Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe familja e Liridona Ademajt kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kokallën, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023. Sipas prokurorisë, është argumentuar se të pandehurit janë marr vesh për kryerjen e vrasjes. Gjykata do ta shpallë verdiktin për këtë rast më 21 prill
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kokallën, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë në seancën e së premtes se gjatë shqyrtimit gjyqësor është argumentuar që të akuzuarit janë marrë vesh për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorte e Murselit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Pas marrëveshjes në mes të Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, vendoset që Liridona të vritet me datë 29.11.2023, gjë që e vërteton edhe porosia të cilën Naim Murseli ia ka dërguar Granit Plavës, një ditë para vrasjes, ia ka dërguar me fjalët 'Kjo përfundon nesër a të ka tregu Kuça, që do të thotë që marrëveshjet i kanë bërë Naimi dhe Kushtrimi, ndërsa Naimi të akuzuarit Granit Plava i ka premtuar që do t'i jep dëmshpërblim 30 mijë euro, pas vrasjes të cilën nuk ka arritur ta paguajë, sepse të akuzuarit janë arrestuar dy ditë pas vrasjes", ka thënë ajo.
Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, Perlinçeviq është shprehur se vrasja e Liridona Ademajt është kryer me qëllim të përfitimit nga polica e sigurimit që ajo kishte.
"Naimi ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që ta gjejë mënyrën që ta vrasë Liridonën, që do të thotë që me vetëdije është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën", ka deklaruar Perlinçeviq.
Ajo ka përmendur edhe faktin se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë paraqitur tri versione të ngjarjes nga vetë të akuzuarit.
"Kemi pasur mundësi t'i shohim tri mbrojtje të mirë menduara ‘tre skenarë të ndryshëm të një ngjarjeje’, të cilat janë dhënë nga tre të akuzuarit e në të cilat mundet, e do të kishin zili edhe producentët dhe skenaristët e Hollyëoodit, ku secili nga të akuzuarit, vetën e ka paraqitur si person që nuk ka asgjë me kryerjen e veprës penale", ka thënë ajo.
Prokurorja ka deklaruar se vrasja ka ndodhur në prani të fëmijëve të Liridonës, që në atë kohë ishin 4 dhe 6 vjeç.
Perlinçeviq ka përmendur edhe dëshminë e vëllait Liridonës, sipas të cilit fëmijët nuk dëshirojnë të kenë komunikim me të akuzuarin Murseli, që është babai i tyre.
"Ka dëshmuar se gjatë një vizite të fëmijëve në Suedi, djali më i madh ka thënë ‘hajni e futi dorën dhe i bëri mamit bam’. Gjithashtu Leonardi ka dëshmuar që fëmijët qartë nuk e dëshirojnë babain e tyre dhe që i refuzojnë të gjitha thirrjet telefonike, që i ka mundësuar Qendra për Punë Sociale në Suedi", ka thënë prokurorja Perlinçeviq.
Prokurorja po ashtu ka thënë se sipas provave të administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, i akuzuari Naim Murseli ka kaluar pasditen e ditës kritike me të akuzuarin Granit Plava, të cilët bashkë dyshohet se e kanë blerë armën nga i dënuari tashmë Tom Dodaj, e më të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Sipas Prokurorisë, analizat e video incizimeve tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.
Burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kokallën ka kërkuar edhe familja Ademaj. Vëllai i saj Leonardi, ka thënë të premten se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar për planifikimin e vrasjes së Liridonës.
"Është qartë se Naimi ka kërkuar vrasjen e Liridonës përmes Kushtrimit, i cili më pas e ka gjetur Granitin për ta kryer aktin. Kërkojmë që dënimi të jetë burgim i përjetshëm. Çdo dënim tjetër e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijnë e popullit tonë për këtë krim makabër", ka thënë Ademaj.
Ademaj ka theksuar se takimi i parë me fëmijët e viktimës ka ndodhur rreth tetë muaj pas ngjarjes dhe se ata fillimisht nuk e kanë ditur se si ta përballonin situatën.
Ademaj është shprehur se fëmijët nuk kanë pranuar ta kontaktojnë më të akuzuarin Murseli.
