Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Karbohidratet që duhet t’i konsumojnë personat me sëmundje të zemrës

Buka

Buka

Shumë njerëz që diagnostikohen me sëmundje të zemrës mendojnë se duhet të heqin dorë nga karbohidratet. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo nuk është zgjedhja më e mirë. Kufizimi i tepërt i tyre mund ta privojë organizmin nga fibrat, lëndë ushqyese që ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundjet e zemrës, ka shkruar EatingWell.

“Karbohidratet që përmbajnë fibra dhe antioksidantë ndihmojnë shëndetin e zemrës duke ulur kolesterolin e keq (LDL), duke balancuar sheqerin në gjak, duke ndihmuar në kontrollin e peshës dhe duke reduktuar inflamacionin”, ka thënë dietologia Sheri Gaw.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dietologët rekomandojnë këto pesë ushqime të pasura me karbohidrate:

Tërshëra, është e pasur me beta-glukan, një fibër që ndihmon në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak.

“Tërshëra është efektive sidomos në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak LDL, sepse fibra e saj e tretshme lidhet me kolesterolin në sistemin tretës dhe ndihmon në largimin e tij nga organizmi”, ka shpjeguar dietologia Lisa Young.

Bishtajoret, si fasulet, thjerrëzat dhe qiqrat janë burime të shkëlqyera të proteinave bimore, fibrave, kaliumit dhe magnezit, që ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të yndyrës së dëmshme në gjak dhe tensionit të gjakut.

“Zëvendësimi i mishit me proteina bimore nga thjerrëzat, qiqrat ose djathi tofu ndihmon në uljen e yndyrave të ngopura dhe rrit marrjen e fibrave të tretshme, duke reduktuar krijimin e pllakave në enët e gjakut”, ka thënë Gaw.

Frutat e malit si boronicat, dredhëzat dhe manaferrat janë të pasura me antioksidantë që mbrojnë enët e gjakut.

“Antioksidantët në frutat e malit luftojnë stresin oksidativ dhe zvogëlojnë inflamacionin kronik, i cili lidhet ngushtë me përparimin e sëmundjeve kardiovaskulare”, ka thënë dietologia Devan Herring.

Patatet e ëmbla, janë të pasura me fibra, kalium dhe beta-karoten, të cilat ndihmojnë në mbajtjen e tensionit të gjakut në nivele të shëndetshme.

“Kaliumi ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut duke balancuar efektin e natriumit në organizëm, ndërsa fibrat ndihmojnë në mbajtjen e nivele të shëndetshme të yndyrës në gjak”, ka thënë Young.

Drithërat integrale, si orizi i kaftë, quinoa, e elbi përmbajnë më shumë fibra, magnez dhe vitamina sesa drithërat e rafinuara.

“Konsumimi i rregullt i drithërave integrale lidhet vazhdimisht me rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe ndihmon në mbajtjen e një peshe të shëndetshme”, ka thënë Herring.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu të kontrolloni porcionet, t’i kombinoni karbohidratet me proteina ose yndyra të shëndetshme si arrat, avokado dhe vaji i ullirit, si dhe të konsumoni fruta të plota në vend të lëngjeve.

Sipas dietologëve, personat me sëmundje të zemrës nuk duhet t’i shmangin karbohidratet, por të zgjedhin burime të shëndetshme dhe sa më pak të përpunuara.

Kjo ndihmon në mbajtjen nën kontroll të nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak, tensionit të gjakut dhe shëndetit të zemrës në përgjithësi.