Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria në finalen e “Eurovisionit” me “Nân” si rrëfim prekës e universal

alis

Paraqitja skenike e Shqipërisë ka qenë minimaliste, por me ngarkesë të fortë emocionale. Ndriçimi i errët, tonet e ngrohta dhe përdorimi i efekteve vizuale e kanë shoqëruar Alisin në një interpretim që është fokusuar te autenticiteti artistik (Foto: Associated Press)

Balada e fuqishme intime “Nân” e kënduar nga Alis, është kontrast me shumicën e 35 këngëve që përfaqësojnë shtetet e garës evropiane të këngës, “Eurovision”, i cili viteve të fundit shquhet për ritëm e spektakël. Këto e kanë lënë në fund të basteve. Por nata e dytë gjysmëfinale, e ka dëshmuar të kundërtën. Shqipëria të enjten mbrëma në Vjenë ka marrë biletë për finalen e madhe në njërin prej edicioneve më të polarizuara të kësaj ngjarjeje që sivjet shënon edicionin e 70-të. Kënga shqiptare është cilësuar si një rrëfim prekës e universal që shpalos një histori dhimbjeje të vendit pas rënies së komunizmit

Ritmi, spektakli dhe emocionet e Garës Evropiane të Këngës pushtuan skenën e madhe të “Wiener Stadthalle” në Vjenë, të enjten mbrëma. Shqipëria ka hyrë në garën e finales së “Eurovisionit” me një nga paraqitjet më emocionale të këtij edicioni. Përfaqësuesi Alis ka interpretuar i 13-ti me radhë këngën “Nân”, baladën intime, prekëse dhe të fuqishme që i kushtohet figurës së nënës dhe lidhjes së pazëvendësueshme familjare.

Finalistët nga gjysmëfinalja e parë dhe vendet e parakualifikuara tashmë dihen. Pos Shqipërisë edhe në gjysmëfinalen e dytë, biletë kanë siguruar edhe Bullgaria, Ukraina, Norvegjia, Australia, Rumania, Malta, Qipro, Danimarka dhe Çekia, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Austrinë dhe Gjermaninë që janë kualifikuar automatikisht.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nën moderimin e Victoria Swarovski dhe Michael Ostrowski, 15 shtete kanë konkurruar të enjten në gjysmëfinalen e dytë për dhjetë vendet e fundit në finalen e madhe të së shtunës.

Në mesin e kësaj gare të fortë, Shqipëria ka sjellë performancën që mbështetet më shumë te ndjenja sesa te spektakli vizual. “Nân” është ndërtuar si një rrëfim emocional, ku Alis Kallaçi ka sjellë interpretim të ndjerë, të përmbajtur dhe dramatik, duke e vendosur zërin dhe tekstin në qendër të performancës. Nostalgjia për të kaluarën, vetmia, pritja e nënës janë ndër elementet e “Nân”, kompozuar prej 23-vjeçarit Alis i cili ka shkruar edhe tekstin bashkë me Desara Gjinin.  

Kënga ndërthur motive moderne pop me elemente ballkanike, ndërsa tematika e saj universale – dashuria dhe mungesa – prek përtej kufijve gjuhësorë.

Paraqitja skenike e Shqipërisë ka qenë minimaliste, por me ngarkesë të fortë emocionale. Ndriçimi i errët, tonet e ngrohta dhe përdorimi i efekteve vizuale e kanë shoqëruar Alisin në një interpretim që është fokusuar te autenticiteti artistik. Në pjesën e fundit të interpretimit të tij është shfaqur aktorja Rajmonda Bulku e veshur me elemente tradicionale duke portretizuar kështu gruan shqiptare. Me pak koreografi ka përmbledhur në një kujdesin e përkushtimin e një nëne për fëmijët e saj. Një orë xhepi bëhet simbol i kohës që ik.

Përfaqësuesi Alis ka interpretuar i 13-ti me radhë me këngën “Nân”, baladën intime, prekëse dhe të fuqishme që i kushtohet figurës së nënës dhe lidhjes së pazëvendësueshme familjare (Foto: Associated Press)

BBC-ja ka shkruar se historia e këngës së Alis është e njohur me migrimin pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

“Ka një histori personale prapa hyrjes së Shqipërisë, ‘Nân’. Kënduar nga Alis, ai tregon historinë e një nëne që qëndron në pragun e derës, duke pritur që fëmija i saj të kthehet në shtëpi nga një vend tjetër. Është një histori e njohur në vendin e tij ku, që nga rënia e komunizmit në vitin 1991, rreth 40 për qind e popullsisë ka emigruar për të gjetur një jetë më të mirë”, shkruhet nga mediumi për këngën e Shqipërisë e cila për plotkuptimësinë e saj u dëshmua me kualifikim në finale. Bastet s’e kanë çuar në finale por në “Eurovision” është dëshmuar e kundërta.

