Boksierja e Algjerisë, Imane Khelif, ishte prej sportisteve më të përfolura në lojërat olimpike “Parisi 2024”. Khelifi e fitoi medaljen e artë olimpike, por ka pasur dhe vazhdon të ketë dyshime për gjininë e saj.
Falë anëtarësimit të shumë vendeve në organizatën e re, “World Boxing”, boksi është kthyer në programin olimpik për Los Angeles 2028. Por kjo organizatë njoftoi së fundi se testi i gjinisë është obligativ. Në një komunikatë të gjatë, “World Boxing” ka përmendur vetëm Khelifin. Ka njoftuar se ajo nuk do të mund të paraqitet në gara pa iu nënshtruar fillimisht testit të gjinisë.
“’World Boxing’ do të prezantojë testimin e detyrueshëm të gjinisë, për të përcaktuar të drejtën e sportistëve meshkuj dhe femra që duan të marrin pjesë në gara. Futja e testimit të detyrueshëm do të jetë pjesë e një politike të re mbi ‘gjininë, moshën dhe peshën’, për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të ofruar fushë loje të barabartë për burrat dhe gratë”, shkruan në njoftimin e “World Boxing”.
Për formën e testimit janë konsultuar ekspertë të ndryshëm, ndërsa për bazë u morën të dhëna e prova mjekësore.
“World Boxing” tashmë i ka shkruar Federatës së Boksit të Algjerisë për ta njoftuar për situatën rreth Khelifit.
“Imane Khelif nuk do të lejohet të marrë pjesë në kategoritë e femrave në Kupën e Botës në Eindhoven ose në ndonjë ngjarje tjetër të ‘World Boxing’ derisa t’i nënshtrohet testimit të gjinisë. Ky vendim pasqyron shqetësimet mbi sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë boksierëve, përfshirë të Imane Khelif, dhe synon të mbrojë shëndetin mendor dhe fizik të të gjithë pjesëmarrësve”.
Ka pasur reagime lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së Khelifit në garën në Eindhoven. Caktimi i gjinisë do të bëhet përmes një testi që zbulon materialin gjenetik specifik, që tregon gjininë biologjike.
Pos Khelifit, në Lojërat e Parisit, e dyshimtë për gjininë e saj ishte edhe një boksiere nga Tajvani. Edhe ajo kishte fituar të artën. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kishte lejuar pjesëmarrjen e tyre në Olimpiadë duke u bazuar në faktin që në pasaportë gjinia u ishte përcaktuar si “femër”, shkruan BBC.
Çështja megjithatë ishte më e ndërlikuar dhe tani do të ketë teste për të përcaktuar gjininë në boks. Jo vetëm në boks ka dyshime për gjininë e sportistëve.