ende të pakta në këtë fazë.” Netflixi” nuk ka bërë të ditur nëse ky turne do të përfshijë ndonjë nga talentet muzikore të filmit, qoftë për anëtaret e grupit muzikor “Huntrix”, për të cilat bëhet fjalë në film, aktoret EJAE, Audrey Nuna dhe Rei Ami, apo për grupin tjetër muzikor të filmit, “Saja Boys”.
EJAE, Audrey Nuna dhe Rei Ami kanë kaluar pjesën më të madhe të vitit të fundit duke promovuar filmin në emisione televizive, në New Year’s Rockin’ Eve dhe madje edhe në skenën e “Oscars”.
Sipas “Netflixit”, përvoja live do të sjellë në skenë elemente të filmit në mënyra spektakolare. Ndërkohë, është hapur edhe një listë pritjeje për fansat që duan të mësojnë më shumë rreth biletave dhe qyteteve ku do të ndalet turneu.
Fansat mund të regjistrohen në faqen zyrtare për të marrë informacione të reja, ndërsa qytetet, datat dhe detajet për shitjen e biletave pritet të publikohen më vonë gjatë këtij viti.
“KPop Demon Hunters” u bë filmi më i shikuar ndonjëherë në historinë e “Netflixit”.
Filmi i animuar, i prodhuar nga “Sony Pictures Animation”, ka shtuar edhe rreth 25.4 milionë shikime nga 18 deri më 24 gusht të vitit të kaluar. Filmi u publikua më 20 qershor 2025.
“Netflixi” ka bërë të ditur gjithashtu se filmi ishte titulli më i ndjekur në historinë e platformës gjatë një periudhe gjashtëmujore. Vetëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, filmi ka grumbulluar 482 milionë shikime.
Filmi i animuar ka shkruar histori edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”, duke fituar dy çmime prestigjioze: një për “Këngën më të Mirë Origjinale” dhe një tjetër për “Filmin më të Mirë të Animuar”.
Më herët këtë vit, “Netflixi” ka konfirmuar se vazhdimi i filmit tashmë është në përgatitje.
Regjisorët Maggie Kang dhe Chris Appelhans do të rikthehen për projektin e ri, ndërsa produksioni do të realizohet sërish nga “Sony Pictures Animation”.
“Me KPop Demon Hunters, Maggie dhe Chris jo vetëm që arritën të prekin audiencën, por krijuan një fandom global që kapërceu gjuhët, brezat dhe zhanret”, ka deklaruar Bela Bajaria, shefe e përmbajtjes në “Netflix”.
Ajo ka shtuar se është krenare që po thellohet bashkëpunimi me regjisorët dhe gjigandin “Sony”.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë që po e thellojmë bashkëpunimin me ta dhe, së bashku me partnerët tanë në ‘Sony Pictures Animation’, po e zgjerojmë këtë univers në mënyra që do të befasojnë dhe kënaqin fansat në mbarë botën”, ka thënë Bajaria.