Lifestyle

Gjashtë ushqime të mira për hormonet që ju mbajnë energjikë gjithë ditën

Ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i shëndetshëm

Nëse pasdite ndiheni të lodhur, mos e fajësoni vetëm stresin. Shpesh, kjo lodhje vjen nga hormonet që kërkojnë pak kujdes. Kur i balanconi, keni më shumë energji, humor më të mirë dhe ndiheni shumë më mirë në përgjithësi. S’ka nevojë për dieta të ndërlikuara apo suplemente të kushtueshme, mjafton të shtoni ushqimet e duhura.

Doktoresha Prarthana Shah, ka treguar për gjashtë ushqime që ju japin energji të qëndrueshme gjatë gjithë ditës, ka raportuar Hindustan Times.

Hidratimi është thelbësor

Edhe pak dehidratim ul energjinë, sjell lodhje dhe e ngadalëson mendjen. Uji ndihmon transportin e lëndëve ushqyese dhe largon toksinat, procese që ndikojnë drejtpërdrejt tek hormonet.

“Zakonet e thjeshta e bëjnë më të lehtë qëndrimin të hidratuar, si të nisni ditën me ujë të ngrohtë me limon ose të mbani gjithmonë shishen e ujit me vete”, ka thënë doktoresha  për Health Shots

Mund ta bëni ujin më të shijshëm me fruta si manaferra ose me gjethe mente. Edhe kokosi, çajet bimorë dhe frutat ndihmojnë në hidratim.

Proteina, gjithmonë e para

Proteina mban të qëndrueshëm nivelin e sheqerit në gjak dhe shmang rëniet e energjisë.
Studime të botuara në Advances in Nutrition tregojnë se 15-20 gramë proteina në mëngjes përmirësojnë energjinë dhe humorin gjatë ditës.

Ushqime si vezët, kosi i kulluar e thjerrëzat ju mbajnë të ngopur më gjatë dhe ulin nivelin e kortizolit (hormoni i stresit).

“Të nisësh ditën me proteina ju jep energji të qëndrueshme dhe shmang dëshirën për ëmbëlsira”, ka thënë Shah.

Fibra për energji të qëndrueshme

Fibra e ngadalëson përthithjen e sheqerit dhe parandalon ngritjet e menjëhershme të energjisë, ndjekur nga rënie të forta.

Udhëzimet amerikane të ushqyerjes rekomandojnë 25 gramë fibra në ditë për gratë dhe 38 gramë për burrat.

Burimet më të mira: drithërat integrale, farat chia, tërshëra, bishtajoret dhe perimet.

“Zorra e shëndetshme ndihmon ekuilibrimin e hormoneve”, ka theksuar ekspertja.

Ajo ka këshilluar të shtoni fara chia në smoothie ose zëvendësoni orizin e bardhë me atë integral.

Yndyrat e shëndetshme

Yndyrat e mira ndihmojnë prodhimin e hormoneve si estrogjeni dhe testosteroni, dhe stabilizojnë sheqerin në gjak.

Burimet ideale: avokado, arra, farat, vaji i ullirit.

Omega-3 nga salmoni, farat e lirit dhe arrat ulin inflamacionin dhe përmirësojnë humorin.
Një lugë gjalp kikiriku me një mollë ose pak salcë guacamole, që përgatitet nga avokado, bëjnë diferencë të madhe.

Ushqimet e pasura me magnez

Kafeja ju zgjon shpejt, por magnezi ju mban energjikë gjatë ditës. Ai rregullon hormonet e stresit dhe ndihmon muskujt të rikuperohen.

Instituti Kombëtar i Shëndetit rekomandon 310-320 miligramë magnez në ditë për gratë dhe 400- 420 miligramë për burrat.

Magnezin e gjeni në: spinaq, fara, arra, banane dhe çokollatë të zezë.

“Kur keni mjaftueshëm magnez, ndiheni më pak të lodhur dhe më të përqendruar”, ka thënë Shah.

Zgjidhni karbohidrate që treten ngadalë

Karbohidratet e ngadalta si patatja e ëmbël, quinoa dhe tërshëra çlirojnë energji gradualisht.
Karbohidrate të shpejta si buka e bardhë dhe ëmbëlsirat rrisin menjëherë sheqerin në gjak dhe shkaktojnë rënie të shpejtë të energjisë më pas.

Karbohidratet që treten ngadalë kombinoni gjithmonë me proteina ose yndyra të mira, për shembull:
-quinoa + perime të pjekura
-tërshërë + gjalpë arre

Kështu, energjia juaj mbetet e qëndrueshme gjatë gjithë ditës.