Edhe mbrojtësi i familjes Ademaj, avokati Leutrim Syla para trupit gjykues ka kërkuar që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
"Që nga seanca e shqyrtimit fillestar e në secilën seancë, duke përfshi edhe dhënien e mbrojtjes, në secilën seancë është argumentu ajo që kemi thënë në fillim se ky krim makabër do të zbardhet nga vet të akuzuarit, qoftë duke akuzuar njëri tjetrin ose bashkëpunim", ka thënë avokati Syla.
Ndërkohë mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, avokati Shemsedin Piraj ka deklaruar se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burgim të përjetshëm është e ashpër.
"Ajo çka e ka dhënë unë në fund tash për cilësimin juridik, unë nuk e kontestoj rastin. Kurrë s'e kam kontestuar rastin. As e kontestoj. Ama cilësimi a është adekuat? Nuk është. Nuk është cilësim adekuat", tha ai. "U kërku një dënim jashtëzakonisht i ashpër, i cili që paraparë mos paku 10 vjet apo dënimi i përjetshëm. Ata që merren me këtë punë e dinë më së mirë, juristët, prokurorët dhe gjyqësia. Unë kërkoj që çdo pretendim i të cilat janë ngritur, t'i vlerësoni dhe të merrni një vendim të drejtë", ka thënë avokati Piraj.
Fjalën përfundimtare të avokatit të tij e ka përkrahur i akuzuari Naim Murseli. Ai ka thënë se po akuzohet për një krim që nuk e ka kryer dhe nuk ka qenë në dijeni për të.
"Unë gjatë këtyre viteve prej ngjarjes jam akuzuar për një krim shumë të rënd të cilin nuk e kam kryer. Unë nuk kam organizuar kurrfarë vrasje as nuk kam marr pjesë në vrasje madje as nuk e kam parë vrasjen as unë as fëmijët, sepse në momentin e vrasjes unë dhe fëmijët e mi kemi qenë duke ikur. Këtë e tregon edhe Leonardi në deklaratën e tij. Mund t'i shihni intervistat, ku ai shumë drejt dhe saktë tregon atë se çfarë i kanë treguar fëmijët dhe ai version është që unë dhe fëmijët kemi vrapuar nga makina", ka thënë i akuzuari Naim Murseli.
Murseli ka mbrojtur veten duke thënë se është bërë cak i mediave dhe se është dhënë një version i pavërtetë për të.
"Natën e vrasjes ja dorëzova fëmijët familjes Ademaj po të kisha për të fshehur nuk do t'i dorëzoja... Ju betohem që Naim Murseli nuk ka qenë afër në veturë në momentin e vrasjes, ju betohem Naim Murseli nuk ka paguar për vrasjen, kjo është e vërtetë. Unë pa të drejta jam akuzuar, targetuar nga mediat nga kjo sallë por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ju do të vendosni fatin tim, fatin e fëmijëve të mi, dhe nga ju pres vetëm një dënim të drejtë, pres nga ju që vërtetë të ketë drejtësi për Liridonën, sepse kjo Liridona meriton drejtësi të plotë", ka thënë ai.
Për të akuzuarin Granit Plava, avokati i tij Skënder Gojani ka kërkuar të lirohet. Ai ka thënë se nuk ka prova që tregojnë se Plava e ka kryer veprën, për të cilën akuzohet.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë provë direkte që e lidh të akuzuarin me ngjarjen dhe nuk ka dëshmi që e identifikon atë si personin që ka shtënë me armë.
Fjalën përfundimtare të avokatit të tij, e ka mbështetur i akuzuari Granit Plava.
Edhe avokati i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Ndrecë Dodaj ka mohuar përfshirjen e klientit të tij në këtë rast.
Ai ka kërkuar nga Gjykata që vendimin ta bazojë vetëm në prova.
Pas dhënies së fjalëve përfundimtare të të gjitha palëve, dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve si dhe administrimit të të gjitha provave materiale, Gjykata ka marrë vendim ta shpallë të përfunduar procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, pritet të jepet më 21 prill (13:30).
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla janë dakorduar paraprakisht që vrasja e Liridona Ademajt të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshjen që Murseli t'ia paguajë atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani për vrasjen e Liridona Ademajt fillimisht i është shpalosur Kokallës, i cili më pas e ka gjetur Plavën dhe e ka njoftuar atë me Murselin.
E vetë Naim Murseli, sipas aktakuzës, e ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen.
Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tre vjet.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t'u konsultuar me mbrojtjen.