LAJMET E MBRËMJES

Shqipëria vazhdon të përballet me problemet e vërshimeve

Me situatë të rëndë me vërshime pas reshjeve të fundit po përballen edhe disa komuna në Shqipëri. Në disa pjesë ka pasur përmbytje, disa rrugë janë bllokuar. Ushtria dhe agjencitë e tjera të sigurisë janë mobilizuar si në evakuime, ashtu edhe shpërndarje të ndihmave për popullatën e prekur nga vërshimet. Ushtria shqiptare po vazhdon ende kërkimin e një të riu që dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e lumit Mat

Njësi të shumta të trupave emergjente në Shqipëri janë mobilizuar si pasojë e problemeve të shkaktuara nga reshjet e fillimvitit në Shqipëri.

Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut në kuadër të Forcave të Armatosura të Shqipërisë kanë evakuuar disa banorë me varka në mesnatë dhe në orët e para të së mëngjesit.

“Nga fshati Salcë Kozare, Kuçovë, efektivë me mjete të kalueshmërisë së lartë dhe varka shpëtimi, kanë asistuar në evakuimin e banorëve dhe po ashtu në fshatin Banaj, Bashkia Dimal, s’ka munguar mbështetja dhe ndihma në komunitet. Në Gjirokastër u angazhuan efektivë dhe mjete për eliminimin e pasojave të situatës në lagjen Blloku i Furrave. Mjete ushtarake dhe efektivë në ndihmë të komunitetit të Drithasit, në Maliq, për transport koncentrati dhe furnizime, si dhe drejt fshatit Çlirim, Kolonjë, për shpërndarje rezervash ushqimore”, tha Forca Tokësore.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar po ashtu se Forcat e Armatosura janë në kërkim të të riut që dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e lumit Mat si në ujë ashtu edhe me dronë.

Në njoftimin që e ka shpërndarë Ministria e Mbrojtjes, shtatë qarqe të Shqipërisë janë cilësuar si problematike.

“Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme... Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka qëndruar në Thanasaj të Lushnjës, ku ka treguar se kanë zhvendosur edhe bagëti dhe u kanë sjellë disa banorëve edhe koncentrat për t’i ushqyer kafshët e tyre.

“Disa stane në nivel bashkie është dashur të evakuohen dhe në këtë mënyrë na duhet patjetër që të gjendemi pranë blegorëve, me të gjithë nevojat që kanë, ushqimin koncentrat që kemi filluar ta dislokojmë qoftë në ditët e kaluara në Vlorë, në Fier, do ta bëjmë edhe në Bashkinë e Lushnjës patjetër”, tha Vengu. 

Shqipëria tashmë e ka shënuar një viktimë si pasojë e vërshimeve.

E shkaku i reshjeve, janë bllokuar disa rrugë nga rënia e borës, por edhe si pasojë e rrëshqitjes së dheut.