Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Mënyra e thjeshtë dhe efektive për përmirësimin e kujtesës

Truri

Truri

Një mënyrë shumë e thjeshtë dhe efektive për përmirësimin e kujtesës është aktiviteti fizik, qoftë edhe për disa minuta.

Studimet tregojnë se ushtrimet aerobike si ecja e shpejtë apo biçikleta krijojnë “valë” aktiviteti në tru që ndihmojnë në ruajtjen dhe rikujtimin e informacionit, ka raportuar BBC.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kujtesa shpesh mund të jetë e paqëndrueshme, një moment e ke informacionin dhe në tjetrin e harron. Por sipas hulumtimeve, një aktivitet i shkurtër fizik mund t’i japë një “shtysë” të menjëhershme për trurin.

Shkencëtarët kanë zbuluar se ushtrimet ndikojnë drejtpërdrejt në hippocampus, pjesa e trurit që është thelbësore për kujtesën. Aktiviteti fizik jo vetëm që e forcon këtë zonë, por edhe mund ta zmadhojë atë me kalimin e kohës.

Një zbulim interesant është edhe koha kur ushtrohesh: një shëtitje rreth katër orë pasi ke mësuar diçka të re mund të ndihmojë më shumë në mbajtjen mend, krahasuar me ushtrimet menjëherë pas mësimit. Ndërkohë, ushtrimet e lehta si zgjatja e muskujve nuk japin të njëjtin efekt.

Një studim i fundit, i udhëhequr nga neuroshkencëtarja Michelle Voss nga Universiteti i Iowas, ka hedhur më shumë dritë mbi këtë proces.

Shkencëtarët vëzhguan aktivitetin e trurit te 14 persona pas ushtrimeve dhe zbuluan shpërthime të vogla elektrike mes qelizave nervore, të quajtura “ripples” (valë të trurit). Këto valë ndihmojnë trurin të organizojë dhe të ruajë kujtimet.

“Ne pamë që pas ushtrimeve kishte rritje të këtyre valëve në zonat e trurit që lidhen me kujtesën”, ka shpjeguar Voss.

Këto sinjale janë shumë të shpejta dhe nuk kapen nga skanimet e zakonshme të trurit, duke e bërë këtë studim një nga të parët që tregon drejtpërdrejt si ndikojnë ushtrimet në aktivitetin elektrik të trurit.

Ekspertët besojnë se kjo është arsyeja pse njerëzit e mbajnë mend më mirë informacionin kur bëjnë pak aktivitet fizik pas mësimit. Edhe një ushtrim i shkurtër mund të bëjë diferencë.

Përveç kujtesës, aktiviteti fizik ka edhe përfitime të tjera për trurin, përmirëson përqendrimin deri në dy orë pas ushtrimit, rrit nivelin e hormonit të lumturisë (dopaminës) dhe ndihmon në mbrojtjen nga rënia e funksioneve të aftësive njohëse me kalimin e moshës.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është proteina Brain-Derived Neurotrophic Factor (BDNF), e cila ndihmon në krijimin e lidhjeve të reja në tru. Sa më aktiv të jesh fizikisht, aq më shumë prodhon trupi këtë proteinë.

“Ka një arsye për të qëndruar aktiv, sepse çdo herë përfiton më shumë. Nëse ushtron për gjashtë javë, përfitimet nga çdo seancë tjetër do të jenë edhe më të mëdha”, ka thënë studiuesja Flaminia Ronca nga University College London.