Në përvjetorin e dytë të sulmit në Banjskë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vlerësuar se partnerët ndërkombëtarë nuk kanë bërë mjaftueshëm presion ndaj Serbisë për dorëzimin e përgjegjësve. Në një intervistë për KTV-në, Sveçla ka folur edhe për kërcënimet e fundit nga Serbia. Ai ka thënë se ky shtet e ka shkelur kohë pas kohe hapësirën ajrore të Kosovës nëpërmjet dronëve
Serbia kohë pas kohe është duke e shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve, ka thënë të mërkurën ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Këto shkelje, ai i ka kualifikuar si kërcënime që Serbia i bën në vazhdimësi ndaj Kosovës.
“Ka ndodhur në disa raste. Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale, në bashkëpunim edhe me KFOR-in, por edhe me shërbimet partnere, dhe në momentin që kemi më shumë, patjetër që do të ndajmë informata. Tash për tash, nuk ka ndonjë gjë për të cilën publiku i Kosovës duhet të brengoset, të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës”, ka deklaruar Sveçla në intervistën në emisionin “60 minuta” të KTV-së.
Ditë më parë, Korporata Energjetike (KEK) ka njoftuar se me vendim të KFOR-it hapësira operacionale përreth objektit është shpallur zonë e ndaluar për fluturime. Sveçla nuk e ka komentuar këtë vendim, porse ka thënë se institucionet e shtetit në vazhdimësi ndërmarrin hapa për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Po punojmë që atë mbrojtje ta ngremë në nivelet më të larta të mundshme, ju e dini shumë mirë që para pak më shumë se një viti ne kishim një sulm të kanalit Ibër-Lepenc, sulm terrorist, u bë me qëllimin që të paralizohet jeta normale në shumicën e territorit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
E tek ka folur lidhur me sulmin terrorist të dy vjetëve më parë të ndërmarrë nga grupi i armatosur serb në Banjskë, Sveçla ka shprehur vërejtjen që Serbisë nuk i është bërë presion i mjaftueshëm për t’i dorëzuar përgjegjësin kryesor për sulmin, Milan Radoiçiq, dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Nuk ka një qëndrim të vendosur që jo vetëm të dënohet, se, të jemi korrekt, ka pasur dënim të sulmit terrorist nga vendet mike, aleate, por, duhet të ketë një vendosmëri në raport me Serbinë, që Serbia të detyrohet që ta dorëzojë Radoiçiqin dhe të gjithë terroristët e tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës. Dhe kjo patjetër duhet të bëhet, duke i llogaritur edhe pasojat potenciale për vetë Serbinë. Këtë nuk po e shohim. Dhe ne kërkojmë që kjo edhe të bëhet”, ka theksuar Sveçla, teksa ka vlerësuar se “nuk mund të ketë një pikëvështrim normal ndaj Serbisë me politika të këtilla, ku ata përmes veprimeve terroriste cenojnë vendet përreth, cenojnë edhe Republikën e Kosovës”.
E për këtë, ai ka thënë se duhet presion mbi qeverinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që skenarë të ngjashëm sikurse të sulmit në Banjskë të mos përsëriten në të ardhmen.
Sveçla ka folur edhe për mbylljen e institucioneve që në Kosovë kanë vepruar sipas sistemit të Serbisë. E për ato që nuk janë mbyllur e që kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe arsimin, ai ka thënë se është duke u punuar në funksion të integrimit të tyre në sistemin e Kosovës.
Veprimet e institucioneve të Kosovës për mbylljen e strukturave ilegale janë përcjellë në vazhdimësi me kritika nga ndërkombëtarët. Më 12 shtator, Ambasada amerikane në Kosovë ka njoftuar se ka vendosur që ta pezullojë dialogun e paralajmëruar strategjik me Kosovën, duke marrë shkas nga deklaratat dhe veprimet e qeverisë në detyrë. Kryeministri në detyrë Kurti ka konfirmuar se ka dallime me SHBA-në dhe ato i ka ndërlidhur me qëndrimet në raportet me Serbinë dhe me veprimet ndaj strukturave ilegale të saj.
E të martën, një zyrtar me seli në Washington i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë KOHËS se “përpjekja për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje” ka qenë veprim i kryeministri në detyrë që e “ka shkelur vijën e kuqe” dhe që ka çuar në vendimin për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik.
Këtë vendim, Sveçla e ka kualifikuar si lajm jo të mirë, për të cilin ka thënë se duhet të punohet “sa më shumë që partnerëve tanë, aleatëve tanë, t’ua sqarojmë në detaje jo vetëm situatën, por edhe të gjitha veprimet”.