Testosteroni, dikur i njohur si “hormoni i burrave”, po përmendet gjithnjë e më shumë si sekret për energji, humor dhe dëshirë seksuale më të mirë edhe te gratë.
“Para disa vitesh askush nuk fliste për testosteronin te gratë. Tani është kudo”, ka thënë Susan Davis, profesoreshë në Universitetin Monash dhe një nga studiueset kryesore të këtij hormoni, ka shkruar National Geographic.
Ndërsa shumë gra kërkojnë mënyra për të menaxhuar simptomat e menopauzës, nga nxehtësia e trupit deri te lodhja, mjegulla mendore dhe mungesa e dëshirës seksuale, testosteroni po promovohet si zgjidhje moderne për energji dhe përqendrim. Por, sipas Davis, kjo valë popullariteti po ndodh më shpejt sesa arrin ta ndjekë mjekësia.
“Shumë njerëz po e marrin pa e kuptuar plotësisht”, ka paralajmëruar ajo.
Kur ndihmon testosteroni
Ani pse lidhet më shpesh me burrat, testosteroni është i domosdoshëm edhe për trupin e gruas. Ai prodhohet nga vezoret dhe gjëndrat mbiveshkore dhe ndihmon në rregullimin e dëshirës seksuale, ruajtjen e eshtrave e muskujve, si dhe në humor dhe energji.
“Por testosteroni është hormoni, rolin e të cilit e kemi kuptuar më pak te gratë”, ka thënë Nora Lansen, mjeke e certifikuar për menopauzë në Elektra Health.
Pas një studimi në fillim të viteve 2000 që lidhi terapinë hormonale zëvendësuese (HRT) me rrezik të shtuar për kancer gjiri, sulm në tru dhe mpiksje gjaku, interesimi për HRT ra ndjeshëm, ani pse më vonë u zbulua se studimi kishte mangësi.
Sot, e vetmja arsye mjekësore e provuar për përdorimin e testosteronit te gratë është trajtimi i dëshirës seksuale të ulët pas menopauzës, i njohur si çrregullimi i dëshirës seksuale hipoaktive (HSDD).
“Çdo studim, pa marrë parasysh madhësinë, ka treguar përmirësim krahasuar me placebo”, ka shpjeguar Davis.
Megjithatë, shumë gra që vuajnë nga mungesa e dëshirës seksuale nuk marrin trajtimin e duhur.
“Shkojnë te mjeku dhe u thuhet: ‘Ti je 60 vjeçe, çfarë pret? Kjo është normale për moshën tënde’”, ka thënë Davis.
Por sipas Lansen, nëse kjo ndikon në mirëqenien personale apo në marrëdhënie, testosteroni mund të jetë një opsion.
Jo të gjitha gratë përfitojnë, rreth 60 për qind raportojnë përmirësim. Dëshira seksuale ndikohet edhe nga faktorë të tjerë si stresi, marrëdhëniet, medikamentet dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore.
“Është përvojë shumë personale”, ka thënë Lansen.
Për momentin, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për ta rekomanduar këtë terapi te gratë para menopauzës.
Kur testosteroni nuk ndihmon (të paktën për tani)
Në internet gjenden pretendime se testosteroni ndihmon për më shumë energji, humor më të mirë, eshtra më të forta apo muskuj më të zhvilluar, por studimet nuk e mbështesin këtë.
“Ka njerëz që po marrin testosteron me shpresën se do të ndihen më mirë, me më shumë energji dhe gjallëri. Por s’kemi të dhëna të mjaftueshme që ta dëshmojnë këtë”, ka thënë Davis.
Disa studime tregojnë përmirësime të lehta në humor, por jo më shumë se një placebo. Përsa i përket eshtrave, roli i testosteronit ende nuk është i qartë.
“Reklamimi i testosteronit si zgjidhje për të gjitha këto probleme është i parakohshëm dhe i ekzagjeruar”, ka shtuar Lansen.
Pse trajtimi mbetet i paqartë
Një nga sfidat më të mëdha është mungesa e një doze standarde për gratë. Në Australi ekziston një formulë specifike për gra që prej 20 vjetësh, por në SHBA dhe shumicën e vendeve të tjera jo. Kështu që mjekët japin doza të vogla të versionit për meshkuj.
“Ne përpiqemi të përafrojmë një dozë të përshtatshme për gruan, rreth një të dhjetën e dozës së burrave, pasi burrat kanë 10 deri në 20 herë më shumë testosteron në sistemin e tyre”, ka thënë Lansen.
Por Davis ka paralajmëruar se kjo mbetet një hamendje. Nëse doza është shumë e lartë, mund të shkaktojë efekte anësore si yndyrë e shtuar në lëkurë, rritje të qimeve, akne dhe rënie flokësh.
“Kam parë gra që janë dëmtuar rëndë nga doza të larta”, ka treguar Davis.
Matja e testosteronit nuk e thjeshton situatën. Nivelet e tij ndryshojnë natyrshëm te gratë, ndaj nuk ka një kufi të qartë që tregon mungesë.
“Shumë gra me nivele të ulëta në gjak nuk kanë simptoma. Dhe shumë gra me nivele normale, por me dëshirë të ulët seksuale, mund të përfitojnë sërish”, ka shpjeguar Davis.
Pa miratimin e FDA-së, siguria e trajtimeve ndryshon: kremrat dhe ngjitëset konsiderohen më të sigurta, ndërsa pilulat dhe injeksionet bartin më shumë rrezik për yndyrën e dëmshme në gjak dhe zemrën.
Si të veprohet me kujdes
Ekspertët këshillojnë që çdo terapi me testosteron të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e një mjeku.
“Është shumë e rëndësishme të mos diagnostikosh veten apo të bësh marrëveshje online pa ndonjë mbikëqyrje mjekësore”, ka theksuar Lansen.
Në fund, testosteroni është vetëm një pjesë e mozaikut të shëndetit seksual. Trajtimet e tjera përfshijnë terapinë me estrogjen, ndryshimet në stilin e jetës, si reduktimi i stresit apo aktiviteti fizik, si dhe ilaçe jo-hormonale.
“Kemi mësuar shumë vitet e fundit dhe po mësojmë edhe më shumë. Është diçka pozitive që kjo temë më në fund po trajtohet hapur dhe po flitet kaq shumë për të”, ka thënë Lansen.