Modelja dhe sipërmarrësja Emma Heming Willis ka folur hapur për betejën e bashkëshortit të saj, aktorit legjendar Bruce Willis, me demencën, duke zbuluar se ai është zhvendosur në një “shtëpi të dytë” ku merr kujdes 24 orë në ditë, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Aktori 70-vjeçar, i njohur për rolet e tij në filmat “Die Hard”, “Moonlighting”, “Pulp Fiction” dhe “The Sixth Sense”, i dha fund karrierës së tij në vitin 2023, kur familja bëri publike diagnozën e demencës frontotemporale (FTD).
Kjo sëmundje, sipas Mayo Clinic, prek pjesët ballore dhe temporale të trurit, duke ndikuar në personalitet, sjellje dhe gjuhë.
Heming Willis ka treguar në një intervistë me Diane Sawyer për ABC News se kishte filluar të dyshonte se diçka nuk po shkonte mirë, përpara se diagnoza të vendosej.
“Atij gjithmonë i ka pëlqyer t’i çonte vajzat në shkollë, dhe pastaj ato udhëtime thjesht nisën të mos ndodhnin më shpesh. Mendova: ‘Sa e çuditshme për dikë që ishte shumë i hapur dhe i angazhuar, papritmas u bë më i heshtur dhe gjatë mbledhjeve familjare sikur të shuhej pak’”, ka thënë ajo.
Në fillim, Bruce u diagnostikua me afazi, që shkakton humbjen e fjalëve, por me përkeqësimin e simptomave u konfirmua diagnoza e FTD.
Heming Willis ka thënë se në atë kohë e pyeste veten edhe për martesën e tyre.
“Partneriteti ynë nuk dukej më si martesë. Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte”, ka thënë ajo.
Çifti u njoh në vitin 2005 dhe u martua në 2009 në Turks dhe Caicos. Ata kanë dy vajza, 11 dhe 13 vjeç, ndërsa aktori ka edhe tre vajza nga martesa paraprake me aktoren Demi Moore.
Heming Willis ka thënë se ua tregoi vajzave diagnozën që në fillim.
“Nuk doja kurrë që ato të mendonin se babai i tyre nuk po u kushtonte vëmendje”, ka thënë ajo.
Sa i përket gjendjes së tanishme të aktorit, bashkëshortja e tij ka theksuar se ai është ende fizikisht i shëndetshëm.
“Bruce është ende shumë aktiv. Është në gjendje shumë të mirë shëndetësore në përgjithësi… është thjesht truri i tij që po dështon”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ajo ndien ende lidhjen e tij me familjen.
“E di që na njeh. Kur jemi pranë tij, ai ndriçohet. Na mban për dore, na puth, na përqafon, dhe e kthen dashurinë. Dhe kjo është gjithçka që më duhet”, ka treguar Heming Willis
Për vendimin për ta zhvendosur aktorin në një shtëpi të dytë, ajo ka thënë se ishte një nga vendimet më të vështira që ka marrë ndonjëherë.
“Por e dija që mbi të gjitha, Bruce do të donte këtë për vajzat tona, që ato të jetonin në një shtëpi të përshtatur për nevojat e tyre, jo për të tijat”, ka shpjeguar modelja.
Heming Willis dhe vajzat kalojnë shumë kohë me aktorin në këtë shtëpi, të cilën ajo e përshkroi si “të mbushur me dashuri, ngrohtësi, kujdes dhe të qeshura.”
Përveç rrëfimit personal, ajo ka shkruar librin “The Unexpected Journey: Finding Strength, Hope, and Yourself on the Caregiving Path”, që do të publikohet më 7 shtator, ku ndan përvojën e saj si kujdestare.
Ajo është bërë gjithashtu zë për mbështetjen e kujdestarëve dhe familjeve që përballen me demencën.
“Nuk ka rëndësi prej nga vijmë, me kë jemi të martuar, ajo ndjenjë trishtimi, dhimbjeje, zemërimi e madje edhe pakënaqësie, është një fije e përbashkët që na lidh të gjithëve. Dhe unë mendoj se ka diçka shumë të bukur në këtë”, ka shkruar ajo.