Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Fidan Aliti ndien se ka ende çka t’i japë Kosovës

Fidan Aliti

Fidan Aliti bën pjesë në grupin e pesë lojtarëve që kanë më së shumti paraqitje te Kosova. Por nuk është pjesë e listës së lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet miqësore kundër Çekisë dhe Andorrës.

“Jam i lënduar”, tha shkurt Aliti për KOHËN të martën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aliti me përfaqësusese ka zhvilluar 64 ndeshje nga viti 2017 e tutje.

Më shumë se Aliti paraqitje për Kosovën kanë Mërgim Vojvoda (73), Vedat Muriqi (68) dhe Amir Rrahmani (67). Me 64 paraqitje është edhe Milot Rashica.

Rashica po ashtu nuk është pjesë e listës për miqësore. Kosovës i mungojnë edhe dy kapitenët, Rrahmani e Muriqi.

Me shumë gjasë Rrahmani e Muriqi nuk do t’i mungojnë Kosovës për ndeshjet e vjeshtës në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ftesës pozitivisht do t’i përgjigjej edhe Aliti.

“Unë jam i gatshëm t’i përgjigjem gjithmonë ftesave të Kosovës”, thotë mbrojtësi.

Por a ka pasur Aliti bisedë me Fodan pas ndeshjes finale të plejofit kualifikues ndaj Turqisë?

“Nuk kam pasur ndonjë bisedë me selektorin Foda, por unë jam gati ta jap kontributin për Kosovën”.

Madje, me Kosovën ka plane e synime të mëdha.

“Duhet të fokusohemi tani në Evropian. Kam besim se ky grup i lojtarëve mund të arrijë kualifikimin në Evropian”, thekson Fidan Aliti.

Kualifikimet do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm, nga marsi e deri në nëntor. Shorti i kualifikimeve evropiane do të tërhiqet më 6 dhjetor.

“Ëndrra ime nga dita e parë ka qenë që me Kosovën të paraqitem në një ngjarje të madhe. Nuk fitojmë asgjë nëse vajtojmë atë finale, duhet të shohim para”, është shprehur kapiteni i ekipit elitar turk, Antalyaspor.

Me Antalyasporin ka siguruar mbetjen në Superligë.

“Jam i kënaqur, jam kapiten i ekipit. Kemi pasur dëshirë të kalonim më mirë sezonin, por jam i kënaqur. Besoj se do të mbetem, kam kontratë edhe dy vjet”.

Aliti nuk e mendon pensionimin nga futbolli. Ai ngul këmbë se ka ende energji e forcë.

“I kam 32 vjet dhe ende nuk ka përfunduar për mua karriera”, thekson mbrojtësi me përvojë.