Një studim i ri shkencor po ndryshon mënyrën si njerëzit e kuptojnë agjërimin me ndërprerje dhe ndikimin e tij në jetëgjatësi.
Hulumtimi, i publikuar në Nature Communications nga studiues të UT Southwestern Medical Center, sugjeron se përfitimet nuk vijnë vetëm nga periudha e agjërimit, por nga ajo që ndodh pasi fillojmë të hamë sërish, ka raportuar SciTechDaily.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShkencëtarët kanë ditur prej kohësh se kufizimi i kalorive lidhet me jetë më të gjatë. Por arsyeja pse agjërimi me ndërprerje funksionon shpesh më mirë se dietat e vazhdueshme, ka qenë një mister.
“Zbulimet tona e zhvendosin fokusin te një fazë që është lënë pas dore, momenti kur rifillojmë të ushqehemi. Të dhënat tregojnë se përfitimet nuk vijnë vetëm nga agjërimi, por nga mënyra si trupi rregullon metabolizmin kur fillon të ha”, ka thënë udhëheqësi i studimit, Peter Douglas.
Studimi është bërë te një lloj krimbi laboratorik, Caenorhabditis elegans, që përdoret shpesh në kërkime shkencore, por rezultatet mund të ndihmojnë në të ardhmen për të kuptuar edhe trupin e njeriut.
Çka ndodh në trup gjatë agjërimit?
Gjatë agjërimit, trupi fillimisht përdor rezervat e sheqerit apo glukozës. Kur këto mbarojnë, ai kalon në djegien e yndyrave për energji, një proces që quhet katabolizëm.
Ky proces kontrollohet nga një proteinë e quajtur NHR-49. Kur nuk ka ushqim, kjo proteinë aktivizohet dhe ndihmon në djegien e yndyrës. Kur fillojmë të hamë sërish, ajo fiket dhe trupi fillon të rindërtojë rezervat.
Shkencëtarët kanë zbuluar se edhe kur kjo proteinë hiqet, përfitimet e agjërimit në jetëgjatësi vazhdojnë. Krimbat që iu nënshtruan agjërimit si pjesë e studimit jetonin rreth 41 për qind më gjatë dhe kishin më shumë energji.
Pra, çelësi nuk është vetëm djegia e yndyrës gjatë agjërimit.
Çka ndodh pas agjërimit?
Studiuesit u fokusuan te faza kur rifillon ushqyerja. Ata zbuluan se është shumë e rëndësishme që procesi i djegies së yndyrës të ndalet në kohën e duhur.
Një enzimë e quajtur 'proteinë kinase CK1 alpha 1' ndihmon në “fikjen” e proteinës NHR-49 pasi fillon ushqyerja.
Kur shkencëtarët bënë që kjo proteinë të mbetej aktive edhe pas ushqimit, trupi vazhdoi të digjte yndyrë pa ndalim, dhe përfitimet e agjërimit u zhdukën.
Kjo tregon se balanca është thelbësore: trupi duhet të dijë kur të djegë yndyrë dhe kur të ndalojë.
Çka do të thotë kjo për njerëzit?
Ky studim sugjeron se përfitimet e agjërimit me ndërprerje lidhen shumë me fleksibilitetin e metabolizmit, aftësinë e trupit për të kaluar nga një gjendje në tjetrën në mënyrë efikase.
Në të ardhmen, shkencëtarët shpresojnë të gjejnë mënyra për të imituar këtë proces pa pasur nevojë për dieta të rrepta.
“Duke u fokusuar te plakja, faktori kryesor i rrezikut për shumicën e sëmundjeve, ne mund të kalojmë nga trajtimi i sëmundjeve të veçanta drejt parandalimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës”, ka thënë Douglas.