LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria në Pejë heton dhjetëra policë, dyshohet se fshehën afro 200 kallëzime penale

Rajoni i Pejës, ku bëjnë pjesë edhe Klina, Deçani dhe Istogu, ka shënuar një vit pa asnjë vrasje. Për këtë kryeprokurorja e Pejës i ka dekoruar tre policë. Megjithatë, dhjetëra zyrtarë policorë janë duke u hetuar, pasi dyshohen se ia fshehën lëndët prokurorisë në mënyrë që ato të mos hetoheshin e të vjetroheshin

Dhjetëra policë po hetohen nga Prokuroria Themelore në Pejë, me dyshimin për fshehje të lëndëve. Kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, ka konfirmuar se ata janë pjesë e hetimit të afro 200 kallëzimeve penale në Policinë e Kosovës. Sipas Vuçetajt, zyrtarët policorë dyshohen se i fshehën lëndët me qëllim që ato të mos hetoheshin e të vjetroheshin.

 “Kemi edhe dhjetëra zyrtarë policorë të cilët janë në proces hetimor, presim epilogun e tyre, mirëpo deri në momentin e ngritjes së aktakuzës sigurisht që do të jeni të njoftuar... Rasti është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe rrethanave në të cilat është duke u procesuar nuk mund të jap më shumë informacione, mirëpo rasti është në trajtim e sipër”, ka bërë të ditur Vuçetaj.

Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj ka thënë se askush, as zyrtarët në uniforma, nuk do të jenë të paprekshëm nga ndjekja penale.

“Korrupsioni dobëson drejtësinë, rrit pandëshkueshmërinë e në veçanti kur ligji nuk zbatohet njëjtë për të gjithë atëherë qytetarët humbin besimin, ndihen të pasigurt dhe të diskriminuar dhe në këtë drejtim gjithmonë e kam thënë, askush nuk është mbi ligjin – madje as ata që janë përgjegjës për zbatimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve, ata që bartin uniforma shtetërore dhe bartin autorizime publike”, ka thënë Vuçetaj. 

Viti 2025 për rajonin e Pejës ka prodhuar statistikë pozitive krahasuar me të gjitha vitet e pasluftës – nuk është regjistruar asnjë vrasje. Madje për kontribut në parandalimin e një vrasjeje nga Prokuroria Themelore janë nderuar me mirënjohje tre policë. Ata në tetorin e vitit të kaluar në Pejë kanë ndërhyrë kur një person po qëllonte me kallashnikov në drejtim të një veture në lëvizje. Pamjet e kamerave kanë shfaqur reagimin e shpejtë të policëve, ndërsa sulmuesi po tentonte të merrte armën tjetër që e kishte lënë në tokë. 
Udhëheqësja e Prokurorisë së Pejës paralajmëroi se do të jenë pa kompromis kundër krimit dhe degradimit mjedisor.

Vuçetaj theksoi po ashtu se luftimi i dhunës në familje dhe vetëdijesimi i shoqërisë për dhunën me baza gjinore do të jetë prioritet i tyre në vitin 2026.