Bashkimi Evropian mund t’ua mohojë vendeve të ardhshme anëtare të drejtën e vetos për disa vite, në një përpjekje për ta bërë zgjerimin më të pranueshëm politikisht, ndërsa blloku po shtyn përpara pranimin e vendeve të reja para fundit të dekadës.
Sipas planeve që po shqyrtohen nga Komisioni Evropian, vendet kandidate për anëtarësim, si Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk do ta kishin automatikisht të drejtën për të bllokuar vendimet e politikës së jashtme apo çështje të tjera që kërkojnë unanimitet, siç janë taksat, menjëherë pas anëtarësimit në BE.
Ideja konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për Malin e Zi, vendi që shihet si më përpara në procesin e anëtarësimit mes nëntë vendeve zyrtare kandidate të BE-së.
Ish-republika jugosllave me rreth 624 mijë banorë synon të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së deri në vitin 2028. Këtë muaj, një grup teknik i ngarkuar me hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi është mbledhur për herë të parë, shenjë se negociatat 14-vjeçare po hyjnë në fazën përfundimtare.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje për “zgjidhje inovative” për të përshpejtuar pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Edhe
Pesë vende të BE-së paraqesin udhëzime për kufizim të vendimarrjes për anëtarët e rinj
Në këtë sfond, zyrtarët e BE-së po shqyrtojnë masa mbrojtëse për anëtarët e rinj, në mënyrë që një shtet i vetëm të mos jetë në gjendje të bllokojë vendimmarrjen e unionit, sipas katër burimeve evropiane.
Ideja ka lindur pas përvojës së vështirë me Hungarinë ku qeveria e mëparshme pro-ruse e udhëhequr nga Viktor Orban vendosi veto ndaj disa vendimeve të rëndësishme të BE-së, veçanërisht ndaj një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Një ndalim i përkohshëm i fuqisë së vetos mund të përfshihet në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi, i cili më pas do të shërbente si model edhe për vendet e tjera që presin në radhë.
Kjo masë konsiderohet juridikisht në kufijtë e ligjshmërisë dhe mund të zbatohet vetëm për një periudhë të përkohshme, për të shmangur krijimin e “anëtarëve të dorës së dytë” në BE.
Në një zhvillim tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz u ka shkruar javën e kaluar liderëve të BE-së duke kërkuar “zgjidhje inovative” për të përshpejtuar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Edhe
Pesë shtete kërkojnë “kufizime transitore” për vendet e reja anëtare të BE-së
Në letrën e tij, ku zgjerimi i BE-së përshkruhej si një “domosdoshmëri gjeopolitike”, Merz ka kwrkuar gjithashtu “anëtarësim të asociuar për Ukrainën” si një “hap vendimtar drejt anëtarësimit të plotë”.
Një status i tillë për Ukrainën do të nënkuptonte pjesëmarrje në takimet e BE-së dhe përfaqësim në institucionet e bllokut, por pa të drejtë vote. Sipas Merz, kjo do të pasqyronte “situatën e veçantë të Ukrainës si një vend në luftë” dhe do të “lehtësonte negociatat aktuale të paqes”.
Mirëpo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka hedhur poshtë këtë ide.
“Vendi i Ukrainës në Bashkimin Evropian duhet të jetë i plotë, i plotë dhe i barabartë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale pasi letra e Merzit u bë publike.
Zgjerimi i BE-së pothuajse kishte ngecur deri në pushtimin e plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, i cili i dha urgjencë të re negociatave me fqinjët lindorë.
Edhe
BE-ja nis hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi
Komisioni Evropian ka thënë vitin e kaluar se mund të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, duke identifikuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si kandidatët më të avancuar, ndërsa ka vlerësuar progresin e shpejtë të Moldavisë dhe ka sugjeruar se anëtarësimi në BE mund të shërbejë si garanci sigurie për Ukrainën.
Shtyrja e të drejtës së vetos është vetëm një nga disa masat mbrojtëse që po diskutohen për ta bërë zgjerimin më të pranueshëm.