Opinion

Dalja e “Listës Serbe” nga Asociacioni kosovar, separatizëm ndaj shtetit

Vendimi i katër kryetarëve të sapoardhur në krye të kuvendeve komunale për t’u tërhequr nga Asociacioni kosovar nuk mund të kualifikohet vetëm si një akt i izoluar social apo si një vendim i thjeshtë administrativ, por, para së gjithash, si një akt i paramenduar dhe i kalkuluar në “milimetra” politikë, si dhe si synim e ambicie separatiste për rikonfigurimin e rendit kushtetues të Kosovës. Dhe, çfarë është më interesante, ky hap u mor mu në kohën kur ish-qeveria dhe ish-opozita ishin nën ethet dhe “flakën” e fushatës elektorale

Strategët e Beogradit, me siguri duke e kuptuar “vakumin” e vendimmarrjes së plotë nga ana e ish-qeveritarëve, kanë vlerësuar se kjo periudhë e fushatës, por edhe e festave të fundvitit, kur edhe ndërkombëtarët bien në një lloj “gjumi” të vendimmarrjeve aktive, përbën momentin kyç për ndërmarrjen e hapave drejt fillimit të “zbatimit” të Marrëveshjeve të viteve 2012/15/23.

Megjithatë, nëse këtë akt të këtyre katër komunave e analizojmë me “briskun” tonë sociologjik, do të kuptojmë se veprimi i këtillë politik, de facto dhe de jure, përveçse është akt i delegjitimimit të rendit kushtetues të Kosovës, paraqet edhe një formë tejet të sofistikuar të diversioni institucional. E themi këtë, ngase dalja apo ikja nga AKK-ja, si pjesë e arkitekturës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës, dosido nënkupton refuzim të përkatësisë institucionale dhe një parapërgatitje për një ripozicionim “jashtë-shtetësisë” dhe jashtë konstruktit të shtetësisë sonë të brishtë.

Në vijim të kësaj analize, duhet shtuar se kjo tendencë ka një histori pothuajse tashmë gati tridekadëshe, sepse insistimi i Serbisë ka “bashkëlindur” menjëherë pas kapitullimit të saj në vitin 1999. Ishte dhe mbetet ky insistim, edhe më tej, si vazhdimësi strategjike e Beogradit, qysh nga Marrëveshja e Brukselit e deri te ajo e fundit e Ohrit. Por, me një dallim në substancë kohore dhe përmbajtje të re: tani akti i distancimit nga institucionet e Kosovës ushtrohet pa ekuivok dhe publikisht, në koordinim politik me Beogradin dhe nën presionin e Brukselit për zbutjen e masave ndëshkuese për shkak të Asociacionit. E gjithë kjo narrativë na dëshmon qartazi se ky akt i largimit të këtyre katër komunave të Kosovës veriore nga AKK-ja përfaqëson vetë hapin fillestar të krijimit të kushteve të reja për një rikonfigurim të ardhshëm, që mund të jetë iniciuar edhe nga qarqe të caktuara në Bruksel.

Projekt ky që, në një të ardhme të afërt, pa asnjë dyshim do të shërbente si “trampolinë” për një subjekt kolektiv paralel, i cili në jetën reale do të funksiononte si bllok politik i unifikuar, si mekanizëm vetëmenaxhues me të drejtën e veprimit jashtë institucioneve qendrore dhe, potencialisht, si një embrion autonomie territoriale, apo një “Republika Srpska” në Kosovë.

Deklarimet e “Listës Serbe”, se “duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar”, përbëjnë paradigmën më të drejtpërdrejtë sfiduese dhe atakuese ndaj parimit të unitaritetit të shtetit kosovar. Sepse këtu më nuk bëhet fjalë as për të drejtat e komunitetit serb (tashmë të garantuara), as për të drejtat e një “distance të re sociale”, por ekskluzivisht për riformatimin e rendit territorial-politik, i cili synohet të arrihet përmes instrumenteve komunale.

Një tjetër mesazh apo porosi që mund të adresohet nga ky akt i këtyre katër komunave ka të bëjë edhe me një mesazh të koduar, kërcënues për faktorin ndërkombëtar, për Uashingtonin dhe sidomos Brukselin, se “arkitektura” e Asociacionit të ardhshëm njëetnik (!) nuk ka shanse të krijohet ashtu siç po insiston Prishtina, në formën e një Asociacioni me cilësi dhe status të OJQ-së, por vetëm si një Asociacion me kompetenca dhe substancë të qartë ekzekutive. Ky mesazh, i dedikuar për këto qendra vendimmarrëse në rrafshin global, nënkupton, ndër të tjera, se refuzimi eventual do të shoqërohet me destabilizim institucional nga ana e “kalit të Trojës”, alias Lista Serbe.

Së fundmi, mendoj se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet urgjentisht të merret me disa kualifikime dhe pozicionime shqetësuese që janë iniciuar nga pushtetarët e Listës Serbe lidhur me Asociacionin, pa njohje reciproke me Serbinë. Ndryshe, anashkalimi i kësaj teme dhe vazhdimi me përqafimin e ngucakeqjeve, linçimit dhe stigmatizimeve, ashtu siç ndodhi me rastin e ngërçit institucional, mund të lërë pasoja të pariparueshme për gjeneratat e ardhshme të vendit.

Ngase tema e Asociacionit, që tashmë ka filluar të “banoj” pa ndalur në kokat dhe mendjet tona sociale, është shndërruar në një “Big Brother” politik që duhet hequr nga rendi i ditës. Kosova ka shumë probleme që e presin. Së këndejmi, në këto orë të liga na duhet një qeveri kompetente, e ndërgjegjshme dhe tejet e vetëdijshme për interesat afatgjata të vendit dhe të rajonit...