Pas katër ditësh dëshmie nga këngëtarja Cassie Ventura, ish-e dashura e reperit Sean Diddy Combs, i cili po gjykohet për trafikim seksual, këtë javë prokurorët thirrën dëshmitarë të tjerë që e njohin nga afër. Ata po përpiqen të provojnë akuza për trafikim seksual dhe krim të organizuar, ka raportuar ABC News.
Dawn Richard, ish-anëtare e grupit Danity Kane, ka dëshmuar se pa me sytë e saj P.Diddyn duke e goditur Venturan me grusht në fytyrë në vitin 2009. Ajo ka thënë se P.Diddy, e kishte goditur Venturan edhe në një darkë me të famshëm si Usher dhe Jimmy Iovine. Mbrojtja e akuzoi Richardin se po vepron nga hakmarrja pasi Combs ia kishte shkatërruar karrierën muzikore.
“Po”, ka pranuar ajo.
Kerry Morgan, ish-shoqja më e ngushtë e Venturas, ka rrëfyer se Combs e kishte tërhequr atë zvarrë nga flokët gjatë një udhëtimi në Jamaica dhe se ishte dëshmitare e disa episodeve të tjera dhune. Ajo pranoi se kishte marrë 30 mijë dollarë nga Combs në këmbim të heshtjes pas një incidenti ku ai e goditi edhe atë.
David James, ish-asistent i Combs, e përshkroi ambientin rreth tij si një “mbretëri” ku të gjithë i shërbenin. Ai dëshmoi se Ventura i kishte thënë se “nuk mund të dal dot. Ai kontrollon gjithçka, karrierën e paratë”.
Ai pritet të vazhdojë dëshminë për mënyrën si përgatiteshin dhomat e hotelit për aktivitetet e Combsit.
Prokurorët prezantuan edhe fotografi të dëmtimeve të Venturas dhe prova të tjera, përfshirë drogë, para të gatshme dhe mjete që sipas tyre përdoreshin në “festa seksuale” të ashtuquajtura “Freak Offs”.
Të martën, sot, pritet të dëshmojnë nëna e Venturas dhe një eskortë me nofkën “The Punisher”.