LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria kërkon dënimin e Joliqit për krime lufte, mbrojtja lirimin

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog, Çaslav Joliq. Prokuroria ka kërkuar që mospërputhjet të trajtohen si normale shkaku i përjetimeve të rënda të dëshmitarëve gjatë luftës. Prokurori Ilir Morina ka kërkuar dënimin e të akuzuarit, meqë siç ka thënë dëshmitë tregojnë fajësinë e tij për keqtrajtim, teksa mbrojtësi i Joliqit ka kërkuar lirimin e tij

Prokuroria Speciale në fjalën përfundimtare në rigjykimin e Çasllav Joliq, i akuzuar për krime lufte, ka kërkuar të martën që traumat dhe koha e kaluar që nga përfundimi i luftës të merren si faktorë që i turbullon rrëfimet e dëshmitarëve. 

Joliq akuzohet për torturë e keqtrajtim, si krime lufte në rajonin e Istogut më 1999.

Prokurori special Ilir Morina ka deklaruar se tash është koha të vihet drejtësia në vend për viktimat e këtij krimi mizor.

Morina ka thënë se në rigjykim janë sqaruar vërejtjet e Apelit, tek ka theksuar se Joliqi ka kryer krim lufte duke ndihmuar dhe mundësuar kryerjen e këtyre krimeve, gjë që e ka njohur edhe Tribunali për ish-Jugosllavi në Hagë. 

“Me saktësi mund të përcaktohet se ata vepronin si grup dhe e torturonin vazhdimisht popullsinë civile që nuk ishte e përfshirë në luftë. Të pandehurit kanë marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të vetëdijshme në aktin kolektiv të dhunës dhe secili prej tyre ka kontribuuar në realizimin e rezultatit final të dëmtimit fizik të viktimave Malsia, Ferati e Curri”, ka thënë prokurori special Morina. 

Edhe Dhomat e Specializuara në aktgjykimin e Themelores për Salih Mustafën e kanë arsyetuar mungesën e koherencës në dëshmitë e dëshmitarëve me kohën e gjatë të kaluar që nga lufta dhe ngjarjet traumatike që i kanë kaluar ata. 

E prokurori Ilir Morina është bazuar tek aktgjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavi, ku është konstatuar se thelbi i dëshmive është me rëndësi. 

“Kontradiktat e vogla në kujtesë nuk e zbehin vërtetësinë e përvojës së tyre, nuk  e mohojnë realitetin e vuajtjeve të përjetuara dhe të dokumentuara... Për më tepër në një rast tjetër thekson: vërtetimi nuk kërkon që rrëfimet e dëshmitarëve të jenë identike në të gjitha aspektet. Çdo dëshmitar paraqet atë që ka parë nga këndvështrimi i tij në kohën e ngjarjes”, ka thënë Morina. 

Mbrojtësi i Joliqit, avokati Miodrag Bërklaq, ka thënë se jokoherenca e dëshmive të dëshmitarëve, sidomos e dëshmitarit Zef Malësiaj – e bëjnë dëshminë e tij të pabesueshme.

“A e bazoni aktgjykimin ku e dënoni për shembull qysh u thanë. Katër herë e ndërron deklaratën. Në qoftë se ishte bërë edhe një gjykim, e kishte dhënë edhe deklaratën e pestë. Zefi, çfarë përshtypje e ka lënë para jush?”, ka thënë avokati Bërklaq.

Ai i ka kërkuar gjykatës të mos e besojë as deklaratën e Nexhmedin Currajt.  

“Të gjitha këto tregojnë se ai shpik gjëra dhe nuk janë të nevojshme. Pyetja është a ka qenë Çaslavi dhe çfarë ka bërë ai dhe jo të bësh kombinime se ‘vallah ishte Çaslavi e s’ishte Çaslavi’, po më rrahën jashtë veture, më rrahën brenda veturës e kështu me radhë. Kjo tregon se as ky s’është dëshmitar kredibil”, ka thënë ai. 

Çaslav Joliq është dënuar me tetë vjet burgim në aktgjykimin e shpallur më 10 qershor 2024. 

Vitin e kaluar, Apeli e ka kthyer këtë rast për rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

E shpallja e aktgjykimit të dytë të Themelores për këtë rast është caktuar për 23 maj.