Pas trazirave të së premtes mes Policisë e grupit të serbëve lokalë në veri, kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e ushtroi funksionin e tij në zyrë edhe të shtunën. Në cilësinë e kryetarit, ai e priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla. E pas takimit të shkurtër, ministri Sveçla e pati një porosi
Mëngjesi i së shtunës e gjeti të qetë, por ende me gjurmët e trazirave të një dite më parë, komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës.
Punimet për heqjen e tyre nisën në orët e hershme të mëngjesit, një ditë pas përleshjeve të Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë që po përpiqeshin ta pengonin kryetarin e ri të Komunës, Lulzim Hetemi, ta niste detyrën e tij në zyrë.
I përcjellë nga mbrojtja e afërt, kryetari Hetemi edhe të shtunën e kreu detyrën e tij në zyrë. Në hyrje të saj, qëndruan pjesëtarë të shumtë të njësiteve të Policisë së Kosovës, përderisa autoblindat e saj ishin stacionuar në të dy anët e Komunës. Pati edhe prani të trupave të KFOR-it.
E gjendja është monitoruar edhe me helikopterë teksa pritej që Hetemit t’i mbërrinte për vizitë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Pas bisedës së shkurtër, Sveçla nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve mbi tensionet e së premtes dhe deklarimet nga faktori ndërkombëtar. Ai tregoi vetëm për atë që është biseduar në takim.
“Erdha e vizitova kryetarin e Komunës i dëshirova punë të mbarë. Shpreha mbështetjen tonë u pajtuam që ka nevojë të gjitha institucionet qoftë vendore qoftë qendrore të punojnë për të mirën e qytetarëve me iu shërby qytetarëve, përkundër vështirësive ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do t’i tejkalojmë”, tha Sveçla.
E pati edhe një porosi të shkurtër.
“Policia e Kosovës është e Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës”, tha Sveçla.
Pas vizitës së ministrit Hetemi e përfundoi orarin e punës në Komunë. Në daljen nga zyra nuk u deklarua për media, por u shpreh i sigurt nën përcjelljen që po i bëhej nga forcat e rendit.
Nën praninë e zyrtarëve policorë, gjatë ditës është bërë edhe heqja e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale që veprojnë në veri.