Në aktgjykimin e Supremes thuhet se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, kriter të cilin personat shoqërues nuk e plotësojnë. Ajo ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore përmes udhëzimit administrativ, duke krijuar detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit
Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15 vjeç të pacientëve gjatë qëndrimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr. 03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore.
Vendimi u mor pas padisë së paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), me të cilën është kontestuar ligjshmëria e dispozitave që parashihnin pagesë prej 3 eurosh për çdo ditë qëndrimi në spital për shoqëruesit e pacientëve mbi moshën 15-vjeçare.
Sipas IKD-së, Ligji për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si pagesë për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato, ndërsa personat shoqërues nuk mund të konsiderohen përfitues të shërbimeve shëndetësore, pasi nuk marrin trajtim mjekësor apo shërbime diagnostike e rehabilituese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSupremja ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore dhe zgjeronin në mënyrë të palejuar nocionin e “bashkëpagesës”.
“Gjykata Supreme, pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i ‘bashkëpagesës’. Në aktgjykim, Gjykata Supreme thekson se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor. Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore”, thuhet në vendim.
Në aktgjykimin e Supremes thuhet se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor, kriter të cilin personat shoqërues nuk e plotësojnë.
Gjykata gjithashtu ka konstatuar se Ministria e Shëndetësisë ka tejkaluar autorizimet ligjore përmes këtij udhëzimi administrativ.
“Gjykata Supreme po ashtu ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit. Tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, veçanërisht duke pasur parasysh praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, tarifimi i shoqëruesve cenon të drejtën e qytetarëve për qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, sidomos duke marrë parasysh se prania e familjarëve shpesh është e domosdoshme për mbështetjen e pacientëve gjatë hospitalizimit.
“Nga këndvështrimi i të drejtave të qytetarëve, siç garantohet në nenin 4 të Ligjit nr. 04/L-125 për Shëndetësi, vendosja e një tarife për personat shoqërues përbën një ndërhyrje të pajustifikuar në ushtrimin efektiv të së drejtës për kujdes shëndetësor. Ky nen kërkon që zbatimi i ligjit të bëhet duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare, çka nënkupton edhe sigurimin e qasjes reale dhe jo thjesht formale në shërbimet shëndetësore”, thuhet në aktgjykimin e Supremes. “Në këtë kontekst, vendosja e një detyrimi financiar ndaj personit shoqërues krijon një barrë të drejtpërdrejtë ekonomike për familjet e pacientëve, e cila nuk është e paraparë në ligj dhe nuk lidhet me marrjen e një shërbimi shëndetësor. Si e tillë, kjo barrë mund të ketë efekt dekurajues në praninë e personit shoqërues, duke cenuar indirekt edhe mirëqenien dhe trajtimin adekuat të pacientit, veçanërisht në rastet e personave të moshuar, pacientëve me aftësi të kufizuara apo atyre që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm”.
Gjykata ka theksuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo obligime financiare që nuk parashihen me ligj.
Tarifa prej 3 eurosh nisi të zbatohej nga shkurti i këtij viti, e përcaktuar nga udhëzimi administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore që ka hyrë në fuqi në vitin 2024.
Pagesa e cila ishte përcaktuar në Udhëzimin Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore që ka hyrë në fuqi në vitin 2024, nisi të zbatohet në fillim të shkurtit.
Shoqata të pacientëve shprehën shqetësimin lidhur me këtë pagesë, duke theksuar se përcjellësi nuk është vizitor, por shpesh pjesë e domosdoshme e kujdesit ndaj pacientit.