Chloe Malle do të marrë drejtimin e revistës prestigjioze “Vogue America”, pasi Anna Wintour u tërhoq nga posti i kryeredaktores, ka njoftuar kjo revistë, raporton BBC.
39-vjeçarja ka punuar për 14 vjet në “Vogue”, duke u ngjitur hap pas hapi deri në pozitën e redaktores së “Vogue.com” dhe si moderatore e podcastit të revistës, “The Run Through”.
Emërimi i saj shënon epokë të re për revistën që konsiderohet si më me ndikim dhe më prestigjioze në botën e modës.
Anna Wintour, e lindur në Londër, e cila ka udhëhequr “Voguen” për 37 vjet, ka bërë të ditur në muajin qershor se do të largohet nga posti i kryeredaktores. Ajo megjithatë do të mbetet në krye të përmbajtjes së “Condé Nast”, kompanisë amë të mediave më prestigjioze, duke mbikëqyrur edhe tituj të tjerë si GQ, Wired dhe Tatler.
“‘Vogue’ tashmë ka ndikuar në atë që unë jam, tani jam e emocionuar për mundësinë që të ndikoj vetë në formësimin e ‘Vogue’”, ka deklaruar Chloe Malle.
Ndërsa Wintour u shpreh se Malle ka treguar aftësi për të gjetur balancën mes historisë së gjatë të “Voguet” dhe së ardhmes.
“Jam shumë e emocionuar që do të vazhdoj të punoj me të, jo vetëm si mentore, por edhe si nxënëse e saj, ndërsa ajo na udhëheq drejt rrugëve ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, ka thënë ajo.
Gjatë punës së saj në “Vogue”, Malle ka qenë përgjegjëse për disa momente të rëndësishme, si fotosesioni i Naomi Biden në Shtëpinë e Bardhë për dasmën e saj në vitin 2022, si dhe intervista me Lauren Sanchez para dasmës me Jeff Bezos.
Malle është vajza e aktores Candice Bergen dhe regjisorit francez Louis Malle.
Ajo ka kaluar fëmijërinë mes Parisit dhe Los Angelesit, deri sa i ati vdiq kur ajo ishte 10 vjeç.
Para “Vogue”, ajo ka punuar në New York Observer dhe si shkrimtare e pavarur, para se të niste si redaktore sociale në vitin 2011, në moshën 25-vjeçare.
Në një intervistë për “Into the Gloss” në vitin 2013, ajo ka kujtuar fillimet e saj.
“Ngurruam gjatë intervistimit, sepse moda nuk ka qenë një nga interesat e mi kryesorë në jetë, dhe doja më shumë të isha shkrimtare sesa redaktore. Por u josha aq shumë nga ‘makineria’ e ‘Voguet’, sa nuk munda të rezistoj”, ka thënë ajo.
Ashtu si paraardhësja e saj, edhe Malle nuk i ka qëndruar larg politikës.
Ajo ka marrë pjesë në Women’s March në vitin 2017, ku mbante një pankartë me mbishkrimin: “Keep Your Tiny Hands Off My Rights” (“Largoni duart e vogla nga të drejtat e mia”).
Në një episod të podcastit të saj në vitin 2024, pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së, ajo ka shprehur zhgënjimin për rezultatin.
“E kam përjetuar me shumë trishtim atë natë. U ndjeva sikur ishim kthyer disa hapa pas”, pati thënë Malle.