Një burrë është dënuar me dy vjet burg pasi pranoi fajësinë për vjedhjen e hard-disqeve që përmbanin muzikë të papublikuar të yllit të mirënjohur, Beyoncé, plane të turneut dhe materiale të tjera të rëndësishme të artistes, ka raportuar The Guardian.
Kelvin Evans u arrestua nga policia e Atlantës në muajin shtator të vitit 2025, lidhur me një grabitje të ndodhur në korrik të atij viti, kur nga një veturë me qira u vodhën dy valixhe që përmbanin materiale ekskluzive të këngëtares.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë gjykatën e Atlantës, Evans ka pranuar një dënim prej pesë vjetësh, nga të cilat do të vuajë dy vjet në burg dhe tri të tjera i lirë me ksuht. Më herët ai ishte deklaruar i pafajshëm dhe, sipas raportimeve të Rolling Stone, kishte refuzuar një marrëveshje në muajin prill. Si pjesë e lirimit me kusht, Evans është urdhëruar të mos afrohet në zonën ku ndodhi vjedhja dhe të mos ketë kontakt me viktimat.
Sipas raportit policor të muajit korrik, koreografi i Beyoncés, Christopher Grant, dhe valltari Diandre Blue telefonuan policinë për të raportuar një vjedhje nga vetura e tyre me qira, një Jeep Wagoneer i vitit 2024, pak para koncerteve të turneut “Cowboy Carter” në Atlanta.
Në aktakuzën e tetorit thuhej se Evans kishte hyrë në veturë më 8 korrik “me qëllim për të kryer vjedhje”.
Hard-disqet e vjedhura përmbanin “muzikë me watermark, disa këngë të papublikuara, plane filmike për shfaqje dhe listat e këngëve të kaluara dhe të ardhshme”, sipas raportit të policisë. Po ashtu ishin vjedhur rroba, syze të kushtueshme disenjatorësh, laptopë dhe kufje AirPods.
Policia lokale kishte përdorur sinjalin e një laptopi dhe të kufjeve AirPods për të tentuar të gjente sendet e vjedhura.
“Kam ndaluar një të dyshimtë në atë zonë, bazuar në informacionet që mora. Kishte disa vetura në atë zonë ku sinjali i AirPods po shfaqej. Pas hetimeve të mëtejshme, një veturë e argjendtë po lëvizte në të njëjtën kohë me sinjalin e AirPods”, ka shkruar në raport një nga policët.
Evans u arrestua disa javë pasi u raportua rasti dhe emri i tij u bë publik në muajin shtator. Një muaj më vonë ai u lirua me një garanci prej 20 mijë dollarësh.
Në kohën e arrestimit, policia e Atlantës ka deklaruar se sendet e vjedhura ende nuk ishin gjetur. Nuk dihet nëse ato janë rikuperuar më vonë.
Turneu “Cowboy Carter” i Beyoncé ishte turneu me fitimet më të mëdha të vitit të kaluar, duke gjeneruar mbi 407 milionë dollarë nga 32 shfaqje. Artistja ka fituar edhe çmimin “Grammy” për albumin e vitit 2025 me këtë projekt.
Në fillim të këtij muaji, Beyoncé ishte bashkënikoqire e mbrëmjes së famshme të modës “Met Gala” së bashku me aktoren Nicole Kidman, sportisten Venus Williams dhe drejtuesen e gjigandit medial “Conde Nast”, Anna Wintour. Ajo u shoqërua nga bashkëshorti i saj, reperi Jay-Z dhe vajza e tyre Blue Ivy.
“Është ndjenjë surreale të jem sërish këtu sepse vajza ime është me mua. Ajo duket shumë bukur. Është e pabesueshme ta ndaj këtë moment me të”, ka thënë Beyoncé në tepihun e kuq.
Ndërkohë, prej javësh po qarkullojnë thashetheme se këngëtarja mund të publikojë një album të ri këtë verë, i cili spekulohet se do të quhet “Act III” dhe mund të ketë një drejtim më rock.
Kur u pyet për projektin në emisionin “Today”, nëna e saj Tina Knowles u përgjigj me humor duke thënë se “Do t’ju tregoja, por pastaj do të më duhej t’ju vrisja”.