Lifestyle

6 mënyra shumë të thjeshta për ta mbajtur trurin të ri edhe pas të 60-ave

Mosha

Mosha

Truri duhet trajtuar si një fond pensioni: sa më herët të investosh, aq më shumë përfiton më vonë. Lëvizja, ushqimi i shëndetshëm dhe kureshtja mendore ndihmojnë që truri të mbetet i fortë dhe funksional me kalimin e viteve ka shkruar The New York Post.

Doktori Bruce Mayerson, bashkëdrejtues i neuroshkencave në Catholic Health dhe shef i neurologjisë në Spitalin St. Catherine of Siena, ka ndarë gjashtë këshilla kryesore për shëndetin e trurit.

Ushqehu thjeshtë dhe shëndetshëm

Mayerson rekomandon dietën mesdhetare, e njohur për efektin e saj kundër inflamacionit. Kjo dietë përfshin fruta, perime, drithëra të plota, bishtajore, arra dhe vaj ulliri, ndërsa peshku dhe mishi i bardhë konsumohen me masë.

Arroret janë veçanërisht të dobishme për trurin.

“Rekomandoj sidomos arrat indiane, bajamet dhe kikirikët”, ka thënë Mayerson.

Sa i përket mishit të kuq, ai sugjeron kufizim dhe jo përjashtim total.

“Është burim i mirë proteinash, por është edhe ushqim me shumë yndyrë. Në përgjithësi, mishi i pulës dhe shpezëve është zgjedhje më e mirë, sidomos për ata që kanë probleme me yndyrë në gjak”, ka thënë doktori.

Qëndro social dhe mendo pozitivisht

Një studim nga Universiteti i Floridës ka treguar se “mosha e vërtetë” e trurit ndikohet ndjeshëm nga mënyra e jetesës. Optimizmi, gjumi i mirë, menaxhimi i stresit dhe lidhjet sociale apo shoqërore funksionojnë si mjete kundër plakjes së trurit.

“Optimizmi dhe menaxhimi i stresit mund ta ngadalësojnë ndjeshëm plakjen e trurit, ndërsa lidhjet sociale janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sidomos me kalimin e moshës”, ka thënë Mayerson.

Ec çdo ditë

Si ushtrimet kardio, ashtu edhe ato të forcës janë të mira për trurin, sepse përmirësojnë qarkullimin e gjakut, kujtesën dhe ulin rrezikun e rënies së aftësive mendore.

“Ecja me ritëm të shpejtë mund të jetë po aq e dobishme sa vrapimi”, ka thënë Mayerson.

Ai sugjeron të vendoset një qëllim i përditshëm.

“Nëse i thua vetes se do të ecësh dy ose tre milje çdo ditë, në të njëjtën orë, hyn në një rutinë që e mban mendjen dhe trupin aktiv”, ka thënë ai.

Doktori paralajmëron se aktivitetet si golfi janë të mira për mendjen, por jo gjithmonë për trupin.

“Nuk merr përfitime të mjaftueshme fizike nëse nuk ecën gjithë fushën”, ka thënë ai.

Mbroje kokën

Goditjet në kokë janë shumë të rrezikshme për trurin, por shumë njerëz nuk përdorin helmetë kur ngasin biçikleta apo skuterë.

“Kjo është një nga sjelljet më të rrezikshme. Edhe nëse mendon se po ecën ngadalë, një goditje në kokë mund të shkaktojë dëmtime serioze të trurit”, ka thënë Mayerson.

Ai ka theksuar se biçikletat elektrike dhe skuterët mund të arrijnë shpejtësi shumë të larta dhe dëmtimet që ka parë variojnë nga tronditje e trurit deri te hemorragjitë dhe frakturat e kafkës.

“Helmetat janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, ka shtuar ai.

Lexo dhe qëndro i informuar

Të ndjekësh lajmet dhe ngjarjet aktuale mban trurin aktiv dhe mund të ulë rrezikun e demencës.

“Të qenit i informuar dhe të diskutosh për këto tema me familjen ose miqtë është shumë e rëndësishme”, ka thënë Mayerson.

Ai është më skeptik për fjalëkryqet dhe Sudokun.

“Do të bëhesh shumë i mirë në to nëse i praktikon, por nuk jam i bindur se ndikojnë ndjeshëm në ngadalësimin e demencës”, ka thënë ai.

Fli mirë, pa alkool dhe ilaçe

Gjumi i mirë është një nga mënyrat më të thjeshta për të mbajtur trurin të shëndetshëm. Gjumi ndihmon trurin të përpunojë informacionin dhe emocionet.

Mayerson këshillon të shmangen ilaçet kundër ankthit për gjumë.

“Medikamente si Xanax apo Klonopin nuk janë zgjidhje për gjumin. Ato shkaktojnë lodhje dhe duhen përdorur vetëm për ankth”, ka thënë doktori.

Ai qëndron edhe kundër alkoolit para gjumit.

“Njerëzit mendojnë se flenë më mirë pas disa pijeve, por në fakt flenë më keq, sepse alkooli e shtyp fazën më të rëndësishme të gjumit, atë REM”.

Faza REM (Rapid Eye Movement)e gjumit është faza gjatë së cilës truri është shumë aktiv, sytë lëvizin shpejt nën qepalla dhe shfaqen shumica e ëndrrave, ndërsa trupi mbetet i relaksuar për të parandaluar lëvizjet fizike.

Kjo fazë është thelbësore për përpunimin e emocioneve, forcimin e kujtesës dhe ruajtjen e shëndetit mendor.