Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Nivele të larta mikroplastikash gjenden te personat që kanë kaluar infarkt

Mikroplastika

Mikroplastika

Foto: Associated Press

Një studim i ri ka zbuluar se personat që kanë mbijetuar një infarkti të rëndë në zemër kanë nivele më të larta të grimcave të vogla plastike në gjakun e tyre, duke ngritur shqetësime për një lidhje të mundshme mes ndotjes plastike dhe shëndetit të zemrës, ka shkruar The Independent.

Studiues nga Universiteti i Kampanias në Itali kanë zbuluar grimca mikroplastike në gjakun që furnizon zemrën te 84 për qind e pacientëve që kanë pasur infarkt, krahasuar me 40 për qind të personave me sëmundje kronike të arterieve të zemrës dhe 32 për qind të atyre me arterie normale.

Studimi, i publikuar në European Heart Journal, ka përfshirë 61 pacientë në Itali. Studiuesit analizuan edhe faktorë si duhanpirja dhe ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit.

Rezultatet treguan se duhanpirësit kishin rreth gjashtë herë më shumë gjasa të kishin mikroplastika në gjak. Gjithashtu, personat e ekspozuar ndaj niveleve më të larta të ndotjes së ajrit kishin më shumë grimca plastike në organizëm.

“Mikroplastikat tashmë gjenden pothuajse kudo në mjedis, në ajrin që thithim, ujin që pimë dhe shumë ushqime që konsumojmë. Vitet e fundit, shkencëtarët kanë filluar t’i zbulojnë këto grimca në indet dhe organet e njeriut, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tyre në shëndet”, ka thënë doktori Pasquale Paolisso, autori kryesor i studimit.

Edhe Mikroplastika është gjetur në tumoret e prostatës Lifestyle 4 muaj më parë Mikroplastika është gjetur në tumoret e prostatës

Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet nuk provojnë se mikroplastikat shkaktojnë drejtpërdrejt infarkte, por tregojnë një lidhje të fortë mes ekspozimit ndaj plastikës, pranisë së saj në gjak dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

“Këto rezultate nuk dëshmojnë se mikroplastikat shkaktojnë infarkt, por tregojnë një lidhje të rëndësishme mes ekspozimit mjedisor, mikroplastikave në gjak dhe sëmundjeve të zemrës”, ka thënë Emanuele Barbato nga Universiteti Sapienza i Romës.

Ekspertë të tjerë kërkuan kujdes në interpretimin e rezultateve, duke theksuar se studimi ishte i vogël dhe se metoda e matjes mund të ketë ende kufizime.

Mikroplastikat vijnë nga ambalazhet, gomat e makinave, veshjet, produktet shtëpiake dhe kozmetika. Ato mund të hyjnë në trup përmes ushqimit, ujit, ajrit dhe kontaktit me lëkurën.

Edhe Për të frenuar mikroplastikën, kërkohen zgjidhje më të qëndrueshme Lifestyle 4 muaj më parë Për të frenuar mikroplastikën, kërkohen zgjidhje më të qëndrueshme

Sipas shkencëtarëve, nevojiten më shumë studime për të kuptuar ndikimin afatgjatë të këtyre grimcave, por rezultatet e reja e forcojnë idenë se ndotja plastike duhet trajtuar jo vetëm si problem mjedisor, por edhe si çështje e shëndetit publik.

“Politikat që ulin ndotjen e ajrit, ekspozimin ndaj duhanit dhe ndotjen plastike mund të sjellin përfitime jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e zemrës”, ka thënë Barbato.