Lifestyle

Implanti revolucionar ndihmon të verbërit të lexojnë sërish

verbëria

Verbëria

Një grup pacientësh të verbër në Londër mund të lexojnë sërish, falë një implanti revolucionar në pjesën e pasme të syrit që po ndryshon jetën e tyre.

Kirurgu Mahi Muqit, nga spitali Moorfields Eye Hospital, i cili vendosi mikroçipin te pesë pacientë, ka thënë për BBC se rezultatet janë “të jashtëzakonshme”.

Njëra prej pacienteve, Sheila Irvine, 70 vjeçe, e regjistruar si e verbër, u shpreh shumë emocionuar.

“Është diçka e jashtëzakonshme, mund të lexoj sërish dhe të plotësoj fjalëkryqe. Është e bukur, e mrekullueshme. Më jep kaq shumë kënaqësi”, ka thënë ajo.

Teknologjia u jep shpresë njerëzve që vuajnë nga degjenerimi makular i thatë i lidhur me moshën (AMD), në fazën e avancuar, që njihet si atrofi gjeografike (GA), një sëmundje që prek mbi 250 mijë persona në Britani dhe rreth pesë milionë në botë.

Si funksionon implanti

Procedura përfshin vendosjen nën retinë të një mikroçipi, sa trashësia e një fije floku.

Pacientët më pas vendosin syze me kamera të integruar, të cilat dërgojnë imazhe me rreze infra të kuqe te implanti, i cili i transmeton ato në tru përmes nervit optik. Pas kësaj, pacientët mësojnë gradualisht si t’i interpretojnë imazhet.

Kirurgu Muqit e përshkroi teknologjinë si “pionere dhe që ndryshon jetën”.

“Ky është implanti i parë që u jep pacientëve shikim të kuptueshëm dhe të dobishëm në jetën e përditshme, për shembull, për lexim apo shkrim. Mendoj se është një përparim i madh”, ka thënë kirurgu.

Rezultatet e studimit

Sipas kërkimit të botuar në New England Journal of Medicine, 38 pacientë nga pesë vende evropiane morën pjesë në testimin e implantit Prima, të prodhuar nga kompania kaliforniane Science Corporation.

Nga 32 pacientë që vendosën implantin, 27 rifituan aftësinë për të lexuar me shikimin qendror.

Pas një viti, kjo përfaqësonte një përmirësim prej 25 shkronjash (ose pesë rreshtash) në tabelën e syve.

Për Sheilan, përmirësimi ishte edhe më i madh. Pa implantin, ajo nuk mund të lexonte asnjë fjalë. Por gjatë testimit në spital, ajo ka lexuar të gjitha shkronjat pa asnjë gabim.

“Jam një lepurushe e lumtur! Është e pabesueshme. Teknologjia po ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jam krenare që jam pjesë e saj”, ka thënë ajo pas testit.

Ajo tani mund të lexojë postën, librat dhe të bëjë sudoku, megjithëse pajisja kërkon përqendrim të madh dhe nuk e mban kur është jashtë shtëpisë.

Shpresa për të ardhmen

Implanti ende nuk është i licencuar dhe është në fazë testimi, ndaj nuk mund të përdoret jashtë studimeve klinike.

Megjithatë, Muqit shpreson se “brenda pak vitesh” mund të jetë i disponueshëm për disa pacientë të Shërbimit Shëndetësor në Britani (NHS).

Sipas doktorit Peter Bloomfield, drejtor studimesh në Macular Society, rezultatet janë “inkurajuese” dhe “lajm fantastik” për pacientët që nuk kanë pasur asnjë trajtim deri tani.

“Shikimi artificial mund të ofrojë shumë shpresë, sidomos pas zhgënjimeve të mëparshme në trajtimin e AMD-së së thatë. Ne po e ndjekim me vëmendje për të parë nëse implanti Prima do të aprovohet në Britani dhe nëse mund të ofrohet përmes NHS-së”, ka thënë Bloomfield.

Ky zbulim u hap rrugën edhe mundësive të reja për trajtimin e sëmundjeve të tjera të syrit në të ardhmen.