Është shënuar këtë javë 30-vjetori i një prej masakrave më të rënda kundër njerëzimit, ajo e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë. Tri dekada pas, të mbijetuarat e masakrës thonë se jetojnë nën hijen e vdekjes.
Tri dekada pasi etërit, vëllezërit, burrat dhe bijtë e tyre u zhdukën në episodin më të përgjakshëm të luftës në Bosnjë, të mbijetuarat e Srebrenicës gjejnë pak ngushëllim pasi kanë mundur të nxjerrin eshtrat e të dashurve të tyre nga varre masive të largëta dhe t'i kthejnë në vendin e tyre të fundit të prehjes.
Gratë e Srebrenicës tani mund të jetojnë në qytetin e tyre të lindjes, pranë varreve individuale dhe memorialeve kolektive që u kujtojnë jo vetëm tragjedinë, por edhe dashurinë dhe këmbënguljen e tyre në kërkimin e drejtësisë për burrat që humbën.
“Gjeta paqe këtu, pranë të dashurve të mi. Në shtëpi, shpesh, veçanërisht në muzg, imagjinoj se ata janë ende pranë, se kanë dalë për të shkuar në punë dhe se do të kthehen. Ajo ide, se ata do të kthehen, se unë jam pranë tyre, është ajo që më mban gjallë. Nuk mund të rrija larg këtij vendi, nuk ka bukuri që mund të më joshte të largohesha nga ky vend ose të krahasohej me të jetuarit këtu”, ka thënë Fadila Efendiq, e mbijetuar e masakrës.
Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës së Bosnjës 1992-95, e cila erdhi pas shpërbërjes së Jugosllavisë që nxori ambicie territoriale që i vendosën serbët e Bosnjës kundër dy popullatave të tjera kryesore etnike të vendit - kroatëve dhe boshnjakëve.
Më 11 korrik 1995, serbët pushtuan Srebrenicën, në atë kohë një zonë e sigurt e mbrojtur nga OKB-ja. Ata ndanë të paktën 8,000 burra dhe djem boshnjakë nga gratë, nënat dhe motrat e tyre dhe i masakruan.
Ata që u përpoqën të shpëtonin u ndoqën nëpër pyje dhe male përreth qytetit të pafat. Gratë dhe fëmijët u futën në autobusë dhe u dëbuan nga qyteti.
Ekzekutuesit u përpoqën t'i zhduknin viktimat, duke i futur trupat e tyre në varre masive të ndërtuara me nxitim, e më vonë i gërmuan me buldozerë dhe i shpërndanë midis vendeve të tjera të varrimit për të fshehur provat e krimit.
Por sapo mbaroi lufta, Efendiq dhe gra të tjera që ndanin fatin e saj u zotuan të gjenin eshtrat e të dashurve të tyre, t'i sillnin përsëri në qytet dhe t'u bënin një varrim të denjë.
Deri më sot, pothuajse 90% e atyre që janë raportuar të zhdukur nga rënia e Srebrenicës janë gjetur përmes mbetjeve mortore të zhvarrosura nga qindra varre masive të shpërndara nëpër qytetin lindor.
“Ne shkruam historinë në gurë varresh prej mermeri të bardhë dhe ky është suksesi ynë. Pavarësisht dhimbjes sonë, pavarësisht faktit që zemrat tona dridhen kur flasim për bijtë tanë, burrat tanë, vëllezërit tanë, njerëzit tanë, qytetin tonë, ne refuzuam të linim që ajo çfarë u ndodhi atyre të harrohej”, ka thënë Kada Hatiq, tjetër e mbijetuar.
Masakra e Srebrenicës është shpallur gjenocid nga dy gjykata të OKB-së.
Dhjetëra gra të Srebrenicës kanë dëshmuar para gjykatës së OKB-së për krime lufte për ish-Jugosllavinë, duke ndihmuar në burgosjen e afër 50 zyrtarëve serbo-boshnjakë të kohës së luftës, të dënuar kolektivisht me mbi 700 vjet burgim.
Pas dekadash lufte për t'u siguruar që bota as nuk do ta mohonte dhe as nuk do ta harronte të vërtetën e asaj që ndodhi në Srebrenicë, këto gra tani i kalojnë ditët duke parë kujtime të pakta nga jeta e tyre e mëparshme dhe duke imagjinuar botën që mund të kishte qenë.