Showbiz

Coco Jones, krenare me albumin debutues

Coco Jones

Foto: Associated Press

Çfarë muzike do të krijonit nëse nuk do të kishte ndikime të jashtme apo kufizime krijuese të vetë-imponuara? Kështu mendoi këngëtarja dhe aktorja, Coco Jones, kur e krijoi albumin e saj debutues “Why Not More”.

“Doja të kuptoja se çfarë do të bëja nëse nuk do të kisha frikë ta krahasoja veten me suksesin e këngës ‘ICU’, apo nëse kishte ndonjë formulë që njerëzit e prisnin nga unë, nëse duhej të përpiqesha t’u përmbahem këtyre pritshmërive. Doja ta dija se çfarë do të bëja nëse nuk do të kisha frikë. Prandaj mendoj se me këtë projekt kam ndërmarrë shumë rreziqe. Mendoj se përmes teksteve të këngëve kam thënë gjëra që nuk i kisha thënë kurrë më parë. Po ashtu mendoj se u futa më thellë brenda vetes, krahasuar me versionin tim që kishit parë përmes EP-së së kaluar. Dhe në fakt ky ishte qëllimi, që të jem sa më e guximshme”, ka thënë ajo.

Ylli i muzikës R&B ka provuar t’i kthejë përgjigje vetes përmes albumit, i cili u publikua më 25 prill. Ai vjen pas EP-së që e solli atë në skenën e muzikës në vitin 2022, “What I Didn’t Tell You”.

“Ndihem shumë krenare me veten. Mendoj se kam mësuar shumë nga EP-ja e lansuar më herët dhe përmes këngëve që kam publikuar ndërkohë, sa që tani ndihem krenare me këtë version të vetes që kam arritur ta krijoj pas këtij albumi. Po ashtu më vjen mirë që kam arritur ta krijoj një projekt tek i cili kam shumë besim dhe mezi pres t’i këndoj këngët e reja për publikun”, ka deklaruar Jones.

Incizimi me 14 këngë të reja nga aktorja e serialit “Bel-Air” e shndërruar në këngëtare, përshkon një spektër tingujsh R&B, pop dhe Trap, nga introspektivë në joshëse. Jones ka bashkëshkruar tekstet e këngëve, si dhe ka bashkëpunuar edhe me artistë të tjerë si, London on Da Track, Jasper Harris, Future dhe YG Marley.

Duke qenë një nga fytyrat e gjeneratës së re të yjeve të muzikës R&B, Coco nuk i frikësohet presionit që mund të vijë, teksa tenton ta përsërisë suksesin e hitit të kaluar “ICU”.

“Po, definitivisht kisha presion. Unë jam person që e dua punën dhe kur bëhet fjalë për veten time, dua t’i arrij të gjitha dhe vetëm të ngjitem lartë e më lartë në karrierë. Prandaj po, ndjej presion për t’i tejkaluar sukseset e mia, por gjithashtu më duhet që herë pas here t’ia kujtoj vetes se nuk po synoj të fitoj diçka. Thjesht dua të jem vetvetja para fansave të mi. Megjithëse rezultati nuk është në dorën time, ajo që unë mund ta kontrolloj është qëllimi dhe ajo që dua ta arrij me çdo projekt. Dhe unë dua të vazhdoj të jem ajo vajza e sinqertë dhe e hapur me publikun”, ka thënë këngëtarja.

“Why Not More?” nxjerr në pah gamën e gjerë të stileve melodike të Jonesit. Deri më tash janë publikuar katër këngë me videoklipe, duke përfshirë “Here We Go” që ia siguroi asaj vendin e parë në toplistën “Billboard” për zhanrin R&B, dhe kënga “Taste” e cila përmban një ndërthurje të hit të Britney Spearsit “Toxic” dhe aktualisht është në vendin e 15-të të kësaj topliste. Fuqizimi është gjithashtu një temë e pranishme në këngët e albumit të ri.

Jones e cila e përshkruan veten si person që e dashuron punën, thotë se ka shumë qëllime në jetë të cilat dëshiron t’i arrijë, por është e lumtur që është duke rrugëtuar në drejtimin e duhur të karrierës.

“Ende e kam një arkiv të mbushur me ëndrrat e fëmijërisë. Definitivisht mendoj se do t’i realizoj ato, por mënyra se si e kam imagjinuar veten në fëmijëri, ishte më e gjerë se jeta. Më pas ti rritesh dhe provon t’i bësh gjërat sa më praktike. Sinqerisht, më duhet të punoj edhe shumë për të qenë version i vetes që e kisha imagjinuar si fëmijë. Prandaj shpresoj të mos ndalem kurrë duke punuar në këtë drejtim, sepse gjithmonë kam pasur ambicie të mëdha dhe kam dashur që me punën time t’i kap yjet në qiell”, ka thënë artistja.

Coco Jones, e cila e portretizon rolin e Hilary Banks në serialin dramatik “Bel-Air”, tani po bëhet gati për sezonin e katërt dhe të fundit të këtij projekti, që ende nuk ka filluar të xhirohet. Gjatë kësaj periudhe të ngjeshur, aktorja dhe këngëtarja do ta balancojë kohën mes xhirimeve dhe performancave në kuadër të turneut të ardhshëm muzikor, i cili nis më 6 maj në Philadelphia.