Garuesi 21-vjeçar i sumos nga Ukraina, që iku nga pushtimi rus, ka fituar një garë të nivelit elitar në Japoni. Yahvusishyn Danylo, i njohur me emrin e ringut Aonishiki, është lavdëruar për rritjen e shpejtë në sportin shumë konkurrues të sumos.
Ai e fitoi Turneun e Madh të Sumos në nëntor, të dielën. Në ndeshjen vendimtare ukrainasi e mposhti Hoshoryun, të lindur në Mongoli, e që është mundës i rangut më të lartë.
“Është ndjenjë që fjalët nuk mund ta shprehin”, ka thënë Aonishiki. “Jam ndier sikur po e lija trupin të bënte gjënë e vet, duke përdorur forcën time. E kam bërë me përkushtim atë që më tha mjeshtri im dhe kjo solli këtë rezultat”.
Fitorja e tij shënon ngritjen meteorike në sportin që është i diktuar nga ritet dhe tradita. Ka tre vjet që ukrainasi është vendosur në Japoni, pasi lëshoi vendin e tij të shkatërruar nga lufta.
Ai filloi me mundje dhe xhudo si fëmijë në Ukrainë, ku artet marciale për kohë të gjatë ishin shumë të popullarizuara. Ukraina është shtëpi e shumë medalistëve olimpikë në mundje dhe xhudo. Në moshën shtatëvjeçare Danylo kaloi në sumo, pasi pa garues të sumos duke ushtruar në palestrën e tij të xhudos.
Ai shpejt shfaqi talent për këtë sport, duke u renditur i treti në kampionatin botëror të sumos për juniorë, kur ishte ende vetëm 15-vjeçar. Gjatë atij kampionati në Japoni u miqësua me mundësin e sumos nga Japonia, Arata Yamanaka.

Gjërat ndryshuan kur Rusia e pushtoi Ukrainën në vitin 2022. Palestrat e mundjes u shkatërruan dhe sportistët bashkë me familjet e tyre ikën jashtë vendit. Familja e Aonishikit u vendos në Gjermani.
“Mendova që do të ishte mëkat të përfundoja karrierën time në sport”, ka thënë Aonishiki në një dokumentar të publikuar në korrik. “E dua sumon dhe kam ndier se duhet të provoj të garoj në sumo”.
Në moshën 18-vjeçare ai udhëtoi i vetëm për në Japoni. Shoku i tij, Yamanaka, që ishte kapiten në klubin e sumos Kansai University, e mori në shtëpi dhe i mundësoi ukrainasit që të ushtronte në klubin universitar. Emri i tij i ringut është “kaltër”, njëra prej ngjyrave të flamurit ukrainas.
Aonishiki nisi të rindërtonte karrierën e tij në vend të ri dhe në gjuhë të re. Ai shpejt e mësoi gjuhën japoneze dhe bëri ngritje të shpejtë në ranglista. Filloi të fitonte ndaj mundësve universitarë, ndonëse nuk ishte më i madhi dhe më i rëndi. Me 140 kilogramë, ai nuk e kishte peshën mesatare të mundësve në divizionin më të lartë të sumos.
U vendos ndërkohë në Tokio, ku filloi të garonte në mënyrë profesionale. Deri në turneun e së dielës ai kishte arritur gradën e tretë më të lartë, pasi kishte garuar në vetëm 13 turne. Është ritëm rekord në sportin ku renditjet shpesh ndryshojnë dhe mundësit mund të ngrihen ose të ulen në detyrë, varësisht nga performanca në garë.
Pas garës, organi qeverisës kombëtar i sumos mbajti një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar ngritjen e ukrainasit në titullin e dytë më të lartë.
“Ka edhe një gradë më shumë, kështu që e synoj atë”, ka thënë ukrainasi, që synim final e ka titullin kryesor në sumo, të njohur si “Yokozuna”.