Rendi i performimeve është vendosur nga transmetuesi austriak “ORF” pas shortit të ndarjes, ndërsa Shqipëria ka performuar në pjesën përmbyllëse të mbrëmjes, pozicion që konsiderohet i favorshëm për të mbetur në kujtesën e votuesve.

Mbrëmja u hap me rikujtimin e gjysmëfinales së parë të së martës. Dhjetë finalistët e parë janë Izraeli, Greqia, Finlanda, Belgjika, Suedia, Moldavia, Serbia, Kroacia, Lituania dhe Polonia.

Më pas programi vazhdoi me një pjesë komedi ku dy prezantuesit realizuan një parodi të këngës fituese të vitit të kaluar, “Wasted Love” nga JJ i Austrisë. Më pas, vëmendja u zhvendos në arenën e “Wiener Stadthalle”, qendra kryesore e ngjarjeve në Austri.

E projektuar nga arkitekti i njohur Roland Rainer dhe e hapur në vitin 1958, kjo arenë pret rregullisht yje botërore të muzikës, shfaqje skenike, panaire dhe ngjarje të mëdha sportive. Ka kapacitet për më shumë se 16 mijë spektatorë.

Në gjysmëfinalen e dytë, pos Shqipërisë interpretuan përfaqësuesit e Armenisë, Azerbajxhanit, Bullgarisë, Çekisë, Luksemburgut, Rumanisë, Zvicrës, Australisë, Qipros, Danimarkës, Letonisë, Maltës, Norvegjisë dhe Ukrainës.

Një pjesë e rëndësishme e identitetit vizual të Festivalit, tradicionale janë  edhe “kartolinat” prezantuese për secilin artist. “Eurovision” sivjet ka zgjedhur të kombinojë peizazhet reale të Austrisë me skena imagjinare të krijuara në studio. Përfaqësuesi i Shqipërisë ka promovuar peizazhet e maleve austriake.

Pas interpretimit të 15 këngëve, u hap televotimi. Në gjysmëfinalen e dytë votuan të gjitha shtetet pjesëmarrëse të natës së dytë, si dhe tri vende të kualifikuara automatikisht: Franca, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar.

Festivali sivjet ka vënë theks të veçantë te historia e komunitetit queer në festival, duke rikujtuar disa nga artistët e paharrueshëm në historinë e garës që i takojnë këtij komuniteti. Spektakli për nga ana artistike ka përfshirë edhe një pjesë të viteve ‘80 me këngën “I’m So Excited” nga “The Pointer Sisters”, si dhe një vals tradicional vjenez nën tingujt e “Merci, Chérie”, këngë me të cilën Austria fitoi “Eurovisionin” në vitin 1966.

Fituesi i vitit të kaluar, JJ, u rikthye në skenë edhe me këngën e tij të re “Unknown”, pak para nisjes së votimit. Me këtë rast për publikun janë promovuar format tradicionale të të dëgjuarit të këngës si CD e vinyl. 

Finalja e së shtunës do të mbledhë 25 finalistë. Austria si nikoqire kualifikohet automatikisht, së bashku me Italinë, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sivjet, formati tradicional i “Pesëshes së Madhe” është reduktuar, pasi Spanja u tërhoq nga gara në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit. Ky nuk është bojkoti i vetëm për sivjet ndaj Festivalit. Si pasojë e debatit publik ndaj pjesëmarrjes së Izraelit lidhur me ofensivën ushtarake izraelite në Gazë pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, edhe Holanda, Irlanda, Islanda e Sllovenia kanë vendosur të mos marrin pjesë. Disa prej këtyre transmetuesve shtetërorë paraprakisht kanë bërë me dije se transmetimin e “Eurovision” do ta zëvendësojnë me filma palestinezë.

Transmetuesi slloven RTV ka bërë me dije se “në vend të cirkut të ‘Eurovisionit’, programi televiziv kombëtar do të ngjyroset nga seriali tematik ‘Zërat e Palestinës’”. RTE e Irlandës e RTVE e Spanjës të enjten kanë transmetuar programet e tyre, ndërsa transmetuesit publikë në Holandë dhe Islandë e kanë transmetuar Garën, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk merr pjesë.

Për Shqipërinë, “Nân” nuk hyn në skenë vetëm si një këngë gare, por edhe si rrëfim personal që synon të krijojë lidhje me miliona shikues në Evropë. Pikërisht në një festival ku shpesh triumfon emocioni i sinqertë, Alis kërkon ta çojë Shqipërinë drejt një rezultati të denjë përmes performancës që flet më shumë me zemër sesa me efektet e skenës.

Mbetet të shihet të shtunën nëse përfaqësuesi i sivjetmë do të thyejë rekordin e deritanishëm të Shqipërisë në “Eurovision” – vendin e pestë të vendosur nga Rona Nishliu me “Suus” më 2012. Vitin e kaluar Shqipërinë e çoi në finale “Shkodra Elektronike” me “Zjarr” e cila në finale u rendit në vendin e tetë.