Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Mbipesha në moshë madhore rrit për pesë herë rrezikun për kancer

CT

Foto: Associated Press

Shtimi në peshë gjatë moshës madhore mund ta rrisë rrezikun për kancer deri në pesë herë, sipas një studimi të ri të bërë në Suedi ku u analizuan më shumë se 600 mijë persona, ka raportuar The Guardian.

Studimi, i prezantuar në “European Congress on Obesity” në Stamboll, sugjeron se nuk ekziston një “moshë e sigurt” për shtimin e tepërt në peshë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Obeziteti lidhet me të paktën 13 lloje të ndryshme kanceri dhe dyshohet se ka lidhje edhe me tetë të tjera. Megjithatë, deri tash dihej më pak për ndikimin që ka sasia e kilogramëve të shtuar dhe periudha e jetës kur ndodh shtimi në peshë.

Për ta studiuar këtë, shkencëtarët nga Universiteti Lund analizuan të dhënat për peshën dhe rastet e kancerit te më shumë se 250 mijë burrave dhe rreth 380 mijë grave.

Pesha e pjesëmarrësve u mat mesatarisht katër herë nga mosha 17 deri në 60 vjeç, ndërsa diagnozat e kancerit u ndoqën deri në vitin 2023.

Rezultatet treguan se si pesha e tepërt në moshë të re, ashtu edhe shtimi i kilogramëve gjatë viteve të mëvonshme, shoqëroheshin me rritje të rrezikut për kancer.

“Sa më e tepërt që ishte pesha fillestare dhe sa më i madh shtimi në peshë, aq më i lartë ishte rreziku për kancer”, ka thënë Anton Nilsson, autori kryesor i studimit.

Studimi ka zbuluar se burrat që u bënë obezë para moshës 30-vjeçare kishin pesë herë më shumë rrezik për kancer të mëlçisë, dy herë më shumë rrezik për kancer të pankreasit dhe veshkave dhe 58 për qind më shumë rrezik për kancer të zorrës së trashë.

Ndërkohë, gratë që zhvilluan obezitet para moshës 30-vjeçare kishin katër herë e gjysmë më shumë rrezik për kancer të mitrës, 67 për qind më shumë rrezik për kancer të pankreasit, dyfish rrezik për kancer të veshkave dhe 76 për qind më shumë rrezik për meningiomë, një tumor që prek trurin dhe membranat përreth tij.

Sipas studiuesve, kishte dallime edhe mes burrave dhe grave për ata që shtuan peshë më vonë në jetë.

Te gratë, shtimi në peshë pas moshës 30-vjeçare lidhej fort me kancerin e mitrës, kancerin e gjirit pas menopauzës, meningiomën dhe kancerin e zorrës së trashë.

Ekspertët besojnë se hormonet seksuale luajnë rol të rëndësishëm në këto raste.

Te burrat, lidhja më e fortë u pa kur shtimi në peshë ndodhte para moshës 45-vjeçare, sidomos për kancerin e ezofagut dhe të mëlçisë.

“Ndoshta sepse shtimi më i hershëm në peshë i jep më shumë kohë proceseve biologjike si inflamacioni dhe nivelet e larta të insulinës të ndikojnë në indet e ndjeshme”, ka thënë Nilsson.

Personat që shtuan më shumë kilogramë, mesatarisht 32 kilogramë, kishin 7 për qind më shumë gjasa të zhvillonin kancer krahasuar me ata që shtuan më pak peshë, rreth 8 kilogramë.

Burrat që shtuan më shumë peshë kishin pothuajse trefish rrezik për kancer të mëlçisë, më shumë se dyfish rrezik për kancer të ezofagut, trefish rrezik për tumore të hipofizës dhe mbi 50 për qind më shumë rrezik për disa lloje të kancerit të veshkave, stomakut dhe zorrës së trashë.

Ndërsa gratë që shtuan më shumë kilogramë kishin gati katër herë më shumë rrezik për kancer të mitrës, dyfish rrezik për tumore të hipofizës, 91 për qind më shumë rrezik për kancer të veshkave, 42 për qind më shumë rrezik për kancer të gjirit pas menopauzës, 32 për qind më shumë rrezik për meningiomë dhe 31 për qind më shumë rrezik për kancer të zorrës së trashë.

Studimi ka treguar se edhe shtimi më i vogël në peshë shoqërohej me rritje të rrezikut për kancer, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së një peshe të qëndrueshme gjatë gjithë jetës.

“Rezultatet tona tregojnë rëndësinë e ruajtjes së një peshe të shëndetshme dhe stabile gjatë gjithë moshës madhore”, ka thënë Nilsson.

Duke komentuar studimin, përfaqësuesit e “Cancer Research UK”, kanë deklaruar se obeziteti dhe mbipesha janë shkaku i dytë më i madh i kancerit në Britani.

“Qeveria duhet të bëjë më shumë për t’i ndihmuar njerëzit të mbajnë një peshë më të shëndetshme”, ka thënë Megan Winter nga “Cancer Research UK”.

Ajo ka shtuar se kufizimi i reklamave të ushqimeve të pashëndetshme, promovimi i ushqimit të shëndetshëm dhe rritja e qasjes në ushqime me vlera ushqyese mund të ndihmojnë në uljen e obezitetit dhe përmirësimin e shëndetit publik.