Kuvendi ka kaluar në lexim të parë projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pos debatit për përmbajtjen e tij, një tjetër debat politik u nxit kur Vetëvendosje tentoi të shkurtojë afatet kohore për amendamentim të tij. Mocioni i LVV-së për këtë nuk kaloi
Pas një debati të gjatë pushtet-opozitë, me 81 vota për, Kuvendi e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Gjatë prezantimit të tij, të premten, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se në të janë reflektuar rekomandimet edhe të Komisionit të Venecias e edhe të Gjykatës Kushtetuese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Byroja nuk konfiskon, nuk gjykon, nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin, konfiskimin e bën gjykata. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm por me zyrtarët publikë”, ka thënë Gervalla.
Por, ligjvënës të PDK-së kanë shprehur vërejtje te Projektligji që nga emërtimi i tij deri te përmbajtja.
Deputeti Përparim Gruda ka thënë se projektligji ka në emërtim konfiskimin, ndonëse Byroja nuk do të konfiskojë, ndërkaq për përmbajtjen e dokumentit ka munguar konsultimi publik, sipas tij.
“Nëse ne i japim shanse Kuvendit që mes dy leximeve të bëjmë një konsultim publik, mund t;i adresojmë këto. Sot PDK-ja do të abstenojë për ta dhënë një shans. Nëse vërejtjet nuk adresohen ne nuk mund ta kalojmë këtë ligj sepse vërejtjet që përmenda janë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Gruda.
Vërejtje kanë dhënë edhe deputetë të LDK-së dhe AAK-së, sipas të cilëve, nisma ligjore është iniciuar edhe për efekt elektoral.
“Sot pyetja nuk duhet të jetë a jemi për a kundër por duhet të jetë a jemi për një byro që funksionon sipas Kushtetutës apo për një byro që rrezikon të maltretojë të pafajshmit, vetëm për diskurs publik elektoral”, ka thënë deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Xhelili.
Kritika ka shprehur edhe deputeti Besnik Tahiri nga AAK-ja.
“Është ka shihet siç tha Glauku, është ka shihet prej aeroplani që është ka ndërtohet një program politik për zgjedhjet e ardhshme që u ndërlidh me pagën e 13, me pakon 200 milionë, me Byronë, që janë zotime tuaja që keni dështu me i pru”, ka thënë ai.
Vlera nga e cila do të nisë verifikimi i pasurisë së zyrtarëve publikë është paraparë të jetë mbi 25 mijë euro, e LDK-ja ka propozuar që kjo të nisë nga ministrat dhe deputetët.
Në fjalën e saj ministrja Gërvalla ka thënë se projektligji nuk ka pësuar ndryshime nga hera e fundit kur është miratuar në Kuvend, porse është e hapur për konsultim publik.
Por menjëherë pas miratimit me votat e LVV-së, LDK-së, AAK-së dhe pakicave joserbe, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka kërkuar mocion për shkurtimin e afateve kohore për trajtimin e tij në lexim të dytë.
Ajo ka kërkuar që ai të miratohet një ditë para se të përfundojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, dhe dështimi për ta zgjedhur ka për pasojë shpërndarjen e Kuvendit.
“Unë po e kuptoj agjendën politike ne naivë nuk jemi. Por zotimi i ministres ishte që të ketë konsultim publik. Kështu që mos e prishni këtë atmosferë që ekziston brenda grupeve parlamentare për ta bërë ligjin e mirë. Përndryshe, shantazhin moral, ne si PDK nuk e hamë”, ka thënë Gruda i PDK-së
Nismën e VV-së e ka kritikuar edhe Xhelili.
“Sot determinohet qëllimi real i LVV-së me këtë projektligj. Dhe, me shmangie duket që qëllimi janë zgjedhjet”, ka thënë ajo.
Por sipas deputetes Nagavci, gjithçka mund të përfundojë për pak ditë.
“Brenda javës mund të ketë edhe dëgjimin publik edhe gjithçka tjetër. Sepse nuk bëhet fjalë për një projektligj të ri dhe natyrë e panjohur por bëhet fjalë për një projektligj që ka afër 5 vite që është temë diskutimi”, ka thënë Nagavci.
Por ky qëndrim nuk është pranuar nga PDK-ja.
“Nëse ligji është end 4 vjet, nuk është end për shkak tonin por për shkak tuajin. Dy herë komisioni i Venecias e ka rrëzuar dy herë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, ka thënë Gruda.
Mocioni i Vetëvendosjes nuk ka kaluar.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia ka rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.
Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit shfuqizoi ligjin për Byronë me arsyetimin ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.
Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.
Paraprakisht, në seancën e së premtes ka dështuar edhe një mocion tjetër i Vetëvendosjes që të fusë në rend dite me procedurë të përshpejtuar dy projektligje për energjinë.
Në këtë seancë, PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi ta thërrasë në raportim kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, Ombudspersonin e Gjykatës Speciale dhe gjithashtu shefin e EULEX-it.