I akuzuari për nxitje të përçarjes, Lejdi Zagalli, ka munguar për herë të dytë në rastin ku bashkë me të akuzohet edhe Niko Bllazhde, i njohur në publik si Nikolla Xhufka. Sipas autoriteteve në Shqipëri, Zagalli është në Greqi e prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që të lëshojë fletarrest. Ata akuzohen për nxitje të përçarjes, pasi një kishë ortodokse serbe në Podujevë e thyen dhe e shpallën shqiptare
Nisja e gjykimit të Niko Bllazhes, i njohur si Nikolla Xhufka dhe të akuzuarit tjetër, Lejdi Zagalli për nxitje të përçarjes ka dështuar për herë të dytë. Arsye për dështim ishte mungesa e të pandehurit Zagalli.
Prokuroria Speciale e akuzon Xhufkën dhe Lejdi Zagallin, për nxitje të përçarjes, me pretendimin se kanë hapur dhunshëm kishën në fshatin Rakinicë të Podujevës dhe e kanë shpallur shqiptare, e që sipas organit të akuzës, është në pronësi dhe nën kontroll të Kishës Ortodokse Serbe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoXhufka ishte vetëshpallur kryepeshkop i Kosovës.
Policia e Shqipërisë si me rastin e seancës së 2 marsit, e po ashtu edhe të së martës, ka njoftuar Policinë e Kosovës se Zagalli figuron se ka shkuar në Greqi dhe nuk është kthyer më.
E autoritetet e Greqisë, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i janë përgjigjur kërkesës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.
“Nuk kemi konfirmim nga ana e autoriteteve greke nëse kanë arritur që t’ia dorëzojnë ftesën për këtë seancë, andaj i pyes palët nëse pajtohen të veçohet procedura penale ndaj palëve”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti.
Por propozimi i kryetarit Shyti është kundërshtuar nga të dyja palët.
Xhufka ka ndërhyrë në fjalën e prokurorit, Bekim Kordaliu, gjë që nxiti Shytin të reagojë.
“Veprimet e tyre kanë qenë të përbashkëta”, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu. “Jo”, ka reaguar i akuzuari Niko Bllazhde.
Në këtë moment ka ndërhyrë gjyqtari Shyti.
“Pa fjalë. Asnjë zë. Asnjë zë pa tu dhënë fjala. Hiç”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që Zagallit t’i lëshohet fletarrest.
“I propozoj gjykatës që ndaj të pandehurit Lejdi Zagallit të lëshohet urdhër arrest fillimisht vendor e pastaj ndërkombëtar dhe ndaj të njëjtit të caktohet masa e paraburgimit sapo të haset nga organet e ndjekjes – krejt kjo me qëllim të zhvillimit normal të kësaj procedure penale”, ka thënë prokurori Kodraliu.
Avokati Jeton Ademi i ka thënë gjykatës se nuk ka arritur të vendosë kontakt me klientin e tij dhe se në të kaluarën ai ka pasur avokatë të tjerë në bazë të detyrës zyrtare.
E Niko Bllazhde është shprehur se nuk e di se ku është i akuzuari tjetër.
“Unë kam folur me dhespotin ku ka qenë Ledion në Manastir në Greqi…Ai nuk është më në manastirin ku ka qenë, e kanë ndjekur e kanë përzënë nga aty, nuk është më aty dhe nuk dihet ku është… Unë besoj se kisha serbe e di se ku është Ledio, kështu që zgjidhet shumë lehtë”, ka thënë Blazhde.
Prokuroria Speciale pretendon se në nëntor të 2023-ës përmes një videoincizimi të postuar në Facebook, shtetasi i Shqipërisë, Xhufka, ka bërë nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve fetare, kombëtare dhe etnike që jetojnë në Kosovë.