Në prag të 31-vjetorit të gjenocidit serb ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, Bashkimi Evropian ka bërë edhe një herë thirrje që të mos mohohet ky gjenocid dhe të gjitha palët të bëjnë maksimumin për të zbardhur fatin e atyre që akoma konsiderohen të zhdukur pas këtij gjenocidi.
Nga BE-ja, sikur viteve të tjera në përvjetorët e gjenocidit në Srebrenicë, ky krim është quajtur si një prej kapitujve më të errët në kujtesën kolektive të Evropës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRreth këtij përvjetori, në emër të BE-së, me një komunikatë të përbashkët janë prononcuar edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
"Nesër Evropa nderon 8.300 meshkuj dhe vogëlushë të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës para 31 vitesh. Mendjet tona janë te familjet e viktimave të gjenocidit. Ndajmë dhimbjen me ata që kalojnë përmes vuajtjeve për shkak të paqartësive rreth fatit të të dashurve të tyre dhe vazhdojmë të jemi me ata të cilët mbijetuan ato tmerre që ua ndryshuan jetën në korrik të vitit 1995", thuhet në këtë prononcim të përbashkët.
"Gjenocidi në Srebrenicë është ndër epizodat më të errëta në historinë e Evropës. Na kujton obligimin për të ndërtuar një shoqëri paqedashëse, mbrojtjen e jetëve dhe dinjitetit njerëzor dhe ruajtjen e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian", thonë Kallas dhe Kos.
Më pas, BE-ja thotë se "nderimi i viktimave të Srebrenicës është respektim i të vërtetës historike, ruajtjes së kujtesës dhe sigurimit që mësimet nga Srebrenica të barten te brezat e rinj".
"Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizëm apo glorifikim të kriminelëve të dënuar të luftës. I ftojmë të gjithë liderët në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon që, në vend të ndasive, të zgjedhin përgjegjësinë, në vend të konfrontimit dialogun dhe të mbështesin përpjekjet për të zbuluar fatin e të zhdukurve të mbetur nga ky gjenocid", thuhet në prononcimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Vërejtje dhe mesazhe të ngjashme në përvjetorët e gjenocidit në Srebrenicë janë dhënë nga zyrtarët e BE-së edhe në të kaluarën. Por asnjëherë BE-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz ndaj atyre të cilët nuk i kanë përfillur thirrjet dhe kanë vazhduar ta mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Madje edhe në vetë raportet e Komisionit Evropian është thënë se në Serbi, nga niveli më i lartë shtetëror, ka vazhduar të mohohet ky gjenocid dhe të glorifikohen kriminelët e luftës pa asnjë pasojë. BE-ja, për më tepër, mirëpret shpesh në takime dhe i quan "miq" politikanët nga Serbia, të cilët publikisht mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.