Ndërkohë që shumë njerëz përpiqen ta bëjnë ushtrimet fizike të jenë më argëtuese, nuk ia dalin gjithmonë. Në vend se ta detyroni veten të filloni të vraponi apo të riktheheni në atë fitnesin që nuk iu pëlqeu, zgjidhja mund të jetë më e thjeshtë: ta përputhni aktivitetin fizik me tipin tuaj të personalitetit.
Këtë e ka sugjeruar një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Psychology, i cili zbuloi se njerëzit me tipare të ndryshme të personalitetit kanë prirje të preferojnë mënyra të ndryshme për të bërë ushtrime, ka raportuar CNN.
“Personaliteti ndikon në llojet dhe intensitetin e ushtrimeve që na tërheqin. Nëse e kuptojmë këtë, mund të ndërtojmë një qasje më të suksesshme për t’i aktivizuar fizikisht njerëzit që janë pasivë”, ka thënë doktoresha Flaminia Ronca, bashkautore e studimit dhe pedagoge në University College London.
Çfarë lloj ushtrimi të shkon më shumë?
-Ekstrovertët (individët qe janë më shoqërorë e energjikë): preferojnë ushtrime me intensitet të lartë dhe në grup, si sportet ekipore apo klasat kolektive.
-Të prirurit drejt neuroticizmit (individët që janë emocionalisht të ndjeshëm, të shqetësuar): parapëlqejnë ushtrime në vetmi, në shtëpi, me intensitet të ulët dhe me pushime të shkurtra mes tyre.
-Personat me ndërgjegje të lartë: kanë qasje më të balancuar dhe të qëndrueshme ndaj aktivitetit fizik, sepse ndihen të motivuar nga përfitimet shëndetësore.
“Individët e ndërgjegjshëm e bëjnë ushtrimin sepse e dinë që është i mirë për ta”, ka shpjeguar Ronca për CNN.
Si ndikon kjo në motivin për t’u ushtruar?
Sipas studimit, vetëm 22.5% e të rriturve dhe 19% e adoleshentëve në botë arrijnë të kryejnë 150 minuta aktivitet fizik në javë, siç rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas doktorëve, kjo qasje e personalizuar mund të ndihmojë shumë.
Doktoresha Angelina Sutin, profesoreshë në Florida State University që studion lidhjet mes personalitetit dhe shëndetit (por që nuk mori pjesë në studim) këshillon njerëzit të bëjnë ushtrime intensive në intervale të shkurtra.
“Normalisht u themi njerëzve thjesht: ‘Stërvitja me intervale të shkurtra e intensive është e mirë për ju, prandaj bëjeni’. Por nëse dikush ka personalitet të ndjeshëm (neurotic), nuk do ta bëjë atë. Ndërkohë, edhe ushtrimet me intensitet të ulët sjellin përfitime. Nëse e dimë tipin e personalitetit, mund të ofrojmë zgjidhje më realiste që njerëzit t’i ndjekin”, ka thënë ajo.
Ronca ka theksuar se tiparet e personalitetit nuk janë të ndara, por ndërveprojnë mes vete.
“Disa njerëz janë njëkohësisht emocionalisht të ndjeshëm dhe të ndërgjegjshëm, që do të thotë se edhe pse ushtrimi mund t’u shkaktojë ankth, ata gjithsesi e bëjnë sepse e dinë që është i dobishëm për ta”, ka thënë ajo.
Si u zhvillua studimi?
132 persona të moshës 25-51 vjeç plotësuan një pyetësor mbi personalitetin, bazuar në modelin e njohur me 5 tipare:
ekstrovertët, neuroticizëm, ndërgjegjshmëri, pajtueshmëri dhe hapje ndaj përvojave të reja.
Më pas, ata u ndanë në dy grupe:
-Një grup ndoqi një program 8-javor me ushtrime çiklizmi dhe forcë
-Grupi tjetër bëri vetëm 10 minuta ushtrime shtrirjeje në javë
Vetëm 86 pjesëmarrës e përfunduan eksperimentin, por rezultatet ishin domethënëse.
“Të gjithë përmirësuan aftësinë fizike, por ndryshimet në kënaqësinë nga ushtrimet ishin të mëdha. Ekstrovertët i shijuan testet e fitnesit me intensitet të lartë në laborator, ndërsa njerëzit me nivel të lartë neuroticizmi preferuan stërvitjen e lehtë në shtëpi”, ka thënë Ronca.
Ushtrimet ulën nivelin e stresit
Studimi gjithashtu tregoi se ushtrimet ndikojnë ndryshe në nivelin e stresit, në varësi të personalitetit.
“Personat me neuroticizëm të lartë patën rënie të dukshme të stresit pas 8 javësh ushtrime, më shumë se çdo grup tjetër. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm për t’u dhënë njerëzve që vuajnë nga ankthi ose stresi i përditshëm”, ka thënë Ronca.
Profesori, Paul Burgess, bashkëautor i studimit dhe profesor i neuroshkencës në University College London, ka thënë se nuk është e nevojshme që të gjithë njerëzit të ushtrojnë në të njëjtën mënyrë.
“Ka rrezik që njerëzve t’u imponohet një ide që ushtrimi duhet të jetë serioz, konkurrues dhe i lodhshëm. Por shumë personalitete nuk e përballojnë këtë stres”, ka thënë ai.