Doktori, nga Kalifornia, Salvador Plasencia, i cili e furnizoi dhe e injektoi aktorin e ndjerë, Matthew Perry me substancën e njohur si ketaminë, është dënuar më 30 muaj burgim.
Plasencia është i pari nga të akuzuarit që është dënuar në rastin e vdekjes së yllit të serialit “Friends”, ka raportuar BBC.
Ai është njëri nga pesë të akuzuarit në investigimin federal shumëpalësh që ekzaminoi sesi arriti Perry të merrte drogën nga një rrjet kriminelësh në nëntokën e Hollywoodit.
Perry, ishte 54 vjeç kur u gjet i vdekur ne vaskë në apartamentin e tij në Los Angeles në vitin 2023, pas disa vitesh që vuante nga depresioni dhe varësia ndaj drogës.
Familja e aktorit ka kërkuar nga gjykata që doktori të marrë dënimin më të gjatë, pasi ata Plsencian e kanë konsideruar fajtorin kryesor në mesin e të përfshirëve në vdekjen e djalin të tyre.
Para se gjykata të shpallte dënimin për doktorin, prindërit e Perryt bashkë me bashkëshortët e tyre, përkatësisht njerkët e tij, i dërguan një letër të detajuar gjykatës rreth vështirësive që kanë për ta kuptuar se pse ky doktor vazhdimisht e furnizonte djalin e tyre me drogë.
Nëna e Perryt, Suzanne Morrison, ishte një nga anëtarët e familjes që ka folur në gjyq para se të dënohej Plasencia. Ajo ka vënë në pah mesazhet e doktorit, ku ai e kishte quajtur Perryn “budalla” e hamendësonte se sa shumë do të jetë në gjendje të paguajë për drogën.
Ajo ishte shumë e emocionuar, kur ju drejtua drejtpërdrejtë Plasencias.
“Nuk ka pasur asgjë prej budallai në atë njeri”, ka thënë nëna e Perryt, duke shtuar se doktori është betuar për t’i mbrojtur njerëzit e do të duhej ta mbronte djalin e saj.
Plasencia gjithashtu ka folur në gjykatë duke ju drejtuar familjes së Perryt, duke shprehur keqardhje e pendim ndërkohë që nëna e tij qante në ulëse prapa tij. Ai ka thënë se ka një djalë dyvjeçar.
“Dua ta rris si duhet. Dua gjithashtu të mendoj se si do të ia shpjegoj këtë”, ka thënë doktori.
Ai gjithashtu i ka kërkuar falje familjes se Perryt.
“Kam dështuar. S’ka asnjë arsyetim. Nuk mund ta zhbëj atë që është bërë. E di këtë. Do të duhej ta mbroja atë, ashtu siç tha nëna e tij. Thjesht më vjen shumë keq”, ka thënë ai.
Përveç dënimit që ka marrë, gjykatësja Sherilyn Peace Garnet, e ka urdhëruar doktorin të paguajë një shumë prej 5.600 dollarësh amerikan.
Ai menjëherë është dërguar në burg pas shqiptimit të dënimit.
Plasencia, gjatë verës, është deklaruar fajtor për katër akuza për shpërndarje të ketaminës. Për këto akuza dënimi është 40 vjet burgim, ndërkohë që prokuroria pati kërkuar dënim me tri vjet burgim.
Katër persona të tjerë të akuzuar në rastin e Perryt, përfshirë edhe një doktor, asistentin e aktorit dhe dy persona që e furnizuan me doza të ketaminës që e mbyti atë, gjithashtu janë deklaruar fajtor dhe pritet të dënohen në muajt e ardhshëm.