Nuk ka rëndësi vetëm çka hani, por edhe si mendoni për ushqimin. Lidhja mes mendjes dhe trupit ndikon drejtpërdrejt në oreks, sepse pritshmëritë tona për ushqimin që konsumojmë ndikojnë në mënyrën si truri ndien urinë dhe ngopjen, ka shkruar BBC.
Nëse do të përballeshit me një çokollatë të shijshme apo një alternativë me pak kalori dhe të ëmbëlsuar natyrshëm, cilën do të zgjidhnit?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShumica prej nesh e dimë se duhet të zgjedhim opsionin më të shëndetshëm, por tundimi i një ëmbëlsire është shumë i fortë. Kjo e bën të vështirë për ata që duan të humbin peshë të mbajnë një dietë.
Ne jemi “programuar” të dëshirojmë ushqime të ëmbla dhe me shumë energji, sepse dikur paraardhësit tanë mbijetonin falë tyre.
Për më tepër, sot jemi të rrethuar nga ushqime shumë të përpunuara dhe me shumë kalori, të cilat shpesh na bëjnë të ndihemi fajtorë pasi i konsumojmë.
“Produktet ultra të përpunuara janë si të jesh në një koncert ‘heavy metal’. Janë krijuar për të mbuluar çdo gjë tjetër. Dhe është shumë e vështirë që njerëzit të ndjejnë ‘muzikën e qetë’ të një peme apo perimeje”, ka thënë Ashley Gearhardt nga University of Michigan.
Mendësia ka po aq rëndësi sa ushqimi
Studimet tregojnë se për të mbajtur një peshë të shëndetshme, nuk duhet të fokusohemi vetëm te ajo që hamë, por edhe te mënyra si e përjetojmë ushqimin. Në fakt, të shijosh ushqimin ka përfitime reale për shëndetin, sepse pritshmëritë ndikojnë në ndjesinë e urisë.
Eksperimenti me “milkshake”
Në një eksperiment të njohur, studiuesit zbuluan se ajo që besojmë se po hamë mund të ndikojë në reagimin e trupit.
Një ekip i udhëhequr nga Alia Crum nga Stanford University u dha pjesëmarrësve të njëjtin “milkshake”, por me përshkrime të ndryshme.
Një grupi iu tha se ishte një “’milkshake’ i pasur dhe me shumë kalori” (620 kalori).
Grupit tjetër iu tha se ishte “i shëndetshëm” (140 kalori)
Në realitet, të dy ishin të njëjtë, rreth 380 kalori.
Rezultati? Ata që mendonin se po pinin një pije “të pasur me vlera ushqyese” ndjenin më shumë ngopje. Hormoni i urisë, ulej më shumë te ta. Ndërsa ata që mendonin se ishte “dietik”, ndiheshin më pak të ngopur.
“Kjo tregon se nëse beson se ke ngrënë mjaftueshëm, trupi reagon sikur vërtet ke ngrënë mjaftueshëm”, ka shpjeguar Crum.
Kjo është e rëndësishme, sepse nëse nuk ndiheni të ngopur, metabolizmi ngadalësohet dhe trupi djeg më pak energji.
“Nëse përpiqeni të humbni peshë duke ulur kaloritë, por mendoni vazhdimisht se po privoheni, kjo mund ta bëjë më të vështirë humbjen e peshës”, ka thënë ajo.
Pse ka rëndësi mënyra si i quajmë ushqimet?
Edhe etiketimi i ushqimeve ndikon.
Në një studim tjetër, njerëzve iu dha një bar proteinik me të njëjtën përbërje, por disa e panë të etiketuar si “i shijshëm”, të tjerë si “i shëndetshëm”.
Ata që e panë si “të shëndetshëm” u ndjenë më pak të kënaqur, kishin më shumë uri dhe hëngrën më shumë më pas.
Kjo tregon se ushqimet e etiketuara si “të shëndetshme” mund të na bëjnë të presim më pak kënaqësi, dhe për rrjedhojë të mos ndihemi të ngopur.
Nga ana tjetër, kur ushqimet e shëndetshme prezantohen si të shijshme, njerëzit kanë më shumë gjasa t’i pëlqejnë dhe t’i konsumojnë.
Po ashtu, ata që ndihen fajtorë kur hanë diçka si tortë me çokollatë kanë më pak sukses në humbjen e peshës.
Çka duhet të bëjmë ndryshe?
Sipas ekspertëve, nuk duhet ta shohim ushqimin si diçka nga e cila duhet të heqim dorë.
“Nëse ndiheni sikur po privoheni, kjo mund të punojë kundër dietës tuaj”, ka thënë Crum.
Ajo sugjeron të shmangen terma si “light”, “me pak kalori” apo “i reduktuar”, sepse krijojnë ndjesinë e mungesës.
“Kur e kufizojmë veten, ushqimi bëhet si një detyrë e lodhshme”, ka thënë Gearhardt.
Në vend të kësaj, duhet të fokusohemi te ushqimet natyrale dhe të papërpunuara, proteina, fruta dhe perime, sepse këto janë ushqimet për të cilat trupi ynë është krijuar.
Gjithashtu, ulja e konsumimit të ushqimeve shumë të përpunuara ndihmon, pasi ato shpesh nuk na ngopin dhe na bëjnë të duam më shumë.
Një qasje më e zgjuar
Ekspertët sugjerojnë një “mendësi kënaqësie” ndaj ushqimit, pra të siguroheni që trupi merr atë që i duhet, pa u fokusuar te privimi.
“Besojini vetes dhe trupit tuaj që do të kërkojë ushqimet e duhura në kohën e duhur”, ka thënë Crum.
Në fund, edhe një ëmbëlsirë herë pas here, e shijuar pa faj, mund të jetë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm dhe të ndihmojë në ruajtjen e peshës.