Showbiz

Channing Tatum e konsideron gabim të madh refuzimin e rolit në “Beauty and the Beast”

Channing Tatum

Channing Tatum

Foto: Associated Press

Aktori i njohur, Channing Tatum ka pranuar se një nga gabimet më të mëdha të karrierës së tij ishte refuzimi i një roli në filmin “Beauty and the Beast” në versionin e regjisorit të njohur meksikan, Guillermo del Toro.

Në një intervistë për Vanity Fair, aktori ka thënë se kishte pasur mundësinë të interpretonte bishën në rikrijimin të filmit klasik të Disneyt, por e kishte refuzuar për shkak të rrethanave personale dhe profesionale.

“Një nga gabimet më të mëdha të karrierës sime është se Guillermo del Toro donte ta bënte fimin ‘Beauty and the Beast’, e donte që unë të luaja rolin e bishës, gjë që nuk e bëra”, ka thënë Tatum.

Ai ka shtuar se në atë kohë sapo ishte bërë baba dhe nuk ishte në gjendje të përqendrohej.

“Kisha një film që po më shkatërronte, dhe skenari nuk ishte plotësisht gati. Isha në një gjendje mendore ku thashë: ‘Nuk mendoj se mund ta bëj këtë tani’”, ka kujtuar ai.

Tatum nuk e ka zbuluar se cili ishte filmi ku po luante në atë periudhë.

Ai ka një vajzë, Everly, e lindur në vitin 2013 nga martesa e tij e mëparshme me aktoren Jenna Dewan.

Sot, aktori e sheh këtë vendim si një humbje të madhe.

“Ishte gabimi më i madh, sepse unë jam fansi më i madh i Guillermos. Dhe mendoj se nëse Guillermo do ta bënte ‘Beauty and the Beast’ do të kishte qenë filmi më i jashtëzakonshëm ndonjëherë”, ka thënë Tatum.

Megjithatë, projekti i del Toros nuk u realizua kurrë.