LAJMET E MBRËMJES

Shirat e dendura shkaktuan edhe përmbytje

Kosova është goditur nga reshje të mëdha shiu, të cilat kanë shkaktuar vërshime. Disa zona janë përmbytur, përfshirë edhe lagje të kryeqytetit. Edhe qarkullimi në magjistrale e rrugë lokale është vështirësuar. Por, në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave kanë thënë se situata është nën kontroll

Reshjet me intensitet të lartë të shiut kanë shkaktuar vërshime gjithandej Kosovës. 

Ato kanë përfshirë edhe Prishtinën.

Në lagjen “Kodra e Trimave” janë përmbytur edhe shtëpi, e banorët ankohen se autoritetet nuk kanë ndërmarrë masa.

“Gjendja po shihet vetë, gjendja reale qysh është. Prej 2023-s, Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë diçka dhe për fat të keq asnjëherë nuk ka ardhë diçka me bë intervenim këtu. Problem më i madh është se këtu bllokohet kanalizimi e ne kemi problem me shtëpitë tona se na vjen kanalizimi brenda”, ka thënë Ardian Krasniqi, qytetar.

Krasniqi është ankuar se autoritetet e komunës nuk u janë përgjigjur thirrjeve për ndihme gjatë të martës.

“Prej orës 07:30 Komunën e Prishtinës i kemi thirrë, për fat të keq asnjë zyrtar i komunës nuk ka qenë në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.

Si shkak i vërshimeve, është bllokuar edhe një rrugë në lagjen “Arbëria”. Ecjen në trotuar, qytetarët e patën të pamundur. Andaj kalimin e rrugës u detyruan ta bënin nëpër ujë.

Por, disa prej tyre u detyruan të kthehen mbrapshtë.

“Provova me kalu duke u kthy prej punës, provova me kalu rrugën, por që nuk pata mundësi dhe po kthehem prapë mbrapa. Këtu çka po mendoj pse gjithë këto vërshime këtu është për shkak të punimeve jo të mira që janë bërë”, ka thënë Edina Krasniqi, qytetare.

Gjatë ditës kanë intervenuar edhe ekipet e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave. 

E drejtori për siguri dhe emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka deklaruar se me të marrë informacion për vërshime, kanë filluar edhe përgatitjet.

“Ne qe dy ditë kemi filluar përgatitje dhe tani gjendemi në qendrën operative të qytetit ku kemi aktivizuar edhe shtabin emergjent. Jemi të përgatitur për çdo situatë që mund të godet kryeqytetin. Gjitha ekipet janë në terren, kemi raste dhe sipas informatave që kemi nga Instituti reshjet do të vazhdojnë deri pas mesnatës”, ka thënë Fushtica.

Përveç kryeqytetit, me vërshime janë përballur edhe komuna të tjera.

Kolona të gjata janë shkaktuar në disa segmente të magjistraleve.

Është raportuar për vërshime edhe në Gjilan, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Novobërdë e Rahovec.

E në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent kanë thënë se është ngritur niveli i gatishmërisë dhe se situata është nën kontroll.