Telekomi i Kosovës ka iniciuar kërkesë për fillim të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj ndërmarrjeje dhe personave privatë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e mbi 100 milionë euro në rastin Z-Mobile.
Inicimi i kërkesës është bërë për dyshimet për lidhje të kontratës së dëmshme, fshehje dhe manipulim të provave, deklarata të rreme dhe veprime e mosveprime që kanë dëmtuar Telekomin.
“Të njëjtët kanë iniciuar, hartuar, nënshkruar dhe gjatë kohës së zbatimit të kontratës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar ose edhe e kanë fshehur dëmin që ishte duke shkaktuar kontrata, duke mundësuar kështu dëme të pariparueshme qindra milionëshe ndaj Telekomit si dhe dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës. Nuk përjashtohet mundësia që zyrtarët e Telekomit të Kosovës, në forma të ndryshme mund të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme nga kontrata e dëmshme për Telekomin e Kosovës, nga e cila u shkaktua dëmi në total prej mbi 100 milionë eurosh”.
Dëmi nga humbjet komerciale nga zbatimi i kontratës llogaritet të jetë rreth 102 milionë euro, prej të cilave 51.4 milionë janë si pasojë e vendimeve të arbitrazhit.
Telekomi ka akuzuar Dardafon.net për shmangie të tatimit në vlerë prej 16.2 milionë eurosh.
Sindikata e kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të marrin masa për shkaktarët e këtyre dëmeve.
“Ne si sindikatë u bëjmë thirrje institucioneve, Qeverisë, Prokurorisë, edhe pasi menaxhmenti ka marrë vendim të mirë për të hetuar dëmet në Telekom të mos heshtin dhe të marrin veprime të mirëfillta, sepse Telekomi është shkatërruar ndoshta diku 200 milionë euro dëme nga kontrata me Z-Mobile dhe njëherë e përgjithmonë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, por edhe ata përfitues të cilët janë duke iu shmangur tatimeve dhe fshehjeve të tjera kanë fituar miliona euro”, ka kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj.
Telekomi nuk ka dhënë emra se ndaj cilëve persona ka kërkuar hetim. E këtë nuk e di as Sindikata.
“Ajo çka kam mundur ta shoh dhe lexoj është se është kërkuar hetim ndaj personave përgjegjës brenda Telekomit, që ka qenë kërkesë e kamotshme jona, një pjesë ndoshta janë edhe jashtë Telekomit, por sido që të jetë është një punë e mirë që ndoshta është me vonesë, por që nuk është vonë për dëmet i janë shkaktuar Telekomit”, tha Balaj.
Ditë më parë, Gjykata e shkallës së dytë ka nxjerrë një aktvendim ku ka kthyer në pikën zero rastin mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon (Z-Mobile).
Të gjitha paratë që ishin përmbaruar, Ndërmarrjes Publike Qendrore, Telekomi i Kosovës, ka thënë se do të kërkojë t’i rikthehen.
Telekomi i Kosovës pretendon se procesi gjyqësor ishte përcjellë me shkelje serioze.
Ndërkohë, ndërmarrja muajin e kaluar ka humbur betejën e dytë ligjore në arbitrazh ndaj kompanisë Z-Mobile që detyron atë t’ia paguajë kompanisë së Blerim Devollit shumën prej 13.5 milionë eurosh për mosvazhdim të kontratës.