Shpesh dëgjojmë këshilla për gjumë të mirë, por cila është mënyra ideale për t’u zgjuar në mëngjes? Ekspertët thonë se zakonet e duhura të zgjimit mund të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin dhe humorin tuaj, ka shkruar The New York Times.
Zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë
Sipas ekspertes së gjumit Mariana Figueiro nga Icahn School of Medicine në Mount Sinai, rutina e qëndrueshme është thelbësore.
“Gjithmonë them me shaka se mënyra më e mirë për t’u zgjuar është të marrësh një qen. Sepse një qen të detyron të zgjohesh çdo ditë në të njëjtën orë dhe të dalësh në diell, dy nga gjërat më të rëndësishme për zgjimin e shëndetshëm”, ka thënë ajo.
Edhe pse orari i zgjimit varet shpesh nga rutina ditore, sipas doktorit Daniel Barone nga Weill Cornell Center for Sleep Medicine, nuk ka orar ideal për zgjim.
“Nuk ka orar ideal për t’u zgjuar, për sa kohë që flini 7 deri në 9 orë çdo natë. Ajo që ka më shumë rëndësi është që të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë”, ka thënë ai.
Doktoresha Katherine Sharkey nga Brown University, ka theksuar se ritmet cirkadiane, që rregullojnë gjumin, metabolizmin, humorin dhe nivelin e energjisë, varen nga qëndrueshmëria.
“Zgjimi në orë të ndryshme çdo ditë mund të ndikojë negativisht në trupin tuaj dhe ta rrisë rrezikun për obezitet, diabet, sëmundje të zemrës dhe çrregullime të humorit”, ka thënë Sharkey.
Mos e prishni ritmin në fundjavë
Nëse gjatë fundjavës ndieni nevojë të flini më shumë, kjo është shenjë se nuk po flini mjaftueshëm gjatë javës. Figueiro ka sugjeruar që në vend të kësaj, të zgjoheni në orarin tuaj të zakonshëm dhe të bëni një sy gjumë gjatë ditës.
“Nëse vërtet keni nevojë të flini më gjatë, maksimumi mund të shtyni zgjimin me një orë. Më shumë se kaq mund të çojë në përgjumje, probleme me tretjen dhe përqendrimin – të ngjashme me lodhjen nga ndryshimi i zonës kohore, ose siç e quajmë ne, ‘jet lag social’”, ka shtuar Barone.
Drita e mëngjesit është çelësi
Ekspertët theksojnë se ekspozimi ndaj dritës menjëherë pas zgjimit është thelbësor.
“Sapo të zgjoheni, hapni perdet dhe ndizni dritat. Më pas, brenda një ore, përpiquni të dilni jashtë. Drita e mëngjesit sinjalizon trupin që ka nisur dita, duke liruar kortizolin, hormon që ju zgjon dhe përmirëson humorin”, ka thënë Figueiro.
Doktoresha Katherine Sharkey ka shtuar se edhe në ditë me re, drita natyrale është mjaftueshëm e fortë për ta rregulluar orën e brendshme të trupit.
“Kur drita prek sytë, ajo nis një ‘kronometër’ që pas disa orësh sinjalizon lirimin e melatoninës, hormonit të gjumit”, ka thënë doktoresha.
Një opsion i mirë në ditët e errëta është një llambë speciale ose orë me dritë të mëngjesit, që simulojnë lindjen e diellit.
“Nuk ka kohë fikse, por sa më shumë ekspozim ndaj dritës në mëngjes, aq më mirë. Një orë do ishte ideale, por edhe 15 minuta janë më mirë se asgjë”, ka thënë doktoresha Helen Burgess nga University of Michigan.
Hiqni dorë nga butoni “snooze”
Duket si luks, por shtyrja e alarmit nuk ju ndihmon.
“Nevoja për të shtyrë alarmi është një shenjë që trupi ka nevojë për më shumë gjumë”, ka thënë Sharkey.
Nëse keni mundësi ta shtyni zgjimin me 15 minuta, bëjeni që në fillim, jo përmes disa “snoozeve”.
Doktoresha Ann E. Rogers nga Emory University ka theksuar se është më mirë të vendosni alarmin për më vonë dhe të flini pa ndërprerje, sesa të zgjoheni dhe të bini përsëri në gjumë disa herë.
Rutina bën diferencën
Ekspertët theksojnë se zgjimi i shëndetshëm nuk ka nevojë për pajisje të shtrenjta apo truke të komplikuara. Ata këshillojnë që të zgjoheni në të njëjtën kohë, të merrni pak diell dhe të mos e shtyni zgjimin me “snooze”.