Një pilulë e re ditore mund të ndihmojë njerëzit të ruajnë peshën pas ndërprerjes së injeksioneve për dobësim, sipas një studimi të ri shkencor.
Ilaçi quhet Orforglipron dhe aktualisht është i disponueshëm në SHBA, ndërsa pritet të dalë së shpejti edhe në tregun britanik, ka shkruar BBC.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudimi, i publikuar në Nature Medicine dhe i financuar nga kompania farmaceutike Eli Lilly, ka treguar se pacientët që morën pilulën çdo ditë për një vit shmangën rikthimin e peshës pasi ndalën injeksionet GLP-1, për dobësim.
Kompania Eli Lilly prodhon gjithashtu injeksionin për humbje peshe Mounjaro.
Ekspertët thonë se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar sa gjatë duhet të vazhdojë trajtimi, dhe nuk përjashtohet mundësia që disa pacientë të kenë nevojë ta përdorin për gjithë jetën.
Sipas doktoreshës, Marie Spreckley nga Universiteti i Cambridget, marrja e një pilule mund të jetë më tërheqëse për pacientët sesa injeksionet.
“Ende nuk e dimë sa afatgjata do të jenë këto efekte. Ky studim forcon idenë në rritje se obeziteti është një sëmundje kronike që shpesh kërkon trajtim dhe mbështetje të vazhdueshme”, ka thënë ajo.
Orforglipron funksionon në mënyrë të ngjashme me injeksionet për dobësim, duke imituar një hormon natyral që ul oreksin dhe krijon ndjenjën e ngopjes për më gjatë.
Në SHBA, ilaçi kushton rreth 149 dollarë në muaj për dozën më të ulët, shumë më lirë sesa disa injeksione GLP-1, të cilat mund të kushtojnë mbi 1 mijë dollarë në muaj.
Nuk dihet ende se sa do të kushtojë në Britani, pasi ende nuk është hedhur në treg.
Edhe kompania rivale Novo Nordisk ka zhvilluar një version oral të ilaçit Wegovy, i cili tashmë është miratuar në SHBA dhe pret aprovimin në Britani.
Studimi ka përfshirë 376 pjesëmarrës në SHBA, të cilët kishin përdorur për më shumë se një vit injeksione si Mounjaro ose Wegovy dhe kishin humbur me sukses peshë.
Pasi ndalën injeksionet, pjesëmarrësit morën për një vit ose pilulën Orforglipron ose placebo, pa e ditur se cilin trajtim po përdornin.
Në fund të studimit, ata që morën pilulën arritën të ruanin mbi 70 për qind të humbjes së mëparshme të peshës, ndërsa grupi placebo ruajti vetëm rreth 38 deri në 50 për qind.
Efektet anësore ishin të zakonshme, por kryesisht të lehta, duke përfshirë të përziera, kapsllëk dhe diarre.
Doktori Simon Cork nga Universiteti Anglia Ruskin e quajti studimin “shumë të rëndësishëm”.
“Ky studim trajton një problem kyç të ilaçeve injektuese për dobësim, rikthimin e madh të peshës pasi pacientët ndalojnë trajtimin”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pacientët që morën pilulën ruajtën gjithashtu përmirësimet në tensionin e gjakut, yndyrat në gjak dhe nivelin e sheqerit.
Sipas ekspertëve, kjo mund të ndihmojë në uljen e rrezikut afatgjatë për sëmundje të zemrës dhe probleme të tjera që lidhen me obezitetin.