Opinion

Vjosa Osmani, “status quoja” që askush s’e do, por që askush s’guxon ta kontestojë!

Midis kostos së ngërçit institucional dhe frikës nga përçarja eventuale politike, rizgjedhja e Vjosa Osmanit po imponohet si kompromisi më i duhur dhe shumë më racional si për pushtetin absolut në ardhje, ashtu edhe për opozitën e hutuar dhe të frustruar

Sikur ta kombinonim aritmetikën parlamentare, dinamikën e pushtetit dhe logjikën e aktorëve, bashkë me apatinë e krijuar në shoqërinë kosovare, ka shumë gjasa që të kuptonim si shanset ashtu edhe mënyrat e rizgjedhjes së Vjosa Osmanit për Presidente të Kosovës. Ajo çfarë tashmë të gjithë e dinë është se Presidenti/ja i/e Kosovës duhet të zgjidhet medoemos me 2/3 e deputetëve (80 vota) në dy raundet e para, ose me 61 vota në raundin e tretë. Po ashtu, ajo që dihet nga përvoja e përzgjedhjes së ish-presidentëve/eve në të kaluarën është se asnjëri/a nuk është ulur në këtë “karrige” – jo edhe aq formale sa mund të pretendojë dikush – pa një marrëveshje dhe konsensus paraprak ndërpartiak.
Dhe krejt problemi këtu nuk ndërlidhet aq me cilësitë, as me përgatitjen, madje as me kriteret moralo-politike që eventualisht mund apo duhet t’i posedojë kandidati/ja, sa me sintagmën e vullnetit politik, që si eufemizëm nënkupton taksativisht “pazare” midis propozuesit dhe subjekteve të tjera që (s)detyrohen ta pranojnë ose refuzojnë atë. Thënë më drejtëpërdrejt: në Kosovë, sa herë që është zgjedhur ndonjëri nga ish-presidentët, gjithnjë dikush nga subjektet “periferike” ka përfituar diçka nga “kulaçi” qeverisës.

Në rastin e Vjosa Osmanit, si kandidate e VV-së, shtrohet pyetja jo se kush duhet ta përkrahë atë me vota dhe me prononcime publike nga katër subjektet aktuale parlamentare, por cilët janë ata faktorë që ia rrisin shanset Vjosa Osmanit për t’u rizgjedhur edhe një herë në postin e “kryeplakut/es së oxhakut” të shtetit të Kosovës?

Dhe nëse i numërojmë këta faktorë, do të mund të veçonim disa prej tyre që, sipas mendimit tim, kanë edhe “mbulesë” dhe argumente të forta. Njëri ndër ta, pa asnjë dyshim, është ai i imazhit dhe perceptimit të konsoliduar ndërkombëtar, të cilin znj. Osmani e ka kultivuar, e ka ruajtur dhe e ka “mirëmbajtur” me një lloj xhelozie fanatike, sidomos kur kanë qenë në pyetje përfaqësimi, animimi dhe promovimi i interesave shtetërore dhe atyre kombëtare.

Një tjetër faktor që mendoj se duhet po ashtu të merret parasysh është ai i indiferencës dhe sidomos i maturisë së Vjosës gjatë periudhës së “shizofrenisë politike”, apo ngërçit që arriti të polarizojë jo vetëm skenën politike, por edhe mbarë shoqërinë kosovare, duke mbajtur peng dhe duke paralizuar shumë institucione të shtetit. Vjosa, me qëndrimin e saj neutral dhe jo-polarizues, arriti brenda vendit ta ruajë rejtingun e saj të lidershipit, ndërsa në arenën ndërkombëtare, me lobimet cep më cep, edhe ta rrisë atë.

Faktor kyç në planin e brendshëm është fakti se ajo, në mënyrë konstante, për një pjesë të opozitës, dhe me qëllim të ruajtjes së balancave, por edhe të neutralitetit politik, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, mundohej të përfaqësonte një “status quo të menaxhueshme” për të gjithë, e jo një rrezik permanent.

Tani, meqë VV-ja është, si të thuash, promotore apo propozuesja e kandidaturës, duhet kuptuar se zëvendësimi i saj me ndonjë emër tjetër do të hapte, me siguri, konflikt të panevojshëm, do ta rrezikonte perceptimin pozitiv të krijuar ndërkombëtar dhe do ta forconte narrativën e ripërsëritjes së ngërçit dhe të përçarjes së pushtetit. Thënë më thjesht: LVV-ja humb shumë më tepër kredi, si brenda ashtu edhe jashtë, sesa opozita në rast të mosrizgjedhjes së Vjosës.

Këtë konstatim e përforcon edhe argumenti tjetër se opozita, duke qenë ende e tronditur dhe në proces të vetëkërkimit të shkaqeve për humbjet elektorale, dhe duke mos pasur asnjë kandidat konsensual, çdo kandidaturë tjetër alternative mund ta interpretojë ose si interes partiak e jo shtetëror, ose si “instrumentalizim i simbolikës së luftës”. Nga kjo logjikë del se opozitës së tanishme shumë më tepër i leverdis ta përdorë rizgjedhjen e Vjosës si kompromis, sesa ta kontestojë atë pa ndonjë arsye të fuqishme.

Së këndejmi, nga këndvështrimi dhe intuita ime sociologjike, në procesin e rizgjedhjes Vjosa Osmani do të hyjë si favoritja kryesore strukturore, jo për shkakun se e dëshiron këtë shumica absolute e spektrit politik kosovar, por për shkakun se zëvendësimi i saj me ndonjë emër tjetër, kushdo qoftë ai apo ajo, është më i kushtueshëm dhe shumë më i dëmshëm politikisht sesa rizgjedhja. Së këndejmi, as VV-së, as PDK-së, as LDK-së e as AAK-së nuk u konvenon ta ripërsërisin telenovelën e ngërçit dhe ta rimarrin sërish përsipër përgjegjësinë e ribllokadës eventuale. Këtu duket sheshi që, midis kostos së ngërçit institucional dhe frikës nga eventualja e përçarjes politike, rizgjedhja e Vjosa Osmanit duhet të imponohet si kompromisi më i padhimbshëm dhe shumë më racional, si për pushtetin absolut në ardhje ashtu edhe për opozitën që ende është e hutuar dhe e frustruar. Ajo, në të gjitha opsionet, është zgjedhja ideale si për ata që i kanë frikë zgjedhjet, ashtu edhe për ata që dëshirojnë t’u ikin krizave dhe (pa)përgjegjësisë…

Përfundimisht, të gjithë duhet ta kuptojnë se, në Kosovë, Presidenti nuk zgjidhet sepse e do populli, as sepse partitë besojnë në ndonjë kauzë apo vizion të qartë, por zgjidhet sepse të gjithë kanë frikë nga bllokada. Shikuar nga ky këndvështrim, zgjidhja më e mirë do të ishte që legjislatura që po vjen ta shqyrtojë mundësinë e reformimit të Kushtetutës aktuale, e cila nuk është në përputhje as me nivelin e emancipimit e as me kërkesat e kohës. Kjo Kushtetutë është bërë “këmishë” tejet e ngushtë për proceset dhe zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova…