Dhomat e Specializuara, në rastin më të madh të gjykatës në Hagë, kanë hedhur poshtë parashtresën e mbrojtjes, e cila ka kërkuar që të hiqen nga aktakuza të gjitha incidentet e përfshira nga prokuroria gjatë kohës së luftës në Kosovë. Vendimi ka nxitur reagime në Kosovë. E në shqyrtimin gjyqësor për këtë rast, të mërkurën, kanë dëshmuar edhe dy eksperte, të propozuara nga mbrojtësi i viktimave
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka refuzuar parashtresën e përbashkët të mbrojtjes kundër aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Parashtresa ka pasur për qëllim që ta sfidojë përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka thënë se në këtë institucion nuk janë kompetentë për të vendosur për parashtrimin e mbrojtjes për t’i hequr nga aktakuza incidentet e përfshira në ankesë, e të cilat ndërlidhen me pothuajse gjithë periudhën e luftës në Kosovë.
Në këtë gjykatë kanë konstatuar se parashtrimi i mbrojtjes nuk e ka kërkuar hedhjen e asnjërës nga akuzat për vrasje të paligjshme, për ndalimet arbitrare, për zhdukjet e të tjera.
“Trupi gjykues nuk ka nevojë të shkojë në themelësinë e argumenteve të mbrojtjes sa u përket fillimit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur jondërkombëtar. Çështja e shtrirjes kohore të konfliktit të armatosur që ka të bëjë me këtë çështje gjyqësore do të trajtohet në fund të gjykimit, kur do të vendoset për themelësinë e çështjes”, ka thënë Smith. “Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara”.
Gjyqtari Smith ka theksuar se shumë nga faktet lidhen me krime kundër njerëzimit, për të cilat, ndryshe nga krimet e luftës, nuk është e domosdoshme që të provohet ekzistenca e një konflikti të armatosur. Për këtë arsye, edhe nëse argumentet e mbrojtjes do të pranoheshin, ato nuk do të çonin në rrëzimin e ndonjë pike të aktakuzës.
“Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës, qoftë për arsye kohore apo të tjera”, ka theksuar Smith, duke bërë të ditur se mocioni është rrëzuar në tërësi.
Ky vendim ka nxitur reagime në Kosovë.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) e kanë kualifikuar vendimin “dëshmi të një logjike të përmbysur të drejtësisë” dhe që “prodhon narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi tek i çliruari”.
“Gjykata Speciale, e themeluar përtej çdo praktike të zakonshme ndërkombëtare, ka vepruar si instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës. Në vend që t’i shërbejë së drejtës, ajo i ka shërbyer paragjykimit. Madje duke hetuar dhe gjykuar padrejtësisht vetëm një palë, ajo ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe që është burimi real i gjenocidit dhe krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë”, thuhet në reagimin e LVV-së. “Ata qeveritarë e deputetë që e miratuan, e votuan, e ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që e konfirmuan këtë gjykatë në vitin 2015 bartin përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata duhet sot të kërkojnë falje, jo si akt formal, por si shenjë vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që kjo gjykatë u ka shkaktuar vendit, kujtesës sonë kolektive dhe të ardhmes sonë. Ky do të ishte hapi i parë me të cilin duhet nisur një përbashkim për t’u mbrojtur jo vetëm juridikisht, por edhe shoqërisht nga rreziku i shtrembërimit të thelbit të luftës sonë”.
E në Partinë Demokratike (PDK) kanë vlerësuar se rasti “e përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta”.
“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, ka theksuar Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së në një postim në Facebook. “Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme - përjetësisht! Dielli do të lindë përsëri - për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”.
Reagim ka pasur edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke e quajtur vendimin si shkelje e padrejtësi dhe duke theksuar se me këtë “krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht”.
“Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht. Qëndresa jonë nuk do të ndalet. UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.
Në rastin Thaçi dhe të tjerët, para Dhomave të Specializuara të mërkurën kanë dëshmuar dy eksperte - psikologia Karin Duhne-Prinsen dhe psikiatrja Catherine Nicola-Black, të cilat janë propozuar nga mbrojtësi i viktimave.
Duhne-Prinsen ka theksuar se simptomat, në bazë të raporteve nga 50 viktima që i ka pasur në shqyrtim, përputhen me ato të stresit post-traumatik.
“Sidomos fanepsjet – makthet janë një nga elementet kryesore të kujtesës cenuese. Kjo kujtesa cenuese varion, ca persona thonë kemi fanepsje, ca që na kujtohen gjëra të trishta, disa thonë që nuk u hiqet trauma nga mendja. Pra një kategori pa nënkategori për shembull është shmangia – nuk ka nënkategori”, ka theksuar ajo.
E Nicola-Black ka folur për ata që në terminologjinë e drejtësisë quhen “viktima të tërthorta”.
“Kur më pyetët se a i shëron koha plagët, po mendoja edhe për brezat që do të lindnin dhe pasojat që do të kishte, por sigurisht që kjo vlen edhe për fëmijët e viktimave, që ne i përshkruajmë si viktima të tërthorta këtu”, është shprehur ajo.
E në pyetjen e mbrojtësit të Kadri Veselit nëse ekzaminimi i 50 viktimave është bërë drejtpërdrejtë nga to dhe në mënyrë të pavarur, ekspertet kanë thënë se janë bazuar në raportet e marra nga mbrojtësi i viktimave.
Një pjesë të dëshmive, dy ekspertet i kanë dhënë të mërkurën në seancë të mbyllur për publikun.